Fundjavë e zezë në brigjet shqiptare, zhduken dy persona, shpëtojnë mrekullisht tre të tjerë

AKTUALITET


Fundjava ka rezultuar dramatike në plazhet e bregdetit tonë, pasi dy persona rezultojnë të kenë humbur kontaktet me të afërmit e tyre në Shëngjin dhe Durrës, ndërsa në Velipojë fatmirësisht është evituar një tragjedi, pasi janë shpëtuar tre persona. Mbrëmjen e së dielës raportohet se në plazhin e Shëngjinit, në vendin e quajtur “Rana e Hedhur”, një 18-vjeçar ka humbur kontaktet me familjarët e tij. Dyshimet kryesore janë se adoleshenti të jetë mbytur në plazh.

Nga të dhënat paraprake bëhet fjalë për 18-vjeçarin e identifikuar me inicialet E.M, i cili është nga Kruja. Kanë qenë familjarët ata që kanë lajmëruar për zhdukjen e të afërmit e të tyre, i cili pasi ishte futur për tu larë, siç raportohet paraprakisht, nuk është parë më. Ndërkohë, punonjësit e Policisë Kufitare, Policisë së Lezhës dhe Polumbarët e repartit RENEA kanë nisur kërkimet për të riun, në det dhe tokë. Një tjetër ngjarje e rëndë është raportuar më herët në bregdetin e durrësit.


Një 31-vjeçar, i cili ka qenë duke u larë në plazhin e Currilave në Durrës, është zhdukur. Personi në fjalë është identifikuar si Donald Molla, banues në Skrapar, i cili ka qenë në plazh me disa miq të tij, të cilët kanë bërë edhe njoftimin në polici.

Pas marrjes së informacionit për rastin në fjalë, policia ka nisur kërkimin tokësor dhe detar, teksa deri në orët vona të mbrëmjes nuk raportohet për gjetjen e tij. Gjatë të dielës në plazhin e Velipojës kanë rrezikuar mbytjen në det tre persona, të cilët fatmirësisht kanë mundur të shpëtojnë pasi kanë marrë ndihmën e shpejtë nga pushuesit.




Skip to toolbar