Aleatët e koalicionit opozitar vijojnë të bëjnë presion për arritjen e një marrëveshje mes Bashës dhe Ramës për t’i dhënë zgjidhje krizës politike në vend. Por duket se deklarata e fundit e kreut të PAA-së, Agron Duka, është e dakordësuar me kreun e opozitës duke u nisur dhe nga sinjalet e fundit për zbutje të përplasjes mes dy kampeve.
Në një studio televizive Agron Duka është shprehur se duhet që Basha dhe Rama të arrijnë një marrëveshje dhe të nisin dialogun për reformën zgjedhore.
“Ne jetojmë në një situatë absurdi. Nuk kemi gjykatë kushtetuese. Ne kemi 61 bashki që drejtohen nga socialistët. Kemi një rast të vërtetuar dhe disa tjera që po ndiqen ku mund të bëhen zgjedhje prapë. Duhet patjetër të ketë marrëveshje politike. Ne kemi qenë për 13 tetorin por duke parë që nuk ka asnjë lloj vullneti jemi në këtë situatë. Ne i kërkojmë Bashës Reformën zgjedhore dhe sistemin zgjedhor”, – është shprehur Duka. Një qëndrim ky që mendohet se është diskutuar në tryezën e partive të koalicionit opozitar. Me siguri që edhe Basha përtej retorikës publike është në pritje të një zgjidhje nga Rama për të shpëtuar edhe veten nga të tijët.