Sulmet e rebelëve iranianë ndaj cisternave të mëdha të naftës në Arabinë Saudite kanë dhënë efektin e parë, atë të rritjes së çmimit të naftës në SHBA.
Çmimet fillimisht u rritën me 18%, por më pas u ulën disi pas deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump i cili tha të dielën se kishte autorizuar përdorimin e naftës nga rezervat kombëtare. Trump tha se nafta nga Rezerva Strategjike, do të përdoret “për të mbajtur tregjet e furnizuara mirë”. Rezerva amerikane është pishina më e madhe e naftës në botë.
“Nisur nga sulmet në Arabinë Saudite, që mund të kenë pasur ndikim në çmimet e naftës, autorizova nxjerrjen në treg të naftës nga Rezerva Strategjike e Karburanteve. Sasia që do të nxirret do të përcaktohet sipas kërkesave, në mënyrë që tregu të mos ketë mungesa”, njoftoi Trump.
Cisternat e naftës në pronësi shtetërore të Arabisë Saudite u dëmtuan keq pas sulmeve me 10 dronë të bëra nga rebelët e Jemenit.
Kjo solli që çmimi i naftës në SHBA të shkojë në 66.7 dollarë për fuçi.
Ekspertët thonë se kjo luhatje e fortë e çmimeve është e përafërt me atë të periudhës së luftës në Gjirit Persik në vitin 1991. Arabia Saudite përgjysmoi prodhimin e naftës, pas sulmeve të fundjavës në dy rafineritë më të mëdha në lindje të vendit. Përgjysmimi i prodhimit e ka ulur me 5% nivelin e furnizimit me karburant në tregjet globale. Sulmin e morën përsipër rebelët Huthi në Jemen, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo akuzoi Teheranin për autorësinë, pavarësisht se Irani e mohoi kategorikisht.