Shfaqet Kryemadhi, 30 minuta kokë më kokë me Bashën, pas pushimeve në Prevallë

AKTUALITET


Monika Kryemadhi ka përfunduar pushimet e zgjatura verore, ku dy javët e fundit ka qenë në Prevallë së bashku me bashkëshortin e saj presidentin, Ilir Meta. Gjatë ditës së premte Kryemadhi ka nisur punën dhe takimin e parë e ka zhvilluar në selinë blu me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Takimi mes dy drejtuesve të opozitës ka zgjatur 30 minuta dhe në përfundim që të dy refuzuan të flisnin për gazetarët që prisnin në selinë blu, por nuk u ndalën të tregonin se mes tyre gjithçka shkon mirë, pasi dhuruan puthje dhe përqafime. Pra në sytë e medias Basha dhe Kryemadhi treguan se nuk ka asnjë përçarje në koalicionin opozitar, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që këto dy parti kanë mbajtur në lidhje me dekretin e Metës për zgjedhje më 13 tetor.


Nuk dihet ende se cili do të jetë aksioni i ardhshëm i opozitës, e cila prej më shumë se 1 muaji ka ndërprerë protestat, sikurse kishte premtuar se gjatë verës nuk do bënin pushime.

Situata politike ka zhvillime të reja për shkak të dorëheqjes së kryebashkiakut të Shkodrës Valdrin Pjetri, pas akuzave të PD-së për fshehje të dënimit në Itali. Nuk dihet se si do të veprojë opozita. Askush deri tani nga politikanët nuk ka përmendur faktin se në Shkodër duhet të zhvillohen zgjedhje të pjesshme vendore dhe nëse PD do të marrë pjesë në to.

Deri tani e vetmja datë që përsëritet vazhdimisht nga Meta është 13 tetori, megjithëse janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore që do të mundësonin zhvillimin e një procesi zgjedhor në këtë datë që duhet thënë se nuk është njohur nga institucionet.




Skip to toolbar