Mbyllja e hetimeve për “CEZ”, Balla: Dosjen e çojmë në SPAK, Berisha i akuzuari kryesor

#NËRADAR


Pasi Gjykata e Tiranës, me firmën e gjyqtarit Lazër Sallaku, pushoi hetimet për dosjen “CEZ”, reagoi deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla. Ish-kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar të kësaj çështje nuk shprehet i habitur nga vendimi i gjyqtarit. Balla thotë se “i njëjti gjyqtar “KÇK”, që rrëzoi akuzat për Lulzim Bashën, mbylli hetimet në kundërshtim me ligjin për dosjen “CEZ- 418 milionë euro” ku i akuzuari kryesor është Sali Berisha”, shprehet Balla. Megjithatë, deputeti socialist thotë se dojsa do të ankimohet menjëherë në SPAK, ku do të bashkëngjiten dhe rezultatet e Komisionit Hetimor Paralamentar të vitit 2017.

“Siç kishim paralajmëruar, i njëjti gjyqtar “KÇK” i cili në mënyrë skandaloze rrëzoi akuzat për Lulzim Bashën “675 mijë dollarë”, sot mori një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin në lidhje me dosjen “CEZ-418 milionë Euro”, ku i akuzuari kryesor është Sali Berisha në bashkëpunim me persona të tjerë. Ky vendim i paligjshëm do të ankimohet menjëherë dhe paralelisht gjetjet e Komisionit Hetimor do t’i dërgohen javën e ardhshme Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Kjo është një ndër dosjet më të rënda të korrupsionit në Shqipëri dhe se çdo përpjekje për mbylljen e saj, bie ndesh me pritshmëritë e shqiptarëve dhe të partnerëve të Shqipërisë për hetimin e dinosaurëve të korrupsionit”, shprehet Taulant Balla.


Më tej, duke renditur akuzat e ngritura për këtë dosje, Balla sqaron se në datën 19 dhjetor Gjykata e Posaçme nisi punën, duke u shprehur se ky organ është i vetmi që ka kompetencën për të gjykuar funksionarët e lartë apo veprat penale për të cilën është depozituar kallëzimin penal. Ndaj, Balla e cilëson të paligjshëm vendimin e Gjykatës së Tiranës dhe gjyqtarit Lazër Sallaku, që sipas deputetit socialist “duhet të shpallte menjëherë moskompetencë”.

“Më datë 19.12.2019, ka filluar funksionimin Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka kompetencën për të gjykuar funksionarët e lartë apo veprat penale për të cilën është depozituar kallëzimi penal nga Kuvendi. Në këto rrethana i kërkuam gjyqtarit Lazër Sallaku të shpallte menjëherë moskompetencën të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kalimin e kësaj çështje në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por sot ky gjyqtar në një vendim hapatazi në kundërshtim me ligjin vendosi shqyrtimin e një çështje jashtë kompetencës së tij lëndore. Gjithashtu dua të sqaroj opinionin publik se edhe vendimi i Prokurorisë së Tiranës për përfundimin pa hetim të plotë të kësaj dosje dhe nxitimi për mbylljen e saj ngre dyshime të mëdha”, thotë Taulant Balla.

Në fund, pasi bën një përshkrim të të gjithë hetimit, Taulant Balla tregon edhe kallëzimin penal që bëri Kuvendi për 12 personat përgjegjës për këtë dosje. Sipas tij, ish-Kryeministri Sali Berisha, djali i tij, Shkëlzeni, ish-ministrat Ruli e Bode si dhe shumë zyrtarë të lartë të qeverisjes së demokratëve, duhet të ishin të pandehur për disa vepra penale që lidhen me aferën e dosjes “CEZ”.




Skip to toolbar