Lobimi në SHBA, analiza në Real Story: Ndryshimi mes Ramës dhe Bashës

POLITIKË


Lobimi në SHBA nga Rama dhe Basha ka qenë tema e diskutuar në emisionin Real Story të Sokol Ballës në News24, ku analistët shprehen se ato nuk janë të së njëjtës natyrë dhe se çështja e Bashës mund të cilësohet edhe më e rëndë, pasi kreu i opozitës po hetohet edhe në Shqipëri për pastrim parash.

Deklarata e avokatit të amerikanit 61-vjeçar William Argero, i cili pranoi se klienti i tij ka kontribuuar në mënyrë të paligjshme me 80 mijë dollarë për llogari të një politikani të huaj në fushatën presidenciale amerikane të vitit 2012, dhe që “klienti i tij po vepronte për llogari të Edi Ramës” ka hapur një debat të fortë për lobimin e politikanëve shqiptarë në SHBA.


Duke marrë shkas nga kjo, analisti Agron Gjekmarkaj në krahasimin mes dy liderëve politikë, pozitën e Ramës e shikon më të rëndë. “Kryeministri në kontekstin moral, është në vështirësi. Ndërsa në aspektin juridik, mbetet për t’u parë. Unë mendoj se Arta Marku ka treguar se është e varur politikisht. Kam dyshimet e mia te kjo Prokurori, e cila dosjet më të nxehta i çon nga Tirana në Dibër. Kjo që ndodh në Amerikë është një gjykim i vërtetë, është dënim i vërtetë. Së paku në SHBA nuk di që të ketë procedim ndaj Lulzim Bashës. Mirëpo, në Amerika ka një gjyq për një person që ka ndihmuar Ramën për të bërë foto me Obamën. Moralisht Rama është në gjendje kritike”, tha Gjekmarkaj.

Kurse gazetari Frrok Çupi shkon edhe më tej, duke vënë në dukje se lobim në SHBA nuk bëjnë vetëm politikanët shqiptarë, megjithëse sipas tij, çështja e Bashës është më komplekse. Si Rama dhe Basha, por jo vetëm këta të dy, keqpërdorin Kushtetutën e Amerikës dhe rregullat e lobimit. Në Shqipëri, Basha është i akuzuar për pastrim parash, sepse nuk ka treguar shumat e vërteta dhe nga kanë ardhur. Në fillim ka thënë ‘i kam marrë nga shqiptarë amerikanë’, pastaj doli se nuk ishin shuma 25 mijë por edhe 675 mijë të tjera, gjëra që rëndojnë shumë pozitën e kryetarit të Partisë Demokratike”, deklaroi Çupi. E përbashkëta mes Ramës dhe Bashës, sipas Çupit, është fakti se që të dy keqpërdorin Kushtetutën e Amerikës dhe parimin e lobimit. Ndërsa për dallimet mes tyre, analisti theksoi se fondet e përdorura nga Rama nuk janë deklaruar në Departamentin Amerikan, ndryshe nga çka ndodhur me Bashën. “Basha ka financuar Presidentin e SHBA, që do të thotë ka përzier në një çështje të pistë financimesh vetë kreun e shtetit të Amerikës. Fondet e përdorura nga Rama nuk janë deklaruar në DASH, por fondet e Bashës janë deklaruar. Ndërsa Rama ka këtë çështjen e fotos, Basha është i akuzuar në Shqipëri për pastrim parash, pasi nuk ka dëshmuar asnjëherë shumat e vërteta dhe nga kanë ardhur. Sipas ligjit, rëndohet më shumë pozita e Bashës”, tha Frrok Çupi.

Ndërsa Edvin Kulluri, një kritik i ashpër si për Bashën, ashtu edhe për Ramën shprehet se duhet sqaruar se nuk ka ende një gjykim në themel të çështjes. “Nuk dihet nëse hetimet do të bëhen në Amerikë apo në Shqipëri, për sa kohë që janë shtetas shqiptarë. Kemi çështje serioze të implikimit të dy liderëve, Ramës dhe Bashës. Jemi 7 vjet më pas dhe drejtësia amerikane ka pasur kohë. Unë besoj se Edi Rama është në pozicion të vështirë, besoj do ketë problem ligjor me këtë financim, që dyshohet i paligjshëm. Një person ka përmendur z. Rama në gjyq. Kemi dy liderë që bëjnë këto punë, të cilët sulmojnë njëri-tjetrin politikisht. Nëse Rama falsifikon dhe paguan 80 mijë USD për të bërë një foto me Obamën dhe fiton zgjedhjet, kundërshtari i tij shpenzon 950 mijë USD dhe del më keq në zgjedhje se 4 vite më parë”, tha Kulluri.

Po ashtu, në të njëjtën linjë ishte edhe Minxhozi, sipas të cilit, problemi i Bashës, ndryshe nga Rama është se ai ka rënë në det me këmbët e tij për çështjen e financimit. “Edi Rama nuk e nxori foton në rrjetet sociale, kurse Basha bëri me jehonë. Besoj se Basha ka rënë në det me këmbët e veta për financimin. Këtu nuk ka asnjë transparencë për paratë e partive. Këtu gropat skeptike të vërteta janë fushata elektorale. Nëse Rama ka lobuar për foto me Obamën gjatë fushatës, Basha ka lobuar për Presidentin Trump, pikërisht në kohën kur kritikat ishin shumë të mëdha”, u shpreh Minxhozi. Gjithsesi, analisti shtoi se dalja në publik me personin më të rëndësishëm në botë, është një tundim që nuk i shpëtojnë dot jo vetëm politikanët shqiptarë, por edhe të tjerë.




Skip to toolbar