Nga Bavaria ku ndodhet për një vizitë zyrtare si kryetar i OSBE, kryeministri Edi Rama u ndal të komentojë edhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Në një intervistë të publikuar në faqen e tij në facebook, Rama iu përgjigj deklaratave të Presidentit Meta, ku mes të tjerash tha dje se “Grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit, se është më i fortë”.
“Nuk i kam ndjekur deklaratat e presidentit, nuk përbëjnë asnjë surprizë në çfarëdo forme që ato të materializohen. presidenti ka një raport shumë personal me rrotullimin e hënës, kështu që varet nga kahja e hënës në momentin kur flet, ndërkohë që parlamenti vazhdon punën, jo vetëm që është legjitim, por është në krye të detyrës dhe do të vazhdojë të kryejë detyrën për të reflektuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke i hapur rrugë listave të hapura dhe duke konsoliduar sistemin zgjedhor me një ndryshim të domosdoshëm të formulës së koalicioneve nga një formulë absurde, në një formulë që e kanë të gjitha vendet evropiane”, tha Rama.
Duke u ndaluar më konkretisht në propozimin e PS në këshillin politik dhe debatin që pasoi për listat e hapuara apo të mbyllura të kandidatëve, Rama tha cdo propozim është i diskutueshëm ndërsa paralajmëroi opozitën të mos bëhet pengesë e procesit.
“Propozimi nuk është shpikje i referohet një modeli që e kanë disa vende demokratike. Cdo propozim është i diskutueshëm uroj që opzita mos humbasë kohe sic e ka zakon, se koha nuk pret. Zgjedhjet janë më 25 prill në ligjin zgjedhor kemi edhe angazhimin për sistemin elektronik. Opozita është e mirëpritur të diskutojë të japë alternativa, por të pengojë procesin duhet ta harrojë një orë e më parë sepse nuk ka kohë për të pritur dhe ne nuk do të presim në pafundësi.” u shpreh Rama.