Klosi: Pavarësisht krizës nga pandemia, këtë vit janë investuar 500- 600 milionë euro në turizëm

AKTUALITET


Ministri për Turizmin dhe Mjedisin, Blendi Klosi në intervistën me gazetarin Sokol Ballë në ‘’Real Story’’ të News24 ka theksuar se edhe pse Shqipëria u godit nga kriza e COVID-19, këtë vit janë investuar 500- 600 milionë euro në turizëm.


Ai theksoi se vetëm në Lungomaren e Vlorës janë 3-4 struktura të reja hoteliere si dhe ka dhe disa projekte të tjera në Shqipëri që janë në fazën e investimeve.

Po ashtu Klosi nuk harroi të kujtojë edhe ligjin për jahtet apo zhvillimin e infrastrukturës për marinat, duke theksuar se nuk janë për oligarkët por janë për të shtuar punësimin nga turizmi.

”Bregdeti, kjo pasuri e madhe kombëtare, nuk mund të jetë vetëm zgjidhje e momentit. Janë politikat që ka ndjekur qeveria e Ramës, dhe politikat lehtësuese për turizmin që kanë sjellë këtë zhvillim.

500- 600 milionë euro investime në turizëm. Vetëm këtu në Lungomare ka 3-4 struktura të reja hoteliere. Ka disa hotele që po zhvillohen me markat nga më të njohurat në botë. Projektet vijojnë se janë në fazën e investimeve. Edhe kjo politikë që po bëjmë, për jahtet dhe marinat do e shndërrojë në ekonomi të re, do sjellë punësim. Pra kjo është ajo që po bëjmë, infrastruktura. Edhe hotelet 4-5 yje e kanë të pamundur të shërbejnë nëse nuk ka infrastrukturë. Turizmi është kuptuar që është e ardhur e jashtëzakonshme. Nuk është vetëm i bregdetit por i gjithë Shqipërisë.”- tha Klosi.