Minxhozi: Për kufinjtë dhe “drekën” e Tiranës

AKTUALITET


Nga Skwnder Minxhozi

Replikë/ Një koleg gazetar nga Kosova, duke rimarrë titullin e shkrimit tim të para dy ditëve “Kunjtë i ndryshojmë me Vuçiçin, por drekë me të në Tiranë nuk hamë”, pretendonte se unë kisha “pëlqyer të fshihja” faktin se Tirana zyrtare është përzier edhe vetë në procesin e korigjimit kufitar mes Kosovës e Serbisë. Për hir të korrektesës dhe në respekt të kolegut, dëshëroj t’i kujtoj atij fillimisht se autori i këtyre rreshtave ka qenë kritik në rrugë publike, mëse një herë, për projektin e rrezikshëm dhe aventuresk të ndryshimit të kufinjve mes Kosovës e Serbisë.

Ka shkruar dhe ka folur sa herë ka qenë puna për të kritikuar këtë nismë me pasoja të paparashikueshme, jo vetëm për shqiptarët. Kjo në lidhje me pozicionin tim personal sa i takon korigjimit kufitar. Më tej dëshëroj t’i kujtoj miqësisht kolegut në fjalë se kur është fjala për takimin e Tiranës, Mini-Shengenin ballkanik, apo edhe rolin e palës shqiptare në korigjimin kutar, duhen thënë edhe dy-tre aspekte të tjera, që ndoshta kolegu në fjalë ka harruar t’i përmendë.

Së pari, në lidhje me faktin se Tirana “nuk është e painvolvuar në këtë hallakamë”, dëshëroj t’i kujtoj kolegut e të tjerëve se pozita e qeverisë shqiptare në planet e presidentit Thaçi për korigjimin kutar me Serbinë, nuk mund të përshkruhet me një frazë të vetme. Qeveria shqiptare nuk ka qenë e nuk pritet të jetë palë në bisedimet e ardhshme mes Prishtinës e Beogradit, kurdo që ato do të mbahen. Ajo nuk është e nuk ka si të jetë në pozitën e palës kosovare, që do të negociojë në vetë të parë dhe me mandat të plotë me palën serbe.

Si e tillë, qeveria shqiptare, cilado forcë politike që do të jetë në krye të saj, do të kenë vetëm një rol tangent në këtë proces delikat, e kjo është diçka e këshillueshme dhe mëse normale. Kosova e sotme pasqyron dyzimin, sa i takon qëndrimit ndaj Serbisë, mes Presidentit Thaçi në një anë dhe pjesës tjetër të klasës politike. Ky dyzim, i përforcuar nga zgjedhjet e tetorit dhe rezultati i tyre, po e çon sot shtetin kosovar drejt një qasjeje më “sanitare” (kupto më konservatore) ndaj Beogradit, në pritje të sqarimit të situatës post-elektorale.

E kjo duhet thënë hapur, e jo të fshihemi duke sulmuar “prosllavin Edi Rama”! Sa për rastin e përfshirjes së përfolur të Edi Ramës në këtë mesele, është e vërtetë se ai e ka përkrahur ndërrimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë, si një mënyrë të shpejtë për të hequr qafe perden e hekurt mes dy vendeve. Një vizion ky i gabuar dhe i pavend. Megjithatë Rama i ka shmangur deklarimet publike “pro” këtij projekti. Nga ana tjetër, duhet kujtuar se qeveria shqiptare ka pasur më së paku dy qëndrime, kur flitet për korrigjimin kufitar. Të gjithë e kujtojmë mirë pozicionin kritik të ministrit të jashtëm shqiptar të asaj kohe Ditmir Bushati, i cili publikisht e godiste pa kurrfarë dorashkash këtë projekt.

E kjo i leverdiste edhe Ramës për një farë kohe, pasi i shërbente si diversiv në sytë e të tretëve. Së dyti, qëndrimi i dyzuar i shtetit shqiptar ndaj korrigjimit kutar, nuk shërben kushedi çfarë për të justikuar pozicionin aktual të politikës kosovare ndaj proceseve bashkëpunuese në rajon. Refuzimi i Prishtinës ndaj ftesës për samitin e Tiranës, duket më shumë si një pasqyrim i sherreve të brendshme politike në Prishtinë, sesa si një akt parimor që kërkon ta ruajë Kosovën nga kushedi çfarë komplotesh të fshehta.

Kolegu e di fort mirë se këto lloj formatesh kanë shumë më pak peshë dhe produkt, sesa furtuna e patriotizmit tribal që u prodhua pas këtij takimi. Për pasojë edhe pjesëmarrja në to, ka vlerë më shumë simbolike e teatrale. Së treti, vlen të thuhet hapur e pa u fshehur se sot Kosova ka nevoje të integrohet ndërkombëtarisht, jo të dezertojë duke u mbyllur në guackën e vet. Është koha që të luftohet siç ndodhi në rastin e Samitit të SEECP në Bosnje disa muaj më parë, për pjesëmarrjen e palës kosovare në atë format. Pse në Bosnje ja vlente të shkohej, e në Tiranë jo?!

Të gjitha sinjalet diplomatike tregojnë se Shengeni ballkanik është një iniciativë e frymëzuar nga europianët e amerikanët, më shumë se nga kalkulimet e errëta proserbe, për një dominim në Ballkan. Së fundi, është gjithashtu me vend të thuhet fort e jo të fshihet, se sot Serbia është mjaft e kënaqur të mos e shohë askund amurin kosovar në ndonjë format ndërkombëtar. Dhe arsyeja është fare e thjeshtë: sa herë që Kosova nuk është aty, Beogradi shpejton të deklarojë “Kosovën ka kush e përfaqëson, jemi ne”! A është me vend t’i lihet Vuçiçit e Daçiçit kjo kënaqësi dhe ky avantazh?



Skip to toolbar