Basha ‘gëzon’ për largimin e Pjetrit (harron që e promovoi PD)

AKTUALITET


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas lajmit për dorëheqjen e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se tashmë ka “një kriminel më pak në politikë”, ndërsa shton se nuk ndryshon asgjë deri sa të largohet Edi Rama.  “Një kriminel më pak në politikë; një uzurpator më pak në pushtetin vendor. Asgjë nuk ndryshon deri sa të largojmë Edi Ramën, kokën e krimit politik”, shprehet Basha.

Ky reagim i Lulzim Bashës vjen vetëm pak pas njoftimit në rrjetet sociale të Valdrin Pjetrit, ku lajmëronte se nuk do të merrte mandatin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës. Megjithatë, edhe pse e quan “kriminel” Valdrin Pjetrin, Lulzim Basha harron se ishte partia e tij që e promovoi në politikë në vitin 2010, kohë kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike.

Madje, në atë kohë, PD i besoi Valdrin Pjetrit në krye të pasurive të konfiskuara nga trafiku i drogës. Madje po në kohën e PD, kryebashkiaku i dorëhequr i Shkodrës, ende pa marrë detyrën, mori dhe çertifikatën e sigurisë. Ndaj, Basha duket se e harron këtë fakt, ndonëse e kujtoi indirekt një ditë më parë, kur sulmoi Jozefina Topallin, duke e akuzuar ish-deputeten e PD, si personi që “promovoi Valdrinin në politikë”.



Skip to toolbar