Nga janari në korrik janë regjistruar jo pak por 107 persona të vdekur në aksidentet rrugore dhe rreth 1 mijë të plagosur.
Shifra është bërë publike të enjten në mbrëmje nga Drejtori i Policisë Rrugore Mitat Tola në një emision televiziv. Ndërsa ka publikuar disa video reale nga aksidentet që kanë ndodhur në Shqipëri kohët e fundit, Tola u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve por edhe këmbësorëve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor sepse sjellin pasoja të paparashikueshme për jetën e tyre.
“107 të vdekur dhe 1 mijë të plagosur nga 1 janari i këtij viti deri më sot janë shifra mjaft të larta për Shqipërinë”.
Sipas Tolës ka një trend ulje të aksidenteve por gjithsesi sipas shifrave situata mbetet shqetësuese. “Nga masat e policisë vlen të theksohen dy shifra për vitin e kaluar. E para është 3500 patenta të bllokuara dhe shifra prej 13 miliardë lekët të vjetra gjobë të vjela vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, tha ai.
Sipas Tolas, shkelja numër një por që ka sjellë edhe pasoja të rënda është përdorimi I celularit gjatë drejtimit të mjetit.