Bllokim qendrave të votimit në shkolla, në pranga 5 punonjës bashkie, në kërkim nënkryetari i Ballshit

AKTUALITET


Pesë punonjës bashkie në Pogradec dhe Mallakastër janë arrestuar nga policia, pasi kanë bllokuar shkollat, ku janë vendosur qendrat e votimit, ndërkohë që është shpallur në kërkim nënkryetari i Bashkisë Mallakastër. Policia thotë po përballet me situata të tilla në të gjitha bashkitë e drejtuara nga opozita, ndërsa paralajmëron se të gjithë penguesit procesit zgjedhor do të ndiqen penalisht.

Mallakastër


Policia tha se janë vënë në pranga 2 punonjës të Bashkisë  Mallakastër, roja i shkollës në qytetin e Ballshit si dhe shpallet në kërkim edhe nënkryetari i Bashkisë së Mallakastrës për shkak se akuzohen se kanë penguar subjektet për zgjedhjet lokale.

Në pranga janë vënë Dervish Dervishaj, 57 vjeç, banues në Ballsh, shofer i Bashkisë Mallakastër; Erjon Isufaj, 39 vjeç, banues në Ballsh, punonjës i Bashkisë Mallakastër dhe Nimet Kapaj, 58 vjeç, banues në Ballsh, roje shkolle. Ndërsa në kërkim është shpallur nënkryetari i Bashkisë Mallakastër, Hajredin Serjanaj, 38 vjeç, banues në Ballsh.

Ata dyshohet se janë autorë të bllokimit të dy shkollave në qytetin e Ballshit dhe 21 shkollave në fshatrat e Bashkisë, të cilat janë caktuar nga KQZ për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Pogradec

Dy punonjës të Bashkisë së Pogradecit janë arrestuar nga policia, pasi kanë mbyllur me çelës 3 shkollat dhe kopshtin, të caktuar nga KQZ si KZAZ. Komisariati i Pogradecit vuri në pranga S. B., 61 vjeç dhe  G. B., 59 vjeç, të dy me detyrë punonjës shërbimesh në Seksionin e Arsimit pranë Bashkisë Pogradec, të cilët dyshohen për veprën penale “Pengimi i zgjedhësit, kryer në bashkëpunim”. Burimet policore thanë se ata janë kapur në flagrancë, duke mbyllur me çelës tre shkolla dhe një kopsht fëmijësh në lagjet nr 2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë vendosur dhe miratuar si qendra votimi, për zgjedhjet e Pushtetit Vendor të datës 30 qershor.




Skip to toolbar