Pesë agjenci ndërkombëtare do të bashkëpunojnë ngushtë me qeverinë shqiptare për hetimin dhe gjurmimin e parave të fshehura ët zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar. Kjo është e parashikuar në strategjinë e Ministrisë së Drejtësisë për vitet 2019-2023.
Aty janë veçuar pesë agjenci me të cilat do të kryhen operacione të përbashkëta kundër krimit ekonomik e financiar. Europol, Interpol, Frontex, Egmont dhe Carin do të jenë organizatat ndërkombëtare me të cilat autoritetet tona ligjzbatuese pritet të gjurmojnë paratë e të korruptuarve jashtë vendit.
“Rritja e bashkëpunimit operacional me vendet e treta dhe organizatat /rrjetet mbikombëtare të zbatimit të ligjit (duke përfshirë, ndër të tjera, Europol, Interpol, Frontex, Egmont, Carin, etj).
Siç është theksuar në Raportin e Bashkimit Evropian të vitit 2016, “Shqipëria ka një marrëveshje operacionale bashkëpunimi me Europol dhe që nga viti 2009 një oficer ndërlidhës në selinë e Europol. Shqipëria mbetet një partner reaktiv dhe jo proaktiv në bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Trende të ngjashme janë vënë re edhe në lidhje me bashkëpunimin me Interpol”, shkruhet në strategjinë e ministrisë së Drejtësisë të zbardhur nga gazeta Sot.
“Shkëmbimi i informacionit do të vazhdojë nga bashkëpunimi në nivel operacional, duke përfshirë operacionet e përbashkëta policore. Treguesi do të vlerësohet duke matur numrin e përgjithshëm të operacioneve të përbashkëta të Policisë Europol dhe Interpol në fushën e luftës kundër krimit financiar dhe ekonomik në të cilin Shqipëria merr pjesë në mënyrë aktive”, thuhet në planin e Ministrisë së Drejtësisë.
Qeveria ka planifikuar po ashtu që gjatë viteve 2020-2023 të kryejë trajnime të përbashkëta me pesë agjencitë e lartpërmendura me qëllim që të arrihen rezultate sa më të mira në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.
Po ashtu do të kryhen takime dhe analiza të përbashkëta për zbatimin e marrëveshjeve dhe rezultateve të arritura, me qëllim që të rritet transparenca dhe besimi mes agjencive homologe të zbatimit të ligjit.
Nga ana tjetër, një tjetër masë që Ministria e Drejtësisë ka planifikuar të ndërmarrë për të pasur sukses në gjetjen e parave të pista të pushtetarëve të fshehura jashtë vendit është edhe ajo e ngritjes së Zyrës për Rikuperimin e Aseteve.
Në këtë mënyrë qeveria synon që të përmirësojë kuadrin ligjor për ndjekjen penale të krimit ekonomik dhe financiar. Për zbatimin e kësaj mase do të angazhohet Ministria e Ekonomisë dhe Financave, e cila duhet që brenda 3-mujorit të fundit të këtij viti të bëjë gati draftin për ndërhyrjet në ligj, për ta miratuar më pas dhe për të ngritur Zyrën për Rikuperimin e Aseteve, shkruan gazeta Sot.