Deputeti socialist, Xhemal Qefalia është shfaqur të shtunën në një takim elektoral në Bërzhitë në krah të kryebashkiakut Veliaj, ku gjatë fjalës së tij sulmoi hapur presidentin Meta.
Qefalia tha se me veprimet e tij, Presidenti po tregon se i ka hyrë frika në palcë por PS është e vendosur në shkarkimin e tij.
“Kush janë ata që u ka hyrë frika në palcë? Është Likja. Likja, i cili vajti tek zyra e presidentit me idenë presidentin e të gjithëve. E keni parë, e keni ndjerë. E kemi ndjerë unë më shumë dhe Blerina në Parlament për ligjet që kthente pafund, për dekretet që nuk i miratonte, për ministra që nuk i miratonte, sepse donte t’u pyeste ai. Por për çfarë?
Krraba e di shumë mirë çfarë ka ndodhur. Për çfarë mund ta bënte?
Një herë thotë tani se pse dolën deputetët dhe i çon fjalë KQZ numëroji çik sa deputetë janë sepse i interesonte që deputetët e atyre të dalin në rrugë të paudhëve. Tashmë thotë cila është procedura sepse ka mundësi që ky Parlament të më shkarkojë. Po do shkarkohesh po dole përballe dhe po je përballë rrugës që po ndjek PS, normalisht që do shkërmoqësh”, është shprehur Qefalia i cili kishte dhe një mesazh për Bashën.
Ai tha se të gjithë ata njerëz që në protestën e së premtes thërrisnin Rama ik, së shpejti do të thërrasin Basha ik.
“Luli tashmë ato njerëzit që mbrëmë e kthyen në një funeral mblidhen dhe do thonë jo Rama ik, por Luli ik. Ik për të zhbllokuar PD, largohu sa më parë për ti hapur rrugë njerëzve me vizion dhe me arsye”, tha Qefalia.
Pavarësisht qëndrimit të opozitës dhe të presidentit PS vazhdon fushatën zgjedhore dhe është e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet më 30 qershor.