Vlerësimi i Zaloshnjes: Sot 270 të prekur

CORONAVIRUS


Nga Eduard Zaloshnja

Ndër vendet e prekura gjerësisht nga koronavirusi aktual, Korea e Jugut mban rekord për numrin e testimeve për frymë dhe për raportin mes testimeve  të kryera dhe rasteve të konfirmuara me sëmundjen COVID-19 (që shkaktohet nga koronavirusi aktual).


Për këtë arsye, Korea e Jugut konsiderohet nga OBSH si model i një vendi që i ka evidentuar më mirë rastet e kësaj sëmundje, si ato me simptoma, edhe ato pa simptoma. Si rrjedhojë, në vende ku testimet kryhen vetëm për rastet me simptoma të dukshme, koeficienti i vdekshmërisë së Koresë mund të përdoret për të llogaritur tërthorazi edhe numrin e rasteve pa simptoma ose me simptoma të lehta (që nuk i ka kapur sistemi zyrtar i testimit).

Konkretisht, deri në ditën e 13-të të epidemisë në Shqipëri, kanë vdekur 2 pacientë me COVID-19. Ndërkohë, deri në ditën e 13 koeficienti i vdekshmërisë në Kore ishte 7.4 ndër 100 të sëmurë (me dhe pa simptoma). Duke pjestuar numrin e vdekjeve në Shqipëri me këtë koeficient, rezulton se do të kishim konfirmuar deri më sot në Shqipëri rreth 270 raste me COVID-19 (po të kishim një sistem ekspansiv testimi si të Koresë) .

Por sistemi ynë konservativ i testimit ka kapur deri më sot vetëm 70 raste (me simptomat më të dukshme). Ndërsa rreth 200 të tjerë (pa simptoma apo me simptoma të lehta) i kemi mes lagjeve apo familjeve tona…

Shënim: Koeficienti i vdekshmërisë (i cili përdoret terthorazi në llogaritjen e mësipërme statistikore) mund të ndryshojë nga vendi në vend, për arsye demografike, kulturore, ekonomike, politike etj. Sidoqoftë, ai shërben për të bërë llogaritje të përafërta, kur mungojnë testime ekspansive të popullsisë ndaj një virusi të caktuar.




Skip to toolbar