Pasditen e sotme do të zhvillohet protesta e gjashtë kombëtare e opozitës, e cila do të mbahet si zakonisht para Kryeministrisë. Liderët e opozitës e kanë lajmëruar mbajtjen e protestës në orën 19:00, teksa janë shprehur se ky do të jetë tubimi më i madh deri më tani.
Pak orë para nisjes së saj, RealStory.al ka bërë një vëzhgim në terren, për të treguar situatën para godinës së Kryeministrisë pak orë para fillimit të protestës.
Ndonëse është raportuar se nuk do të ketë akte dhune, Kryeministria është e rrethur me gardh metalik që prej tre ditësh. Ndërsa ditën e sotme janë vendosur dhe tre makina ujëhedhëse pas Kryeministrisë, për të qenë në gadishmëri për çdo situatë.
Rruga nga RTSH në drejtim të piramidës është bllokuar pas mesditës, ndërkohë që postblloqe policie janë vendosur në akse kyçe, kryesisht në rrugë që të çojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku do të zhvillohet protesta.
Ndërkohë, policia ka nisur dhe bllokimin e bulevardit përpara Kryeministrisë, aty ku prej paradites janë vendosur mjetet e transmetimit direkt të mediave në vend.
Ashtu si në protestat e kaluara, nuk do të ketë skena të mëdha, por vetëm një podium disa centimetër të lart, ku pritet të flasë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
RealStory.al ka mësuar se Partia Demokratike ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për të marshuar, pas grumbullimit të protestuesve para Kryeministrisë, megjithëse, intenerari i marshimit ende nuk bëhet i ditur.
Në krahun tjetër, Policia e Tiranës ka dhënë leje për zhvillimin e protestës nga ora 19:00-21:00, ndërsa PD nuk ka përcaktuar një orar për përfundimin e protestës. Sakaq, në terren do të jenë më shumë se 1500 efektivë policie të angazhuar për mbarvjatjen e protestës.