“Nuk ka asnjë paketë negocimi dhe as negociata për të shtyrë zgjedhjet”

POLITIKË


Nuk ka asnjë negociata dhe as paketë negocimi me opozitën. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp ku sqaroi njëherë e mirë se nuk do të pranojë negociata për të shtyrë zgjedhjet. Rama tha se për t’u futur në dialog me opozitën është i hapur edhe pa ndihmën e ndërkombëtareve, ndërsa theksoi se ka qenë PD që ka hedhur lajmin se ekziston një paketë negocimi, vetëm që të pengonte kandidatët që regjistroheshin në garën elektorale si të pavarur apo nën siglën e ndonjë partie tjetër.

“Shpreh mirënjohjen për përfaqësuesit e unionit kristian demokrat, të cilës i ka rënë edhe PD si anëtare e familjes, që mbajtën një qëndrim absolutisht korrekt dhe të qartë.


Sa i përket dialogut unë nuk kam nevojë as për gjermanë as për amerikanë as për holandezë, as për francezë, as për anglezë, as për norvegjezë, për tu ulur dhe për të dialoguar. Personalisht. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj tek vota. E kam kërkuar këtë gjë edhe kur nuk kishte kapsolla dhe mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog. Sot pala tjetër ka më shumë se asnjëherë për dialog. Dhe vendi ka më shumë se asnjëherë nevojë për dialog, sepse nuk ja kanë borxh shqiptarët politikanëve që në vend të mendojnë se çfarë do bëjnë me familjen ditën e shtunë, ose të pushojnë, duhet të festojnë vitin e ri që ëndërron imagjinata qesharake e udhëheqësve të PD-së dhe të përballojnë zhurma që as për Vit të ri në kohën kur ishin armët rrugëve nuk i dëgjonin. Për sa i përket dialogut nuk diskutohet që është gjithmonë i nevojshëm, jo më për të krijuar komunikim mes njerëzve, që përfaqësojnë të tjerë që kanë një barrë të madhe për t’i përfaqësuar.

E dyta, në leximin tim miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në 2017 nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë, e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë se për shkak se presidenti mes 23-shit dhe 30-ës ka zgjedhur 30-ën. Zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor. Unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse është kushtetuta e Shqipërisë.

Do të shikoni shumë paketa këto ditë, paketa që prodhohen këtu për shumë arsye të ndryshme, për t’i thënë kryetarëve të bashkive, që PD-së, që tundimet për tu regjistruar si të pavarur, apo me një parti tjetër, janë gabim, sepse ndërkohë ka një paketë, paketa për të mbajtur njerëzit që kanë filluar të firojnë nga manifestimet”, tha Rama.




Skip to toolbar