Incidenti Borchardt, nga sot Ilir Meta “robi ma i fort n’kët ven!”

#NËRADAR


Mbi 45 minuta thuhet se ka vazhduar diskutimi në OSBE, përpara se delegacioni i lartë të shkonte të takonte Ilir Metën. Kreu i shtetit kreu një akt ende të paprecedentë, së paku zyrtarisht, duke shpallur non grata Brenda “shtetit” të tij të Presidencës, ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt. Argumenti i Presidentit kapërceu dhe aktin simbolik – por duhet thënë dinjitoz – të Bashës, i cili zgjodhi të ishte pak kohë më parë politikisht korrekt, kur priti, por nuk i dha dorën zotit Borchardt, kur ai erdhi si pjesë e një delegacioni po të OSBE, në zyrën e tij në Partinë Demokratike. Them dinjitoze, pasi deri diku, Basha ka të drejtë të mbrojë zërin e protestës dhe të opozicionit në vend, pasi është lideri i opozitës. Njëkohësisht gjesti i Borchardt, është i qortueshëm dhe i gabuar. Ai gjest do ishte i dënueshëm, nëse OSBE do të kishte parë me vend, ndërprerjen e mandatit të tij (një mandat që në fakt kishte mbaruar, por ishte zgjatur me një vit, me kërkesë të tij). Në fakt OSBE u mjaftua me një tërheqje vërejtjeje dhe e la Borchardt në detyrë. Sa kohë që OSBE vendosi kështu, autoritetet shqiptare – ministria e jashtme dhe qeveria – u mjaftuan këtu. Por akti i Ilir Metës, sigurisht i ka vendosur përfaqësuesit e OSBE në siklet, pasi vinte nga kreu i shtetit, që merr në drejtim OSBE, në 1 janar 2020. Mbledhja urgjente 45 minutëshe thuhet ka qenë e tensionuar, por në fund të saj, është vendosur që në takim të shkohet, edhe pa zotin Borchardt, që thuhet pas saj, ka qenë tepër i frustruar. Por ndërsa frustrimi i zotit Borchardt është i kuptueshëm, pasi ai të hënën pasdreke de facto është shkarkuar nga ambasador, mbetet për të kuptuar, përse OSBE e ndërmori këtë veprim? Duket se përgjigja është e thjeshtë: OSBE nuk mund të futet në konflikt me Shqipërinë (se ata ashtu e konsiderojnë me të drejtë Presidentin Ilir Meta), një vend që merr kryesinë e saj pas një muaji e gjysmë, edhe nëse Ilir Meta luan mendsh (dhe këtu padrejtësisht përfshijnë dhe Shqipërinë, edhe zotin Borchardt).

Hera e fundit që një president ka bërë një akt të tillë, daton vitin e largët 1996, kur një prej zyrtarëve më të lartë amerikanë, nuk takoi dot Presidentin e Republikës së asaj kohe Sali Berisha, megjithëse takimi ishte i caktuar kohë më parë. Nga Presidenca erdhi atë kohë reagimi se “presidenti nuk mund ta takonte (zyrtarin), pasi kishte një agjendë të ngjeshur”. Por edhe atëherë, presidenti Berisha pati mirësinë diplomatike të mos nxirrte në shesh hapur luftën me SHBA. Në rastin e Borchardt hapet një precedent i ri, që duhet të merret me seriozitet, pasi me siguri, nuk do jetë akti i fundit i Presidentit aktual ndaj trupit diplomatik në vend.

Pak ditë më parë kreu i shtetit foli për diplomatë të korruptuar që shkelin në zyrën e tij. Hera e fundit zyrtare që kjo ka ndodhur përpara kësaj deklarate, është kur u betua anëtari i tij për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë ceremoni mungoi zoti Borchardt, por ishin ambasadorët e BE, të Francës, të Gjermanisë dhe zëvendës ambasadori i SHBA. Por vetëm pak ditë më vonë, kur u betuan tre anëtarë të tjerë, këta ambasadorë mungonin. Jo se nuk donin të shkonin, por sepse ishin përjashtuar. Shumë kush mund të pyesë përse, por gjatë atyre ditëve, këta diplomatë kishin thënë gjëra, që presidentit tonë, mund të mos i kishin pëlqyer. Kujtojmë se zoti Meta i sugjeroi amerikanëve të shkojnë në Kore të Veriut po të duan dhe të japin mend, kur SHBA foli hapur pro zgjedhjeve në 30 qershor. Por ata u kufizuan me një takim me të në zyrë, ku pasi e falënderuan për këshillën “tunduese”, i thanë se kishin vendosur të rrinin në Shqipëri, ku do të ruanin reformën në drejtësi nga minuesit e saj, me gjasë dhe nga interlokutori i tyre përballë.

Sot Presidenti me të njëjtin argument të 30 qershorit, “dënoi” ambasadorin e OSBE, megjithëse duhet të them se me gjithë tkurrjen e kujtesës, nuk kujtohet që zoti Borchardt personalisht të ketë folur për këtë çështje në vetë të parë. Por edhe sikur, s’do ketë thënë asgjë më shumë (në mos më pak) sesa amerikanët. Atëherë mos vallë duhet të presim të njëjtën sjellje ndëshkuese të Presidentit, edhe me ta? Dhe kjo, ku do e radhiste më pas Shqipërinë?

Të martën Presidenti takon partitë e opozitës sikur të jetë kryetari i tyre. “Për shkak të gjendjes së krijuar” thotë, dhe mesa duket po ja kërkon atyre shpejt “dëmshpërblimin” për dekretin Xhaferllari. Gjendja e krijuar në gjendjen paraplegjike të institucioneve shtetërore, ka sigurisht edhe autorësinë e tij. Por veprimet e suksesshme po i japin Ilir Metës të “drejtë” në radhën e përgjegjësive, të ndëshkimeve të tij. Fillimisht ndëshkoi reformën, pastaj kushtetutën, pastaj maxhorancën dhe tani në fund, i ka ardhur radha edhe Komunitetit Ndërkombëtar. Pikëpyetjet tani ndaj veprimeve të Ilir Metës sa vijnë e shterojnë dhe pakkush tashmë dyshon jo vetëm arsyet, por edhe planin e tij. Por ndërsa prej një viti Presidenti bën ç’të dojë me Dekretet për Ministra, me Kushtetutën, me Gjykatën Kushtetuese, me gjuhën e lëshuar ndaj të gjithëve, përballë maxhorancës të çmeritur nga ‘’llëqet” e tij, por të mpirë nga pamundësia subjektive për t’i qëndruar luftës që ai u ka hapur, është e habitshme sesi komuniteti ndërkombëtar gjithashtu, po i jep të drejtë Presidentit me sjellje të tilla, si ajo me zotin Borchardt.

Do të kishte qenë më e ndershme që OSBE, pas kësaj letre, të  kishte shkarkuar zotin Borchardt – ose edhe ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen – dhe më pas të shkonte në takim te Meta. Në të kundërt, nëse kërkon ta mbajë sërish zotin Borchardt ambasador, duhet së paku të kishte quajtur letrën e Presidentit të papranueshme, dhe maksimalisht, të refuzonte ta takonte atë. Por me përjashtimin e ambasadorit nga ky takim, OSBE bëri një gabim fatal. Në përpjekje për të ruajtur formalisht raportet me Shqipërinë, Presidenten e ardhshme të saj (të OSBE) më shumë në interes të Shqipërisë, ajo iu nënshtrua Presidentit të saj (të Shqipërisë), më shumë për interesa të tij vetë. Nëse mirëkuptohet kujdesi i tyre për Shqipërinë përballë arrogancës së drejtuesve të saj, precedenti që ata hapën është i rrezikshëm. Me fjalë të tjera ata e morën gishtin simbolik të zotit Borchardt dhe i gjetën vend… diku mes tyre. Kjo ishte fitorja e radhës e Ilir Metës, i cili sot zgjedh kë të dojë ministër, kë të dojë anëtar të Gjykatës Kushtetuese, shpall e ç‘shpall zgjedhje kur t’i teket, vendos vetë kush do jetë ambasador i Shqipërisë jashtë dhe tashmë vendos ai, se kush nuk mund të jetë më ambasador i huaj, edhe në Tiranë.

Në fund të fundit, fituesit i duhet njohur merita e fitores, sidomos kur përballë ka të gjithë, përfshirë edhe Arbitrat. Dikush mund të thotë që fituesi është “çmendur” politikisht dhe kjo mund të jetë edhe e vërtetë. Por me incidentin diplomatik “Borchardt”, s’mund të thuhet se ai nuk është sot, njeriu më i fortë në vend. Vetëm me një zëdhënës e një këshilltar juridik, ai është më i fortë se maxhoranca dhe se kryeministri, pasi ministrat i “zgjedh” ai, më i fortë se Opozita, pasi që nesër Opozitën e “drejton” ai. Ilir Meta është sot, më i fortë se Reforma në Drejtësi, se reformën e ka futur në sirtar dhe tashmë sirtarin e ka kyçur me çelës e çelësin e ka hedhur në Lanë. Gjithashtu nga sot ai është më i fortë se Ndërkombëtarët, pasi një gisht të tyre e mori dhe ua futi atyre vetë.

Dikush mund të thotë se kjo është një luftë dhe se lufta nuk humbet, kur humbet një betejë. Dikush mund të thotë se Ilir Meta ka humbur me shqiptarët. Por Ilir Meta po fiton shumë beteja. Dhe vjen një moment kur nuk gjykohen fituesit, por humbësit. Dhe shqiptarët e kanë këtë ves: bëhen shumë shpejt me fituesin. Pavarësisht emrit të tij. /Realstory.al



Skip to toolbar