Komisioni i Disiplinës në Federatën Spanjolle
të Futbollit, gjobiti Barcelonën me 300 euro. Shkaku për këtë gjobë është
sulmuesi i ardhur nga Atletico Madrid te Barcelona, Antoine Griezmann. Klubi katalanas
hyri në negociata me sulmuesin francez, përpara se të njoftonte klubin e
madrilen, gjë që ndalohet nga rregulloret e FIFA. Atletico kërkoi hetim dhe më
pas dënim për Barçën, pasi i ka shkaktuar dëme financiare klubit.
Barcelona, sipas Atletico Madrid, arriti një
marrëveshje me lojtarin në kohën që klauzola e tij ishte 200 milion euro. Por,
transferimi u krye vetëm pasi klauzola e Griezmann shkoi në 120 milion euro. Në
këto kushte, Atletico humbi 80 milion euro, ndërsa Barcelona i kurseu këto
para.
Barcelona rrezikonte të zhvillonte një
ndeshje pa tifozë në stadiumin “Camp Nou”, e cila praktikisht do të kishte një kosto të konsiderueshme. Por, disiplina është
treguar “bujare” me klubin katalanas, duke i vendosur një gjobë prej 300
eurosh, shumë e papërfillshme për Barcelonën.
Në fakt, “bujaria” e Federatës Spanjolle të
Futbollit, buron nga rregullorja e Kodit të Disiplinës, e cila parashikon shuma
të vogla të gjobës në rast të shkeljes së neneve 88 dhe 126. Ky vendim nuk
duhet ta ketë kënaqur Atletico Madrid, pasi jo vetëm që humbi një nga lojtarët
më të mirë të klubit, por nuk arriti të përfitonte aq sa do të dëshironte nga
shitja e tij te Barcelona.