Goditet banda italo-shqiptare e drogës, 20 të arrestuar, një në Shkodër

AKTUALITET


Policia shqiptare së bashku me atë italiane kanë goditur një organizatë kriminale të trafikut të drogës duke arrestuar 20 persona mes tyre dhe një shqiptar dhe duke sekuestruar 440 kg drogë, kryesisht kokainë dhe heroinë, por edhe armë e municion luftarak.

Policia e dy shteteve kishte rreth 4 vite që punonte për operacionin “BROKERS”, që u zhvillua pikërisht të premten (sot).


Hetimet për këtë operacion kishin filluar pas vrasjes së shtetasit italian F. F.,  në qytetin Trani, në janar të vitit 2015.

Personi që kontrollonte dhe organizonte trafikun e drogës nga Holanda, Gjermania dhe Shqipëria ishte një shtetas shqiptar, i cili nëpërmjet njohjeve të tij i siguronte organizatës kokainë, heroinë dhe hashash. Sasia e drogës vinte me anë të korrierëve që zakonisht e fshihnin në ndarjet e dyfishta në makina.

Kjo organizatë e kishte qendrën në qytetin e Foggias. Si rezultat i hetimeve të përbashkëta mes Policisë italiane dhe Policisë se Shtetit u arrit që të arrestoheshin 20 persona dhe të sekuestroheshin 440 kg droga të ndryshme si kokainë, heroinë dhe hashash, si dhe disa armë zjarri.

Policia shqiptare arrestoi në qytetin e Shkodrës shtetasin L. D., 50 vjeç, banues në Shkodër.

Si rezultat i këtij operacioni u godit një organizatë kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, në zonën e qyteteve të Andrias dhe Cerignolas.

Policia e Shtetit njofton se është e angazhuar dhe e vendosur për të bashkëpunuar me profesionalizëm  me Policitë partnere dhe gjithë organizatat ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.




Skip to toolbar