Lela: Hapja e PD fillon nga ‘mbyllja e këmbëve’

Më të fundit


Nga Alfred Lela

Emri i Genc Rulit u përmend, me drojë dhe gëzim njëherësh, si të ishte kanali i Panamasë, që duke u çarë në mes istmit do t’ua shkurtonte rrugën transoqeanikëve të tregjeve botërore dhe rrugëve të pafundme ujore. Bashkë me të, media e etur për lajme, tashmë që informacioni është infotainment dhe aty futet, bashkë me konservatorizmin e racës edhe K. Gjuzi, artikuloi fjalën e mrekullishme hapje.


Hapje, hapje, hapje, jehoi anembanë kori i komedisë, që është shqiptare, por ngatërrohet për greke, si të ishte duke jetuar në një status Facebook-u të Sgarbit italian. E kujt nuk i intereson hapja, mor ta marrsha?

Por, hapja nuk vjen. Jo se është e pamundur, mitin e pamundësisë e pat thyer më konservatori ndër liberalët dhe më liberali ndër konservatorët e politikës së tranzicionit, Sali Berisha, kur ua hapi dyer të gjithëve, të rrahurve dhe të ikurve, të pezmatuarve dhe të linçuarve, tradhtarëve dhe të tradhtuarve. Të gjithë u kthyen dhe, nga dru arre që voziste në ujrat politike të paadresa, u bënë mobilje të rënda mahogani në zyrat e pushtetit demokrat.

Basha, ndryshe nga Berisha, nuk mendon për hapjen, sepse nuk don ta ndajë PD me askënd tjetër, duke besuar se mjafton ndarja vetëm me Doktorin. Ky i fundit, duke e njohur pushtetin dhe opozitën, e ka kuptuar ndërkohë se, nëse pritet gjatë për ndarjen mund të mos mbetet më asgjë për të ndarë. Veç kujtimeve, të cilat ai ka thënë se nuk do t’i shkruajë asnjëherë. Që do të thotë të mos e dijmë kurrë se çfarë mendon ai aktualisht për Lulin. Megjithatë, në finale, do ta shohim ‘të hapur’ kokën e Doktorit mbi tryezën e provës që ka z. Basha. Në shtator të këtij vitit ose pranverën e tjetrit.

Atëherë nuk do kemi nevojë për kujtime, ngaqë do na mjaftojë gëzimi ose dhimbja e një rezultati.

Në mos qoftë hapja një ilaç of Doctor’s approval, them se mbyllja duhet të jetë. Basha, ose duhet të lejojë një hapje zemre, të madhe, të gjerë, të njëmendtë, mallëngjyese, politike, shoqërore dhe kulturore, ose duhet ‘të mbyllë këmbët’. Një parti, si një grua, gjykohet për këmbët e hapura pak si shumë, vend e pa vend, herë e kurdoherë (falmani ‘mizogjeninë’, o zonjëza të OJF-ve!). Kjo ‘hapje këmbësh’ e PD lidhet drejtpërdrejt me shefin e saj të ri. Kundërshtarët ia përsërisin si diversion dhe ne kemi detyrë t’i zbresim, nga çdo llogari, pretendimet e kundërshtarëve; kritikët e larguar (apo të përzënë) ia thonë me vikamë nga jashtë shtëpisë së dikurshme, por edhe ata duhet t’i marrim me rezerva, sepse, nuk ka si zemrat e lënduara politike; por, ka edhe zëra nga brenda shtëpisë, në heshtje, nën zë, jo publikisht, që e pranojnë zemërlëshuar se lidershipi i PD, retorikën anti-oligarki e ka lojë. Të japin shembuj, por renditja e tyre nuk i shton gjë thelbit, vetëm sa e bën të gjithën të duket si gossip për infotainment fundjave.

Thelbi, jo rrallë, më shumë se te faktet gjendet te perceptimi. Meqë e nisëm me z. Ruli, pse të mos përdorim një parabolë të tij të para tre viteve, huazuar nga jeta e Krishtit, i cili i përzuri tregtarët dhe fajdexhinjtë nga tempulli, duke i akuzuar se e kishin kthyer në ‘strehë hajdutësh’.

PD, edhe nëse nuk hapet, duhet të vetëpastrohet. Edhe nëse perceptimi nuk është asgjë më shumë se një krijim diabolik i makinerisë propagandistike të Ramës, Basha dhe PD duhet të rrahin shtigjet e së mundurës dhe pamundurës për ta përmbysur këtë mit të rrejshëm. Në vend të hapjes dhe pastrimit (cleansing of the temple), partia dhe lidershipi nuk duhet të zgjedhin imitimin e të shkretave dëshmitare të Jehovait në Kombinat, lyerjen me vaj e uthull të korpit në pritje të ringjalljes.

Të çelen arkapijat! Në mos, të mbyllen këmbët!




Skip to toolbar