Megjithëse opozita dhe presidenti sulmojnë vazhdimisht reformën në drejtësi, maxhoranca është e vendosur ta çojë deri në fund këtë nismë me ndihmën e ndërkombëtarëve, ndërkohë që në shtator pritet ngritja e SPAK. Sipas përfaqësuesve të maxhorancës qeverisëse kjo strukturë e rëndësishme jo vetëm do të hetojë dhe do të vendosë para ligjit politikanët e korruptuar, por do të hapë edhe dosjet e bujshme, siç janë Gërdeci, 21 Janari apo abuzimet në rrugën Durrës-Kukës për të cilat akuzohet direkt kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Këtë e ka deklaruar zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi në një prononcim për gazetën “Sot”, i cili thekson se pikërisht kësaj i trembet opozita, ndaj dhe mori vendime ekstreme, siç ishin djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Besoj se SPAK do të godasë pa dallim korrupsionin e çdo ngjyre. Këtë e beson edhe PD dhe LSI. Prandaj ata nuk lanë gur pa lëvizur kundër riformimit të sistemit të drejtësisë. Ata nuk hynë në zgjedhje dhe dogjën mandatet personale parlamentare me qëllimin e fshehur që të krijohej kaos politik e institucional, zgjidhja e të cilit do të përfshinte rrëzimin e reformës në drejtësi dhe hartimin e një tjetre që të ruante ndikimin e PD-LSI mbi gjyqtarët. Çështje të tilla si “21 Janari”, shitja e hapësirës detare apo afera e Rrugës së Kombit presin dritën e drejtësisë”, deklaroi Koçi.
Edhe deputeti i PS, Andrea Marto deklaroi se ka ardhur koha që në Shqipëri të hapen dosjet e bujshme. Sipas tij, në kushtet kur shumë çështje janë groposur, i takon SPAK që të rivendosë drejtësisë e munguar. “Dosjet e bujshme duhet të rihapen nga SPAK. Çdo gjë duhet të rihapet. Kushdo që ka bërë shkelje, të dalë para drejtësisë. Nëse janë të rrezikuar, le t’ia lamë hetimit të plotë dhe të pandikuar”, deklaroi Marto. Ndërkohë, deputeti socialist, Bujar Çela gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” deklaroi dje se SPAK duhet të hapë dosjet e të korruptuarve, veprim ky që sipas tij, do t’i sillte dobi vendit në çdo aspekt. “Hapja dosjeve të ish-ave dhe atyre që janë në xhiro mbi kokën e fukarasë do të sillte shumë të mira që nga sekuestrimi i pasurive, deri në qilizmën që pret populli t’i bëhet këtij sistemi tejet të korruptuar në çdo qelizë”, deklaroi Çela.
Siç duket shtatori do të jetë një muaj i nxehtë për politikën në Shqipëri dhe pritet të ketë zhvillime të shumta.