Incidentet që krijoi Sali Berisha në Kuvend, nga zaptimi i vendit tek ikja

Më të fundit


Ditën e sotme, vigjilja e festës së Flamurit, qe menduar për të qenë një ditë feste ku dy Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës të mblidheshin në një vend për të celebruar së bashku mundin dhe përpjekjen disa vjeçare të shqiptarëve për një Shqipëri të pavarur.

Një gjetje që fillesat i ka në vitin 2012 kur asokohe znj Topalli, kryetare e Kuvendit, ideoi pikërisht një mbledhje të përbashkët për 100 vjetorin.


Natyrisht që një politikë më kombëtariste dhe patriote do të mund të kishte ftuar në atë mbledhje edhe shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Preshevë e Bujanovc. Kjo do të qe një kritikë e shëndetshme për organizimin e këtij manifestimi.

Por, ditën që mund të mendosh për të reflektuar mbi çështjen e Shqipërisë dhe shqiptarizmës del papritur një tjetër lajm. Sali Berisha dhe grupi i tij i deputetëve kishin vendosur që të prishnin atë që ata mendonin se ishte festa e Edi Ramës. Tragjike.

Kur Rama qe në opozitë ai ka tentuar shpesh që të prishte ngjarjet kombëtare për t’i dhënë drejtim tjetër, por sa herë që ka tentuar ka dështuar dhe pushteti i Berishës asokohe përfitonte. Fjala vjen kur u ndërtua Rruga e Kombit ishte Edi Rama që e kundërshtonte dhe anatemonte ndërkohë që Berisha e sulmonte si anti-shqiptar.

Rama e mësoi shpejt gabimin dhe reflektoi duke ndryshuar qasje dhe duke ia vështirësuar punën edhe Berishës që mund ta sulmonte lehtësisht.

Sot, Berisha ka zgjedhur të sillet njësoj si Edi Rama që e anatemonte. Ai në fillim kundërshtoi me dhunë dhe zaptoi karrigen duke thyer protokollin e Kuvendit, të njëjtën gjë veproi dhe grupi i tij i dhunshëm parlamentar. Më pas po priste në sallë që deputetët e Kosovës të shkojnë dhe ta takojnë atë dhe njerëzit rreth tij, por ata e bojkotuan dhe injoruan totalisht Sali Berishën dhe grupin e tij. I lënë në harresë dhe i shpërfillur nga të gjithë, Berisha nisi të dëgjonte fjalimet e deputetëve

Duket se në unison të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare kishin vendosur të falënderonin SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar për ndërhyrjen dhe çlirimin e Kosovës. Sa më shumë që kjo dyshe përmendej aq më shumë Berisha zhytej në mendime dhe ulte kokën në ipad të tij si për të tentuar të fshinte atë që po dëgjonte nga goja e deputetëve të Kosovës.

Të lënë në një cep të vogël aty pa pasur ndonjë qëllim të caktuar Sali Berisha dhe njerëzit e tij mbetën të vetmuar ndërsa kërkonin me sy të kapnin ndonjë sinjal nga deputetët e Kosovës. Por edhe kjo rezultoi pa sukses.

Testin e parë të skemës qesharake, për të cilën qenë lajmëruar më herët gjithë gazetarët, grupi i Berishës e provoi me kryetarin e grupit parlamentar të PD z. Alibeaj. Një pjesë prej tyre u ngritën në këmbë dhe ikën në shenjë demonstrative ndërsa Berisha qëndroi i ulur për të parë se si do reagonte salla, kjo e fundit reagoi me ftohtësi të akullt dhe mospërfillje.

Kur kryetarja e kuvendit të Shqipërisë, znj Nikolla, përmendi emrin e Albin Kurtit atëherë Berisha dhe grupi i rikthyer i Foltores ulën kryet e tyre dhe nisën të shihnin me mërzi orën. Jo vetëm që ishin të shpërfillur dhe të injoruar nga deputetët e Kosovës por mbi të gjitha edhe Albin Kurtin që e kishin menduar si një aleat kundër Ramës e kishin tanimë jo në krahun e tyre.

Në të vërtetë Kurti lëvdoi Shqipërinë dhe qeveritë shqiptare, madje thumboi qartazi Edi Ramën për të mos u futur në punët e brendshme të secilit shtet. Por as kjo nuk e kënaqi liderin e Foltores që kishte marrë mesazhin e qartë se ai nuk kishte vend në atë sallë që i dukej më e ftohtë se sa frigoriferi.

Për një kohë të gjatë media pranë familjes së Berishës ka menduar që ta krahasojë Berishën me Albinin (apo anasjellas). Mirëpo ky krahasim çedoi haptazi kur Albini vendosi që t’i përgjigjet pozitivisht SHBA-së dhe të firmosë marrëveshjen e detyruar prej saj, një akt të tillë Berisha nuk do ta ketë mirëpritur mirë.

Ky akt do të demontonte përfundimisht edhe atë gjysme rrenë ku Albin Kurti ishte ai që i thoshte “JO” SHBA për hatër të sovranizmit. Përkundrazi Albini befas u kthye si Lulzim Basha, pra një peng i SHBA sipas doktrinës së Berishës.

E gjithë kjo skenë duhet të kishte nëj thyerje, kështu që ai vendosi që pasi dëgjoi me kokën ulur Albin Kurtin të godiste tavolinën për të ikur ndërsa në Foltore u ngjit Rama.

Dikush mund të thotë se ai u largua sepse Rama është mik me Vuçiç, një tjetër sepse Rama është hajdut, një tjetër sepse Rama është i Soros.

Të gjitha janë alibi qesharake.

Së pari, Ramën po e dëgjonte Albin Kurti që e ka armik Vuçiç më shumë se sa Sali Berisha. Nëse do të ecnim me këtë mentalitet i bie që Kurti mos të ulej kurrë në një tavolinë e Vuçiç se ky është armik, por ja që ndodh e kundërta.

Së dyti, vetë Kurtin e ka dëgjuar Lumir Abdixhiu apo Memli Krasniqi edhe pse këto të dy e akuzojnë Kurtin dhe nuk e besojnë qeverinë e tij.

Së treti, vetë Kurti që Berisha dëgjoi ka një aleancë dhe ka punuar me kompani të lidhura ngushtë me Soros dhe ka mbështetur haptazi Joe Biden.

Megjithëse alibitë qenë të dobëta, e vërteta është se Sali Berisha duhet të dëgjonte të gjithë folësit. Por, ai zgjodhi që të bëjë të kundërtën pasi i mungonte vëmendja dhe pasi e kuptoi që në këtë moment ai është humbësi më i madh.

I shpërfillur nga të gjithë deputetët ai vuri re që ndonëse e zaptoi me dhunë pozicionin e tij aty poshtë sërishmi ai është irrelevant dhe ngjan me një vrimë të zezë politike që të gjithë duan të largohen.

I ndjerë në faj që shumica e deputetëve të Kosovës falenderonte Amerikën, sërishmi ai ndjehej i turpëruar që qëndronte aty si një person i shpallur nongrata nga SHBA.

Prandaj ai zgjodhi që të bënte një foto në grup nga fotografi i ZP-së si për të na treguar se kush janë ende grupi i fundit bolshevik me mendësi leniniste në parlamentin e Shqipërisë. Aq qesharak qe saqë edhe aleatët e tij qëndruan deri në fund për të respektuar jo Ramën dhe Kurtin por mbi të gjitha Shqipërinë.

Mirëpo për Berishën dhe tarafin e tij, Shqipëri do të thotë vetëm familja dhe interesat e tij. Ndaj atdhedashuria dhe sovranizmi i tij është i ndryshëm nga i çdo shqiptari.




Skip to toolbar