“BE na kërkon të njohim Kosovën”, Vuçiç: Serbët të ndarë, disa duan dorëzimin e saj

KOSOVA


Njohja e pavarësisë së Kosovës po bëhet një kusht të cilin Serbia duket se do ta ketë të vështirë ta shmangë. Këtë e konfirmoi edhe deklarata e fundit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se Europa po i kërkon Beogradit ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“De facto ose de jure. Kjo po kërkohet. Le të mos gënjejmë për këtë gjë. Fuqia më e madhe, Bashkimi Evropian po e kërkon këtë”, tha Vuçiç.


Numri një i shtetit serb, deklaroi se qytetarët e vendit janë të ndarë sa i përket Kosovës, teksa një pjesë kërkon dorëzimin e saj, dhe të tjerë që duan të mbrohet me çdo kusht. Edhe se i përket hyrjes në BE, sipas Vuçiç, populli është i ndarë në dysh, në ata që duan dhe që e kundërshtojnë bashkimin me bllokun.

“Ne mund ta gënjejmë veten se kemi pajtim për këtë çështje. Sigurisht që nuk kemi. Sigurisht që një pjesë mendon se Kosova duhet të dorëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur sepse Serbia do të ishte më e shëndetshme, por ata këtë nuk e thonë dhe nuk duhet ta thonë publikisht. Të tjerët do të thonë se Kosova dhe Metohia duhet të mbrohet me çdo kush, por pa mua dhe fëmijët e mi.”

Që kur Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, është njohur nga mbi 100 shtete. Pavarësia njihet nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashtuar nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Në Kushtetutën serbe, Kosova vazhdon të konsiderohet pjesë e Serbisë. 




Skip to toolbar