Mot i acartë me temperatura deri në -8 gradë

AKTUALITET


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikon që ditët e fundit të muajit dhjetor dhe ditët e para të 2020 të jenë të acarta dhe temperaturat të vijojnë të ulen deri në -8 gradë celsius në zonat malore.

Vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme dhe të thata me origjinë veriore.


Për shkak të origjinës së tyre veriore, dita e shtunë (sot) do të jetë e ftohtë në temperaturat e mëngjesit të cilat pritet të zbresin nën 0ºC. Në këtë mënyrë në relievet malore temperaturat minimale pritet të arrijnë deri në -5ºC, në ato të ulëta -3ºC ndërsa në ato bregdetare 0ºC. Edhe temperaturat e mesditës pritet të jenë të ftohta me vlera deri në 4ºC në relievet malore ndërsa në zonat e ulëta dhe ato bregdetare nuk do të kalojnë vlerat prej 11ºC.

Moti do të jetë i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat mesatare në relievet malore në lindje të vendit. Tek temperaturat e ulëta ndikim do të ketë gjithashtu edhe era e cila do të fryjë relativisht intensive me shpejtësi mesatare 5-8m/s dhe drejtim nga kuadrati i veriut. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era hera-herës arrijnë shpejtësinë 15-25m/s.

“Për t’u theksuar është se ditët në vijim pritet që temperaturat të vijojnë të zbresin duke bërë që mëngjeset të jenë të acarta dhe mesditat të ftohta me temperatura të cilat në vlerat minimale pritet të arrijnë deri në -8ºC në zonat malore ndërsa ato të mesditës nuk do ti kalojnë vlerat prej 8-10ºC”, njofton Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.




Skip to toolbar