Le Monde: Diplomacia europiane në kurthin e Moskës

BOTA


Pala ruse njoftoi të premten, në mes të vizitës së Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme, dëbimin e tre diplomatëve – një gjerman, një polak dhe një suedez. 

Shpresat e vakëta që vinin nga vizita në Moskë e përfaqësuesit të lartë europian, nga 4 në 6 shkurt, morën një dush të ftohtë në formën më brutale të premten. 

Pala ruse zgjodhi pikërisht këtë ditë për të njoftuar dëbimin e tre diplomatëve, duke i dhënë kësaj manovre pamjen e një kurthi. Ajo madje la z. Borrel të mbante një konferencë për shtyp në krah të ministrit rus të punëve të jashtme, Sergei Lavrov, pa e informuar për këtë vendim, i cili u njoftua pak më pas në shtyp. 

Dëbimi i këtyre diplomatëve, një gjerman, një ploak dhe një suedez, u vendos për shkak të pjesmarrjes së tyre në manifestime ilegale, do të sqaronte diplomacia ruse, e cila i gjykonte këto fakte të papranueshme dhe të papajtueshme me statusin e diplomatit. Të tre diplomatët duhet të kenë marrë pjesë në manifestimet pro opozitarit Alexei Navalny më 23 janar në Moskë apo Shën Petersburg. Asgjë nuk u tha për mënyrën se si ata ishin identifikuar në manifestime. 

Një dëbim i pajustifikuar

Të tre kryeqytetet në fjalë, të mbështetura edhe nga vende të tjera europiane, i denoncuan menjëherë dëbimet. Kancelaria Merkel, e cila po mbante një konferencë për shtyp të përbashkët me presidentin Macron, kritikoi fort këtë dëbim fare të pajustifikuar, i cili tregon sipas saj, se çfarë ndodh në Rusi aktualisht ka pak lidhje me shtetin e së drejtës. Presidenti francez u shpreh totalisht në një linjë me pozicionin e kancelares. 

Berlini dhe Stokholmi kujtojnë se konventa e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike autorizon për diplomatët marrjen e informacionit me mënyra legale mbi evoluimin e situatës në terren. 

Në Bruksel, burime diplomatike vlerësojnë se ky episod, i cili vjen pas burgosjes së Alexei Navalny-t dhe represionit mbi kontestimin e këtij akti, ngre pyetjen e sanksioneve të reja. Kjo hipotezë nuk është ngritur ende zyrtarisht, por masa të tilla të marra pas helmimit të opozitarit rus, do t’u shtoheshin atyre aktuale ndaj zyrtarëve të lartë të Kremlinit. Moska replikoi ndaj masave të para duke sanksionuar zyrtarë francezë, gjermanë e suedezë, si për të kujtuar më mirë zhvlerësimin në sytë e saj të institucioneve europiane.

Gjatë një takimi me gazetarët, z. Borrell e kualifikoi këtë dëbim shqetësues dhe kërkoi që ky vendim të rikonsiderohet nga Moska. Sipas rrethit t tij, z. Lavrov i kishte shpjeguar z. Borrell se ky vendim do të ishte dashur të njoftohej jo më parë se e hëna. Por ambasadorët e tre vendeve ishin thirrur që të premten. Megjithatë, më vonë z. Borrell e mbrojti idenë e nevojës së vazhdimit të dialogut me Moskën. Burime diplomatike në Bruksel kujtojnë se disa shtete e kishin kundërshtuar idenë e kësak vizite të Borrell në Moskë. 

Numër ekuilibri

Që në fillim, vizita e Borrell i ngjante një numri ekuilibri. Spanjolli nuk u përpoq të fshihte gjendjen e keqe të marrëdhënieve mes Brukselit dhe Moskës. Këto marrëdhënie janë në pikën më të ulët do të thoshte ai gjatë konferencës së përbashkët me ministrin Lavrov. Ndërkohë që Lavrov do të vinte në dukje një mungesë normaliteti dhe mosbesim mes palëve.

Të dy zyrtarët megjithatë u kujdesën të listojnë çështjet ku bashkëpunimi mes rusëve dhe europianëve është ende i mundur, si çështja e klimës dhe krizat e Lindjes së Mesme. Por këto ‘’numra’’ dukeshin më shumë si një urim i vakët, ndërkohë që dominojnë çështjet e krizave dhe diferencave me në krye çështjen Navalny. 

Moska rrefuzoi kërkesën e z. Borrell për të takuar opozitarin Navalny (ai megjithatë takoi përfaqësues të shoqërisë civile dhe një anëtar i kabinetit të tij takoi një prej avokatëve të opozitarit). Diplomacia ruse iu shfaqi përfaqësuesve të BE-së të martën një video të gjatë që tregonte dhunën policore përgjatë manifestimeve në Europë dhe SHBA. 

Sergei Lavrov nuk ndalet së përmenduri aplikimin e dy standardeve nga europianët, ndërkohë që z. Borrell i kujtonte Rusisë angazhimet e saj në kuadër të Këshillit të Europës. Disa ditë më parë ministri rus kishte evokuar edhe njëherë helmimin e Navalny-t si një inskenim europian. 

Proces i ri kundër Navalny-t

Rasti Navalny përbën një linjë të kuqe për Moskën, e cila ka vendosur ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë të fortë dhe nuk ka ndërmend të japë llogari. Vizita e Borrell koinçidoi me dënime të reja me burg të disa manifestuesve paqësorë. Kjo vizitë ndodhi në të njëjtën ditë kur u hap procesi i ri kundër Alexei Navalny-t, i cili ishte dënuar tashmë me 3.5 vite burg për dhunim të kontrollit gjyqësor gjatë kavaleshencës së tij në Gjermani.

Opozitari rrezikon dy vite burg shtesë për fyerjen e një veterani të Luftës së Dytë Botërore. Ky i fundit shfaqej në një video të kanalit RT duke mbështetur modifikimin e kushtetutës, çka do i lejonte presidentit Putin të rrinte në pushtet përtej vitit 2024. Navalny i kishte konsideruar këta si ‘’njerëz pa koshiencë dhe tradhëtarë’’. 

Një fushatë mediatike intensive nisi ‘’në mbështetje’’ të veteranit Ignat Artemenko, i prezantuar si shënjestra e vetme e fjalëve të Navalny-t. Më 9 qershor nipi i tij afirmonte se i moshuari ishte sëmurur për shkak të fjalëve të Navalny-t. Një javë më pas një hetim nisi kundër Navalny-t për fyerje.  

Në proces, Alexei Navalny tha se ndihej i neveritur të shihte të moshuarin të përdorej si një marionetë kundër tij. Ai denancoi gjithashtu prezencën e një gjykatësi në krah të të moshuarit, i dërguar sipas gjykatës për ta ndihmuar atë të kuptonte procedurën. I moshuari afirmoi të ishte fyer nga fjalët e Navalny-t. Pastaj ai deklaroi se nuk ndihej mirë dhe një ambulancë erdhi ta merrte.  

Opozita, e gjendur në vështirësi pas tre manifestimeve ku ra pre e dhunës policore, nuk ka parashikuar manifestim përgjatë fundjavës. Sipas një të afërmi të Navalny-t që gjendet aktualisht në ekzil, manifestimet mund të rinisin në pranverë. / Përktheu: Albi Xhunga



Skip to toolbar