Kosova mund të shkojë sërish drejt zgjedhjeve

AKTUALITET


Kosova është futur në ngërç me partitë politike të paafta për të rënë dakord për një qeveri dhe për një kryeministër të ri. Në një kronikë të posaçme për situatën në Kosovë, Euronews thekson se nëse palët nuk bien dakord për një marrëveshje vendi mund të shkojë sërish drejt zgjedhjeve.

Deputetët u ulën për herë të parë këtë javë që nga zgjedhjet në tetor, por nuk arritën të zhbllokojnë ngërçin.


Partitë fituese nuk kanë arritur ende një marrëveshje dhe pengesë është bërë se ende nuk kanë rënë dakord për kandidatin që do të propozojnë për postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke diskutuar për një mundësi që së bashku të krijojnë një koalicion qeverisës, por ende nuk kanë një marrëveshje. Nëse situata vijon pa arritur një marrëveshje, Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve vitin e ardhshëm.

Zgjedhjet e parakohshme në tetor u mbajtën pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr nga prokurori i krimeve të luftës në Hagë për t’u pyetur për krimet e pretenduara gjatë dhe pas luftës 1998-1999 midis shqiptarëve etnikë nga njëra anë dhe serbëve etnikë dhe qeverisë së Jugosllavisë nga ana tjetër.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008, por Beogradi nuk e njeh atë.

Përderisa nuk ka ende një marrëveshje për një president të ri, presidenti aktual, Hashim Thaçi, ka një mandat deri në vitin 2021.

Edhe pse Haradinaj dha dorëheqjen në korrik të këtij viti, ai zyrtarisht mbetet kryeministri në detyrë i vendit deri sa të bëhet një emërim i përhershëm.




Skip to toolbar