Krishtlindja zbut opozitën, Basha, Kryemadhi e Meta lënë pas akuzat

AKTUALITET


Krerët e opozitës janë shfaqur të zbutur në qëndrime politike, duke i lënë pas akuzat dhe duke bërë vetëm urimet për festën e Krishtlindjes. Si Basha, ashtu edhe Kryemadhi por edhe Presidenti Meta që përgjatë këtij viti ka qenë shumë i ashpër në akuza drejtuar qeverisë, gjatë ditës së sotme zgjodhën vetëm  të përçojnë urime dhe mesazhe solidariteti dhe shprese.

Kështu kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zgjodhi të urojë besimtarët katolikë për Krishtlindje nga kisha e Shën Mhillit në Laç dhe ajo e Shna Ndout, një vend i shenjtë për çdo shqiptar.


“Unë kam besim tek forca e njerëzve që besojnë në Zot, kam besim se një ditë e shenjtë, siç është dita e Krishtlindjes, ka fuqinë dhe magjinë për të bashkuar shqiptarët për të triumfuar mbi çdo vështirësi, për të triumfuar mbi të keqen. Nëse arrijmë këtë, mund të arrijmë çdo projekt tjetër”- theksoi kreu i opozitës.

Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me anë të një reagimi për mediat u ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë duke thënë pas ditëve të vështira të 26 nëntorit kemi nevojë për më shumë solidaritet.

“Ju uroj juve në radhë të parë që edhe në këtë ditë pushimi jeni në krye të detyrës si gjithmonë, për të shpërndarë ndjesitë e mira, për të shpërndarë urimet e njerëzve, për të shpërndarë ngjyrat e bukura të Krishtlindjes, për të cilat shqiptarët sot në këto ditë të vështira kanë më shumë nevojë. Kanë më shumë nevojë në këto ditë pas tërmetit të 26 nëntorit për ngjyrat e bukura të Krishtlindjes, për shenjat e një jete të mirë që do të lindi”, tha Kryemadhi.

Ndërsa presidenti Meta vizitoi Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkop Anastas Janullatos dhe nga klerikët të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Meta u përcolli urimet më të mira besimtarëve të krishterë duke theksuar se kjo është një ditë solidariteti për t’i kthyer sytë tek njerëzit në nevojë.

“Le të jetë kjo një ditë shprese, një ditë solidariteti, për të reflektuar edhe më shumë, për të kthyer sytë dhe për të shtrirë dorën ndaj atyre që kanë nevojë për më shumë ndihmë, mbështetje dhe përfshirje në shoqërinë tonë, që kanë nevojë për më shumë ngrohtësi dhe dashuri, në mënyrë që të kemi një Shqipëri më të qëndrueshme, më njerëzore, më dinjitoze dhe më të begatë!”, tha Meta.




Skip to toolbar