Sondazhi i parë i Abc News në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze italiane të sondimit, Angi Ricerche, nxori Partinë Socialiste si fituese të zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas sondazhit të publikuar për herë të parë në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës, 3 javë para zgjedhjeve, Partia Socialiste merr 46.9% deri në 50.9% të votave kombëtare, kur në 2021, mori 48.7% të votave për të prodhuar 74 mandate.
Aleanca për Shqipërinë Madhështore drejtuar nga Partia Demokratike, si në skenarin më të mirë dhe më të keq, nuk arrin dot as rezultatin e vitit 2021.Këto të dhëna u analizuan në studion e Real Story nga një grup panelistësh.
Analisti Skënder Minxhozi thekson se rënia kaq e madhe e Partisë Demokratike tregon se ka nisur të marrë goditjen e madhe fenomeni që ai e quajti “partitokracia 34 vjeçare në Shqipëri”.
Ky fenomen shtoi ai ka nisur të bjerë në krahun e opozitës, ndërsa Partia Socialiste ka arritur të ruajë kuotata e saj elektorale.
“Unë mendoj se ndodhemi në hapat e parë të rrënimit asaj që unë e konsideroj si partitokracia 34-vjeçare në Shqipëri. Si ka ardhur kjo? Kjo ka ardhur me rrënimin e imazhit të liderëve politikë me hetimet e SPAK me mbingopjen dhe mërzinë e publikut me figura politike dhe kjo po fillon të manifestohet paradoksalisht dhe kjo shtëpi e vjetër politike po fillon të shembet nga krahu i saj opozitar, ndërsa krahu tjetër vijon të ruajë kuotat.
PS arrin të ruajë kuotat të paprekura, synon ndoshta diçka më tepër, por të paktën 74 mandate. Prej rrënimit, përfitojnë indirekt jo se janë burra të zotë, sepse këta janë vetëm si persona që lëvizin nëpër Shqipëri dhe hiqen si parti politike deri tani të paktën, por edhe këta, aty ku dikur ka dështuar Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, të gjitha tentativat për të thyer duopolin e PD dhe PS, përveç Ilir Metës në 2004, të gjithë të tjerët kanë dështuar.
Rënia e PL është shumë e zhurmshme, Sali Berisha po i bie aleati kryesor. Po i bie në ato qarqe të cilët do të dhembin më fort, në jug ku Berisha ishte më i dobët, hynte Ilir Meta dhe merrte, kishte mundësi të bllokonte avancimin e PS dhe të sillte vota për PD.”, tha ai./