Norwich ndal Cityn, fitojnë United, Tottenham dhe Chelsea

SPORT


Janë luajtur ndeshjet kryesore të javës së pestë të Premier League. Pas fitores së Liverpool, Manchester United ka mundur në shtëpi Leicester me gol të shënuar nga Rashford në minutën e 8-të nga pika e bardhë e penalltisë. Një ndeshje e vuajtur për trajnerin e United, Solskjaer, i cili kishte disa mungesa të rëndësishme për këtë takim, por megjithatë, arriti të merrte tre pikë që e ngjisin në vendin e 4 të renditjes me 8 pikë, po aq sa Leicester që mban vendin e 5-të.

Ndërkohë, Tottenham ka shkatërruar Crystal Palace me rezultatin 4-0 në shtëpi. “Spurs”, e nisën shumë mirë takimin, duke shënuar katër gola në pjesën e parë. Ishte koreani Son Heung-Min, ai që shënoi golin e parë për Tottenham në minutën e 10-të sfidës. Në të 21`, Van Anholt bëri një autogol, ndërsa dy minuta më vonë përsëri koreani Son, realizoi golin e tretë për Tottenham. Lamela në minutën e 42`, gjeti golin e katërt duke vulosur shifrat me 4-0 për Tottenham, që mban vendin e tretë në renditje me 8 pikë.


Chelsea është rikthyer te fitorja pas nisjes jo të mirë që i bëri kampionatit. Blutë e Londrës fituan në transfertë ndaj Wolves, me rezultatin 5-2. Tomori në të 31` shënoi golin e parë, ndërsa Abraham në të 34` dhe 41`, trefishoi për Chelsea. Në minutën  e55, Abraham shënoi përsëri duke katërfishuar shifrat, por në të 69`, sulmuesi i Chelsea bëri një autogol, duke ngushtuar shifrat në 1-4. Vendasit marrin “zemër” nga goli dhe në të 85` shënojnë përsëri, këtë herë me Cutronen. Por në fundin e minutës së 6-të shtesë, Mount shënoi golin e pestë për Chelsea, duke i dhënë tre pikë të rëndësishme skuadrës, që ngjitet në vendin e 6-të me 8 pikë.

Befasia e javës së 5-të në Premier League, ka qenë humbja e Manchester Cityt në fushën e Norwich. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola u mund me rezultatin 3-2 nga vendasit, të cilët shënuan dy herë në pjesën e parë me McLean dhe Cantwell, përkatësisht në minutën e 18 dhe 28. Aguero në fund të pjesës së parë ngushtoi shifrat, por në minutën e 50-të, Pukki trefishoi për Norwich. Ndërkhë, Manchester City shënoi golin e dytë në minutën e 88`, por nuk arriti të shmangte humbjen 3-2, që e mban tashmë 5 pikë larg Liverpool në renditjen e Premier League.




Skip to toolbar