Kosovë, lirohen të akuzuarit në rastin “pronto”

AKTUALITET


Gjykata Themelore në Prishtinë liroi të premten 11 personat e akuzuar për përfshirje në një skandal përgjimesh telefonike, që u bë i njohur si rasti “pronto”, për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve.

Pjesë e këtij rasti ishin ish ministra dhe ish deputetë, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës të cilët sipas prokurorisë, ngarkoheshin për kryerjen e veprës penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.


“Trupi gjykues shpall këtë aktgjykim ndaj të pandehurve Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziri, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazi. Në emër të popullit në kuptim të dispozitave të nenit 364 të paragrafit 1 dhe nënparagrafi 1 pika 3 lirohen nga akuzat për veprat penale për të cilat janë akuzuar sipas aktakuzës së prokurorisë speciale të republikës së Kosovës sepse nuk është provuar që të akuzuarit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohen”, tha gjyqtari Shasivar Hoti, duke lexuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Avokati i ish ministrit Besim Beqaj, Besnik Berisha, tha se gjykimi që filloi si rezultat i një trysnie publike pati një përfundim të merituar.

“Nocioni “Pronto” nuk ka qenë i përdorur nga një nga këta që ishin pjesë e gjykimit, njëkohësisht diskutimet tjera që ishin lidhur me eprorët e asaj kohe qoftë të Kuvendit qoftë të qeverisë, prokuroria nuk ka pas guxim që as si dëshmitar t’i ftoj, se leje mo me provu që t’i akuzoj dhe vet ky fakt e dëshmon që kjo prokurori mund të quhet këtu e dështuar për shumë sikurse raste tjera e kapur ose e ngulfatur, si të doni”, tha avokati Berisha.

Ndaj vendimit të gjykatës reagoi deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e cila tha se aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës “Pronto” është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës. “Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në ç’kapjen e shtetit andaj nuk ka kohë për të humbur sepse është nevojë urgjente krijimi i qeverisë së re”, shkroi ajo.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj kritikoi prokurorinë e Shtetit për siç tha nisjen e këtij procesi me qëllim për të dështuar.

Ngritja e aktakuzës në prill të vitit 2018, pasoi një periudhë të gjatë hetimesh që zunë fill me hapjen e tyre më 26 gusht të vitit 2016 ndaj ish deputetit të Partisë Demokratike, Adem Grabovci.

Hetimet kundër tij atëbotë pasuan publikimin e përgjimeve të bisedave në gazetën në internet “Insajderi”, ku shfaqet ndikimi i ushtruar nga ai dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Përgjimet janë kryer gjatë muajve të fundvitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 në kuadër të hetimeve që kryheshin atëbotë në ish Ministrinë e Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci./VOA/




Skip to toolbar