Ambasadorja franceze: Negociatat, po aq të rëndësishme sa BREXIT

AKTUALITET


Ambasadorja e Francës në Tiranë, Christine Vasac ka komentuar nga Korça vendimin që pritet të marrë Këshilli i Europës për hapjen ose jo të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Vasac është ndalur në takimin e zhvilluar mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emanuel Macron duke thënë se ata kanë biseduar për çështjen e negociatave dhe se kjo çështje për BE-në është po aq e rëndësishme sa BREXIT. Vasac gjithashtu ka thënë se unioni do të dalë me një vendim unanim për negociatat por pa zbuluar më shumë rreth vendimit të qeverisë franceze për Shqipërinë.

“Nuk dua të fshihem pas gishtit. Ju keni ngritur pyetjet për rrugën europiane. Ju prisni, ne presim të gjithë bashkë përgjigjen e rëndësishme. Ne nuk dimë çfarë vendimi do jepet. Ky vendim do merret në unaminitet. Dje, kancelarja Merkel dhe Macron janë takuar në një takim të rëndësishëm.


Janë pyetje që na shpëtojnë dhe nuk i kapim dot. Është e vërtetë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin një vendim për hapjen e negociatave për në BE. Por ka çështje, që janë po aq të rëndësishëm siç është çështja e Brexit. Ky është një problem i madh jo vetëm për Francën, por gjithë vendet e Europes dhe na intereson të gjithëve. Por ka gjithashtu çështje të tjera, të tjera siç është çështja e ngjarjeve në Siri. Është gjithmonë kështu. Aktualiteti vonon mbledhjet e veta. Por dijeni, që dosja e hapjes së negociatave për Shqipërinë është shumë e  rëndësishme, sepse ne kemi miqësi të  vjetër me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, -tha ambasadorja e Francës.

Vendet anëtare të BE-së, pritet që më 17-18 tetor të vendosin nëse do të hapen negociatat ose jo të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE.

Deri tani, Franca ende nuk ka vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajë për negociatat, ndërsa lobimin më të madh për hapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe  Maqedonisë së Veriut me BE-në po e bën Gjermania, dhe personalisht kancelarja Angela Merkel.




Skip to toolbar