Rikthehet Superliga, Kukësi- Partizani ngren ‘perden’ e sezonit të ri të kampionatit

SPORT


Të premten e kësaj jave do të fillojë sezoni i ri i Superligës, ku dhjetë ekipe do të luftojnë në 36 javë për të fituar titullin kampion. Shorti i hedhur disa ditë më parë në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka rezervuar një supersfidë që në nisje të kampionatit. Do të jetë Kukësi-Partizani, dy ekipet që mbrëmjen e të dielës u përballën mes tyre në Superkupën e Shqipërisë, me trofeun që i shkoi të ‘demave’, do të përballen përsëri pas katër ditësh.

Stadiumi do të jetë përsëri “Elbasan Arena”, pasi skuadra e Kukësi edhe këtë sezon do t`i zhvillojë ndeshjet në fushë asnjëanëse për shkak se stadiumi “Zeqir Ymeri” ka nisur rikonstruksionin. Do të jetë një sfidë emocionuese, ashtu si dhe të dielën në Superkupë, ku Partizani shënoi katër herë në portën e verilindorëve, ndërsa skuadra e Shpëtim Duros shpërdoroi fitoren e trofeut, duke barazuar dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. Ndeshja e parë e këtij sezoni të Superligës do të luhet në orën 19:00.


Ndërkohë, pas ndeshjes të së premtes, një ditë më pas do të luhen dhe katër takimet e tjera. Vllaznia-Laçi dhe Skënderbeu-Flamurtari, janë dy sfidat e orës 16:00 që do të luhen të shtunën, ku skuadrat vijnë me ndryshime të mëdha në organikën e tyre. Ndërkohë, ekipi i Vllaznisë do të bëj debutimin në Superligë, pasi vitin e shkuar luajti në Kategorinë e Parë.

Dy ndeshjet e mbrëmjes do të jenë ajo mes Teutës dhe Bylisit, me këtë të fundit që rikthehet në Superligë dhe Tiranës me Luftëtarin. Ekipi i drejtuar nga Ardian Mema ka bërë ndryshime rrënjësore në merkato, duke afruar futbollist shumë cilësor. Ndryshe nga sezoni i shkuar, Tirana do të jetë një ekip pretendent për titullin kampion, të paktën në letër duket e tillë.




Skip to toolbar