Kryeministri Edi Rama, në detyrën e Kryesuesit të OSBE nisi mëngjesin e të hënës vizitën në Ukrainë. Rama shoqërohet në vizitën e tij në Ukrainë nga Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj dhe zyrtarë të tjerë të OSBE.
Kievi është zgjuar të hënën nën petkun e dëborës. Ndërsa Rama dhe delegacioni i OSBE-së zgjodhën të ecin disa minuta në këmbë, deri në godinën e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës. Takimin e parë në Kiev, Rama e zhvilloi me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, ndërsa më pas do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të këtij shteti.
Në cilësinë e Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për vitin 2020, Rama do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kryeministrin Oleksiy Honcharuk dhe Kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov. Gjithashtu do të mbahet dhe një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës.
Një ditë më parë, OSBE dha detaje nga fokusi i takimeve të Kreut të OSBE Edi Rama me zyrtarët e shtetit të Ukrainës. Sipas njoftimit, mësohet se “bisedimet do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore”.
Të martën, Rama do të vizitojë Ukrainën lindore për të pasur një përvojë të dorës së parë të situatës në zonat e prekura nga konflikti dhe punën e SMM. Kryeministri Edi Rama, njoftoi më herët gjatë marrjes zyrtare të detyrës si kreu i OSBE, se vizitën e parë do ta zhvillonte në Ukrainë. Ai gjithashtu tha se do të ketë edhe një vizitë në Rusi, shtet me të cilin Ukraina është në konflikt prej disa vitesh.