Ish-ministri Damian Gjiknuri, që ka dëgjohet të bisedojë me një eksponent të PS në përgjimet e publikuara nga Bild, ka reaguar duke u shprehur se në bisedat e tij telefonie nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me ligjin. Me një reagim në rrjetet sociale, Gjiknuri, i cili dëgjohej në përgjim ti komunikonte një biznesmeni se do të dërgonte disa çuna për zgjedhjet në Dibër, shprehet se komunikimi i tij është normal organizativ mes shtabit elektoral.
“Referuar publikimeve të fundit në media rreth procesit zgjedhor në Bashkinë e Peshkopisë në vitin 2016, me synim transparencën dhe hedhjen poshtë të spekulimeve të qëllimshme sqaroj se për periudhën për të cilën bëhet fjalë kam mbajtur funksionin e drejtuesit politik të PS në Qarkun Dibër. Në bisedat e mia telefonike të publikuara audio në gjuhën shqipe, nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me ligjin apo shkon përtej komunikimit normal organizativ mes shtabit elektoral në një fushatë. Çdo pretendim tjetër është deduksion politik i qëllimshëm, madje edhe transkriptim dhe koment i pavërtetë në raport me atë çka thuhet me zë prej meje apo asaj çka përfaqësojnë bashkëbiseduesit”.
Sipas Gjiknurit, spekulimi me këtë audiopërgjim, kërkohet të njolloset fitorja e merituar e kandidatit të Partisë Socialiste. Gjiknuri shprehet se mbështet Prokurorinë të hetojë çdo indicie për të kujtdo përfaqësuesi të Partisë Socialiste të angazhuar në këtë proces zgjedhor.
“Natyrisht, ky spekulim bëhet qëllimshëm për të njollosur fitoren e merituar të kandidatit të Partisë Socialiste dhe punën organizative të të gjithë kordinatorëve elektoral ashtu dhe timen si drejtues politik. Duke qenë se çështja është në hetim nga prokuroria nuk është normale që unë të flas me detaje për këtë proces. Mbështes dhe inkurajoj prokurorinë të hetojë çdo element, pretendim apo qoftë dhe indicie për veprimtarinë e kujtdo përfaqësuesi të Partisë Socialiste të angazhuar në këtë proces zgjedhor”, shkruan Gjiknuri, duke ngritur dhe një pyetje në fund:
“Gjithashtu, publiku duhet të dijë se si ka mundësi që Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, ka përfshirë në përgjim të gjithë shtabin elektoral të PS me vetëm një kallëzim nga subjekti kundërshtar Partia Demokratike, madje e ka regjistruar hetimin për korrupsion dhe jo për shitblerje votash!?”, përfundon deklarata e Gjiknurit.