Firmino e Salah bëjnë Jurgen Klopp me dhimbje koke para Barcelonës!

Liverpool do të luajë ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Champions League kundër Barcelonës të mërkurën në mbrëmje. Veç rezultatit të ndeshjes së parë 3-0 në disfavor të “The Reds”, shqetësim i madh për Jurgen Klopp janë dhe dy mungesa të rëndësishme.

Roberto Firmino është mungesa e parë e sigurtë, teksa listës i shtohet dhe sulmuesi egjiptian, Mohamed Salah. Ky i fundit u dëmtua në kokë në ndeshjen ndaj Newcastle.

Salah do të kryejë ditën e sotme vizitat e specializuara mjekësore, megjithëse pakkush beson se ai do të jetë gati për ndeshjen e kthimit ndaj Barcelonës, ku Liverpool do të tentojë përmbysjen e madhe.

Pas ndeshjes me Newcastle, trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, u shpreh optimist për gjendjen e Salah. “Mjeku duhej të merrte një vendim, duke e larguar Salah nga fusha. Kur u ktheva në dhomat e zhveshjes, ai ishte ulur dhe po shihte ndeshjen. Salah dukej mirë, por duhet të presim”, tha trajneri gjerman.

Messi & Co pushim, Barcelona i bën nder Celta Vigos (video)

Ernesto Valverde kishte lënë pushim Messi, Suarez & Co, ndërsa hodhi në fushë shumë lojtarë të rinj të Barcelonës në takimin e së shtunës ndaj Celta Vigo, të cilin katalanasit e humbën me rezultatin 2-0.

Gomez në minutën e 67′ ka zhbllokuar për vendasit, ndërsa Aspas ka shënuar me penallti golin e dytë në minutën e 88′, duke vulosur shifrat. Megjithatë, rezultati mund të ishte dhe më i thellë nëse vendasve nuk do u ishte anuluar një gol me VAR në minutën e 51′.

Lajmi i keq për trajnerin Valverde ka ardhur në minutën e 6-të të ndeshjes, kur Dembele ka qenë i detyruar të largohet nga fusha për shkak të një dëmtimi në kofshë, teksa sot francezi do të kryejë testet mjekësore.

Barcelona do të rikthehet përsëri në fushë të martën ku do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Liverpool, e vlefshme për gjysmëfinalen e dytë të Champions League, me ekipin blaugrana që vjen favorite në këtë takim pasi ka fituar ndeshjen e parë 3-0.

“Messi do të jetë përjetësisht i Barcelonës”

“Messi do të jetë përjetësisht me ne”, është deklarata e bërë nga Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, duke konfirmuar se argjentinasi nuk do të largohet kurrë nga “Camp Nou”, duke lënë të kuptohet gjithashtu se Messi do ta mbyllë karrierën te katalanasit.

Numri një i klubit të Barcelonës ka folur për mediat dy ditë pasi Lionel Messi bëri një tjetër paraqitje spektakolare në Ligën e Kampionëve, duke shënuar dy gola në fitoren 3-0 në gjysmëfinalen e parë ndaj Liverpool. Në këtë ndeshje, Messi rrumbullakosi 600 gola me fanellën blaugrana.

“Ai mund të luajë futboll deri 45 vjeç, kush e di?, – tha presidenti i Barcelonës për “The Guardian”. – Ne themi se do të luajë tri, katër, apo pesë vite më shumë, por nuk e dimë me siguri se sa. Le të luajë sa dëshiron vetë Leo”.

“Jemi duke u përgatitur për periudhën pas pensionimit të Messit. Lojtarë si Dembele, Lenglet dhe Arthur janë atje për të ndërtuar një ekip, edhe pa Messin duke luajtur. Megjithatë, unë ende shoh një rrugë të gjatë deri në tërheqjen e Leos nga futbolli i luajtur. Nuk mendoj se ajo ditë është afër”.

“Ne u themi lojtarëve që luajnë dhe trajnohen me të: Bëni maksimumin në çdo minutë. Ai është një futbollist, prandaj po flasim për futbollin, por do të qëndrojë përjetë me ne, në funksione të tjera”.

“Unë flas gjithmonë për Pele, i cili ka qenë përherë i lidhur me Santos, i vetmi klub, ku luajti në Brazil. Leo i përket futbollit botëror, por ka për të jetuar gjithmonë në Barcelonë. Ai do të jetë i lidhur vetëm me një klub. Leo nuk do të largohet kurrë”.

“Ai do të ndalet së luajturi, por gjithmonë do të jetë me ne. Leo është një gjeni dhe ka treguar sa vlen prej kaq shumë sezonesh. Ne jetojmë një epokë të jashtëzakonshme me të, por për tifozët tanë duket gjithçka normale”.

Fitorja dhe golat, Messi: Ishim spektakolar, por ende s’ka mbaruar!

Sulmuesi argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, ka folur pas ndeshjes me Liverpool, duke komentuar rezultatin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League: “Patjetër që do të ishte më mirë të kishim fituar 4-0, por edhe 3-0 është një rezultat i mirë. Asgjë s’ka mbaruar sepse do të shkojmë në një fushë shumë të vështirë.”

Duke folur për ndeshjen, Messi është shprehur se Liverpool luajti shumë fizikisht, një stil loje që Barcelona nuk e praktikon: “E nisëm mirë, me ritëm dhe ndeshja ishte shumë fizike, nuk jemi mësuar kështu pasi qëndruam shumë momente pa topin në zotërim. U mbytëm pak sidomos në pjesën e dytë, por këto ndeshje kështu e kanë dhe duhet ta merrnim ashtu si të vinte”.

Golin e tretë të takimit, që Messi shënoi nga goditja e dënimit, “pleshti” e quan spektakolar: “Është e vërtetë, ishte spektakolar. Jam shumë i lumtur. Jemi në një moment vendimtar dhe duhet të qëndrojmë të gjithë të bashkuar. Na kanë mbetur edhe tre finale.”

Balotelli: Mos e krahasoni Messin me 7-ën e Juventusit (foto)

Mario Balotelli ka reaguar me superlativa në drejtim të Lionel Messit, pasi ky i fundit shënoi dy gola në gjysmëfinalen e parë të Champions League mes Barcelonës dhe Liverpool.

Sulmuesi italian, që aktualisht luan me Olympique Marseille, duke thurur elozhe për sulmuesim argjentinas të Barcelonës, ka thumbuar edhe Cristiano Ronaldon.

“Leo Messi fenomen. Për të mirën e futbollit, mos e krahasoni atë me 7 e Juventusit”, – shkroi Mario në llogarinë e tij në Instagram.

Një tekst, që e shoqëroi me një foto të Messit, të bërë nga televizioni, gjatë një momenti të ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve (3-0).

Messi i jep “leksion” Salah, Barcelona drejt finales (video)

Lionel Messi ka gjunjëzuar Liverpool në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League. Barcelona ka dalë triumfuese nga përballja e parë në “Camp Nou”, duke mundur të besuarit e Jurgen Klopp me rezultatin 3-0.

Eksperienca por mbi të gjitha gjenialiteti i lojtarit më të mirë në planet, Lionel Messi, ka bërë që Barcelona të jetë me një këmbë në finalen e madhe të Champions League, pavarësisht se do të luhet dhe ndeshja e kthimit në Angli.

Luis Suarez do të zhbllokonte sfidën në minutën e 27′, duke realizuar një gol të bukur nga brenda zonës, ndërsa në aspektin personal ky ishte goli i parë i uruguaianit për këtë sezon të Champions League, duke i shënuar ish ekipit të tij.

Në pjesën e dytë Liverpool rrit presionin ndaj vendasve, por Barcelona realizon me anë të një kundërsulmi dhe golin e dytë. Është Leo Messi ai që dërgon topin në rrjetë në minutën e 75′, ndërsa në të 82′ argjentinasi vulos shifrat në 3-0 për katalanasit.

Salah mund të kishte ngushtuar diferencën me një gol të rëndësishëm jashtë zone, por tentativa e tij u ndal nga shtylla. Një fitore e madhe për Barça-n që do të ketë një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në Anfield.

Një ish i Liverpool vlerëson Messin: Më i miri në histori!

Sonte në mbrëmje do të jetë një “finale e parakohshme” e Champions League, mes Barcelonës dhe Liverpool, që ndeshen në gjysmëfinalen e parë të këtij kompeticioni.

Ndeshja pritet të dhurojë spektakël, ndërsa nga të dyja kampet ka përqëndrim maksimal para kësaj sfide. Megjithatë, ish futbollistë të këtyre ekipeve bëjnë vlerësimet përkatëse për ndeshjen e sotme.

Një prej tyre është Jami Carragher, ish lojtar i Liverpool, që ka pasur suksese me “Reds”. Ai ka komentuar përballjen e sotme mes Barcelonës dhe Liverpool, duke vlerësuar yllin argjentinas të katalanasve, Lionel Messi.

“A gjej fjalë, për ta përshkruar Messin, kur fëmijët e mi më pyesin për të? Është një nga më të mirët në histori, bashkë me Maradonën dhe Pele. Messi nuk e ka fituar Kupën e Botës dhe njerëzit e përdorin këtë fakt si kritikë ndaj tij. Për mua, kjo është shumë e padrejtë. Në fakt, mendoj se Messi është lojtari më i mirë në ekipin më të mirë të të gjitha kohërave”.

“Ai është lojtari më i mirë, kundër të cilit kam luajtur. Performanca e tij në “Wembley”, kundër Tottenham, është “fotografia” më e mirë e Messit. Ai ishte lojtari i ndeshjes atë ditë. Ronaldo është krahasuar me të, por Messi është diçka tjetër: më i qetë, më i plotë, pason, asiston dhe shënon gola. Ai ka vendosur një standart tjetër në futboll”.

Në fund Karragher ka folur edhe për përballjet e dikurshme të Liverpool kundër Barcelonës, kur ai vetë ishte futbollist i ekipit anglez. Jamie Karragher ka vlerësuar yjet e dikurshme të barçës:

“Ata që i respektonim më së shumti në atë kohë ishin Iniesta dhe Etoo. Deco, gjithashtu, luante atje. Ishte një ekip i shkëlqyer, që kishin fituar Champions-in vitin përpara. Ronaldinho ishte pak mbi peshën e tij. Asoskohe ishte ekipi i Ronaldinhos më shumë se sa i Messit”.

Liverpool merr lajmin e mirë para Barcelonës!

Liverpool luan nesër kundër Barcelonës në gjysmëfinalen e Champions League. Skuadra e Jurgen Klopp do të synojë finalen e madhe të këtij kompeticioni, teksa deri më tani ia ka dalë të kalojë kundërshtar të vështirë.

Megjithatë, para kësaj sfide, trajneri gjerman i “Reds”, ka marrë një lajm të mirë, pasi sulmuesi brazilian Roberto Firmino ka dalë në stërvitje me skuadrën. Firmino ka munguar në dy ndeshjet e fundit në Premier League, pasi pati një dëmtim në kofshë.

Por ndonëse braziliani është ritkhyer në stërvitje, Jurgen Klopp është shprehur se nuk e ka të garantuar nëse Firmino do të jetë titullar apo jo ndaj katalanasve nesër.

 “Nuk ju garantoj 100% nëse do të jetë në fushë si titullar apo jo. Nuk e kam marrë ende një vendim përfundimtar për të. Do të pres edhe 24 orë para se të vendos. Pas drekës, të mërkurën pasdite, do të vendos formacionin”.

“Nuk doja të riskoja, pasi kishte një problem të vogël, por tani është gati. Do të luajmë ndaj një ekipi të madh, ndaj prania e tyre është e rëndësishme. Dy rikthime të rëndësishme”, tha Klopp.

Messi shënon, Barcelona titullin feston (video)

Barcelona është matematikisht kampione e Spanjës këtë sezon, duke mbrojtur titullin e vitit të kaluar. I përhershmi Leo Messi i ka dhënë fitoren skuadrës së Ernesto Valverdes kundër Levantes me takimin që përfundoi 1-0.

Ky është titulli i 26-të në historinë e klubit katalanas, që këtë sezon ka dominuar përsëri futbollin spanjoll, teksa rivalët e saj nuk kanë mundur të rivalizojnë.

Leo Messi e nisi takimin nga stoli në pjesën e dytë lojës, pasi ekipi i hedhur në fushë nuk po mundte të gjente hapësira në zonën kundërshtare.

“Pleshti”, pasi ka marrë vendin e Coutinho-s në minutën e 46-të, ka gjetur golin që ka vendosur takimin në të 62-ën dhe i ka dhuruar titullin katalanasve.

Argjentinasi ka shënuar 24 gola si zëvendësues në La Liga, më shumë se çdo lojtar tjetër në shekullin e 21-të.

Atletiko bën detyrën, tani shpreson te humbja e Barcelonës (video)

Atletiko Madrid ka fituar përballjen në shtëpi kundër Valladolid, duke shpresuar ende në luftën për titullin në Spanjë. Skuadra e Simeones fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0, me një autogol të miqve të shënuar nga Fernandez në minutën e 66`.

Edhe pse vendasit kontrolluan gjatë gjithë kohës lojën, ata patën vetëm një rast të pastër për gol, ndërsa miqtë katër të tillë. Gjithësesi ishte fati ai që i dha fitoren ekipit madrilen, duke i mbajtur ende në lojë për çështjen e titullit.

Ndonëse për këtë të fundit do duhet një mrekulli, sërish Atletiko shpreson në një hap falas mbrëmjen e sotme të Barcelonës, e cila pret në shtëpi Levanten. Skaq diferenca mes dy ekipeve, Barcelonës dhe Atletiko Madrid është 6 pikë, kur kanë mbetur dhe tre javë nga përfundimi i kampionatit.

Nëse Barcelona fiton sot ndaj Levantes, ekipi katalanas shpallet kampion, pasi shkon në +9 ndaj Atletikos, dhe nëse humb tre ndeshjet e ardhshme, Barcelona e ka të siguruar titullin për shkak të golavarazhit më të mirë.

Skip to toolbar