Jep dorëheqjen drejtoresha e ARRSH Sonila Qato

AKTUALITET


Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shtetëror, Sonila Qato ka dhënë dorëheqjen nga posti për shkak të akuzave për korrupsion të bëra nga kompania “Gjoka Konstruksion”. Qato shkruan se vendimet e marra prej saj janë në përputhje të plotë me ligjet, por gjithsesi asaj i duhet të përballet me akuzat. Për këtë arsye, ajo ka vënë në dijeni edhe kryeministrin Rama, të cilit i ka ofruar dorëheqjen. Qato vlerëson se në krye të ARRSH-së ka punuar me transparencë dhe profesionalizëm.

“Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.


Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).

Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht”, shkruan Qato.

Drejtoresha e ARRSH-së u padit nga kompani “Gjoka Konstruksion”, e cila e akuzon atë për korrupsion. Sipas avokatit të kësaj kompanie “Qato ka shfuqizuar me pa të drejtë vendimin për tenderin e fituar për rrugën Kardhiq-Sarandë”.

“Në bindjen tonë juridike që të mos shpallet fituese një ofertë me 4 mln euro më pak, por të shpallet një tjetër me 4 milion euro më shumë normalisht që vjen era korrupsion. Korrupsionin e ka kryer zonja Qato. Ajo që është më skandalozja është se pas vendimmarrjes së zonjës Qato, ne kemi ankimuar vendimin dhe jemi shpallur fitues. Pavarësisht vendimmarrjes ajo ka shfuqizuar vendimin duke marrë një tagër që nuk i takon”, deklaroi avokati i Gjoka Konstruksion dy ditë më herët.




Skip to toolbar