“Për ne, siç e thashë, është e rëndësishme të respektohet sundimi i ligjit. Procedurat e tenderit të jenë në përputhje me ato të BE, tenderi është i hapur deri në shtator, e rëndësishme është çështja e konkurrencë së lirë dhe të drejtë dhe ai të jetë i hapur deri në 19 shtator”-u shpreh Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i pytur gjatë të hënës në lidhje me çështjen e teatrit. Megjithatë, kjo deklaratë, është interpretuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit si “Fatkeqësisht, Ambasadori ka zgjedhur të rreshtohet në krah të Edi Ramës e Shkëlqim Fushës, dhe kundër artistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të ndershëm të Tiranës dhe Shqipërisë”.
Menjëherë pas këtij reagimi, ka ardhur një tjetër qëndrim i ambasadorit Soreca, i cili i ka sqaruar qëndrimin e tij gjatë të hënës, në lidhje me çështjen e Teatrit. Luigi Soreca i kujton Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, se ajo që ai kishte thënë ishte “respektimi i procedurave për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë”.
“Vrej me shqetësim se përgjigja ime sot në një pyetje mbi çështjen e Teatrit Kombëtar është paraqitur jashtë kontekstit. Prandaj është e dobishme të theksohet se sot kam përsëritur qëndrimin e shprehur tashmë në shtatorin e kaluar nga Komisioni Evropian, kur autoritetet kompetente shqiptare u ftuan për të ndjekur pajtueshmërinë me parimet e prokurimeve publike të BE-së dhe për të siguruara qasje jodiskriminuese në treg. Unë gjithashtu deklarova sot se transparenca e procedurave është thelbësore për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë”, shkruan Soreca.
Ndërkohë, më tej, ambasadori ka sqaruar se gjatë deklaratës së tij, ka shtuar se duhet t`u jepet koha procedurave ligjore, për të marrë një vendim për mosmarrëveshjet që kanë lindur për këtë çështje. “Unë shtova, se është e nevojshme që të jepet kohë për procedurat institucionale për të marrë një vendim për çdo mosmarrëveshje ligjore që ekziston në këtë çështje, në respekt të plotë të sundimit të ligjit. Në fund përfundova duke kujtuar se Delegacioni i BE-së është plotësisht i angazhuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes si e drejtë themelore themelore dhe është e gatshme të vazhdojë dialogun me artistët dhe qytetarët e përfshirë”, shprehet ndër të tjera Soreca.
Në përfundim, duke u shprehur falënderimin artistëve, ai ngre dhe një pyetje retorike, se në cilën deklaratë të Komisionit të Europian thuhet se çështja e teatrit është politizuar. “Por a do të ishte mirë sa të na tregontit se ku thuhet në opinionin e Komisionit Evropian se çështja e Teatrit Kombëtar është politizuar? Nuk ka? Askund? Unë nuk mendoj kështu!”, shkruan Soreca.