Hoti raporton të enjten në Kuvend, Osmani: Demokracia rrezikohet nga qeveria e pakicës

AKTUALITET


Vazhdojnë përplasjet në distancë mes Vjosa Osmanit dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. Kryetarja e Kuvendit thotë se demokracia po rrezikohet nga manipulimi i vullnetit të shumicës qytetare, duke iu referuar kështu zgjedhjes së qeverisë së pakicës.

 “Demokracitë sot rrezikojnë të zhbëhen nga përfaqësimi i pakicës ose nga shpërfillja e vullnetit të shumicës qytetare. Në shumë vende të botës përfaqësues të caktuar politikë kanë arritur të manipulojnë demokracinë duke manipuluar kështu vullnetin e shumicës qytetare. Rreziku shtohet kur ky manipulim bëhet edhe përmes devijimit të ligjeve për të arritur qëllime të caktuara politike. E tillë është zgjedhja e qeverive të pakicës e cila shpërfill vullnetin e shprehur qartë nga qytetarët. Një skenar që fatkeqësisht është mirënjohur edhe në vendin tonë”, deklaroi Osmani.


Kryeparlamentarja bëri me dije se kryeministri Hoti do të raportojë të enjten për marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë me Serbinë dhe për dialogun në tërësi.

Vjosa Osmani, gjithashtu, konfirmoi synimin për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. “Për momentin, partnerët të vetëm dhe të pakontestueshëm i shoh vetëm te Vetëvendosje”, deklaroi ajo.  Komentet e Osmanit erdhën në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë gjatë një adresimi për qytetarët.




Skip to toolbar