Janë luajtur ndeshjet kryesore të javës së pestë të Premier League. Pas fitores së Liverpool, Manchester United ka mundur në shtëpi Leicester me gol të shënuar nga Rashford në minutën e 8-të nga pika e bardhë e penalltisë. Një ndeshje e vuajtur për trajnerin e United, Solskjaer, i cili kishte disa mungesa të rëndësishme për këtë takim, por megjithatë, arriti të merrte tre pikë që e ngjisin në vendin e 4 të renditjes me 8 pikë, po aq sa Leicester që mban vendin e 5-të.
Ndërkohë, Tottenham ka shkatërruar Crystal Palace me rezultatin 4-0 në shtëpi. “Spurs”, e nisën shumë mirë takimin, duke shënuar katër gola në pjesën e parë. Ishte koreani Son Heung-Min, ai që shënoi golin e parë për Tottenham në minutën e 10-të sfidës. Në të 21`, Van Anholt bëri një autogol, ndërsa dy minuta më vonë përsëri koreani Son, realizoi golin e tretë për Tottenham. Lamela në minutën e 42`, gjeti golin e katërt duke vulosur shifrat me 4-0 për Tottenham, që mban vendin e tretë në renditje me 8 pikë.
Chelsea është rikthyer te fitorja pas nisjes jo të mirë që i bëri kampionatit. Blutë e Londrës fituan në transfertë ndaj Wolves, me rezultatin 5-2. Tomori në të 31` shënoi golin e parë, ndërsa Abraham në të 34` dhe 41`, trefishoi për Chelsea. Në minutën e55, Abraham shënoi përsëri duke katërfishuar shifrat, por në të 69`, sulmuesi i Chelsea bëri një autogol, duke ngushtuar shifrat në 1-4. Vendasit marrin “zemër” nga goli dhe në të 85` shënojnë përsëri, këtë herë me Cutronen. Por në fundin e minutës së 6-të shtesë, Mount shënoi golin e pestë për Chelsea, duke i dhënë tre pikë të rëndësishme skuadrës, që ngjitet në vendin e 6-të me 8 pikë.
Befasia e javës së 5-të në Premier League, ka qenë humbja e Manchester Cityt në fushën e Norwich. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola u mund me rezultatin 3-2 nga vendasit, të cilët shënuan dy herë në pjesën e parë me McLean dhe Cantwell, përkatësisht në minutën e 18 dhe 28. Aguero në fund të pjesës së parë ngushtoi shifrat, por në minutën e 50-të, Pukki trefishoi për Norwich. Ndërkhë, Manchester City shënoi golin e dytë në minutën e 88`, por nuk arriti të shmangte humbjen 3-2, që e mban tashmë 5 pikë larg Liverpool në renditjen e Premier League.