Thaçi kritika Europës: BE po vonohet, i ka mbyllur dyert Kosovës, durimi ynë po keqpërdoret!

Në një panel me presidentin e Malit të Zi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në forumin “To Be Secure” ku kanë folur për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por presidenti i Kosovës nuk është rezervuar, ai i ka drejtuar disa kritika BE-së që vazhdon ta mbajë të izoluar Kosovën, duke mos miratuar liberalizimin e vizave.

Në një postim në Facebook, Thaçi shkruan se kjo është një padrejtësi që po i bëhet Kosovës, për vite me rradhë.

“Thelbësor në këtë kontekst është fakti që i tërë rajoni ynë po bënë përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, për t’u bërë ky rrugëtim më shpejt është e nevojshme që vetë BE-ja të mos vonohet me vendimmarrje, sepse sa më shumë që po vonohet, aq më shumë po rritet ndikimi i akterëve tjerë të padëshiruar dhe populizmi në rajonin tonë. Padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës po vazhdon të jetë mbajtja në izolim e qytetarëve tanë dhe bllokimi i perspektives për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova nuk është duke kërkuar alternativë tjetër, përveç anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB. Kjo duhet të jetë e qartë, si për qytetarët e Kosovës, po ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, dua të ritheksoj fuqishëm se në rast se bashkësia ndërkombëtare, respektivisht shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare (BE, NATO dhe OKB), do të vazhdojnë t’i mbajnë dyert e mbyllura për shtetin e Kosovës, atëherë udhëheqësit e institucioneve dhe qytetarët tanë duhet ta mendojnë seriozisht rrugën tjetër për arritjen e qëllimit të njëjtë. Durimi ynë duhet të shpërblehet dhe jo të keqpërdoret!”, shkruan presidenti Thaçi.

Në panel me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, para një audience të zgjedhur në forumin “To Be Secure” në…

Gepostet von Hashim Thaçi am Samstag, 1. Juni 2019

Rama vlerëson Roth: Të mbështetemi në fakte për të vendosur për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar qëndrimin e ministrit gjerman për Europën, Michael Roth, i cili shkruan në twitter se Evropa duhet të mbështetet në fakte për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, si dhe t’i shqyrtojë faktet me ndershmëri.

“Ministri i Shtetit për Europën i Gjermanisë, Michael Roth:

Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ne duhet të mbeshtetemi në fakte dhe në ndershmëri. BE dhe Gjermania kanë shumë për të humbur”, shkruan Rama në facebook ndërsa poston foton e Roth në twitter.

Ministri gjerman Roth është pro çeljes që në qershor të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Ai është shprehur së fundmi se Shqipëria i ka qëndruar zotimit për të bërë progres në reformat e kërkuara, tani është radha e BE-së të mbajë fjalën.  

Ministri i Shtetit për Europën i Gjermanisë, Michael Roth: Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ne duhet të mbeshtetemi në fakte dhe në ndershmëri. BE dhe Gjermania kanë shumë për të humbur.

Gepostet von Edi Rama am Samstag, 1. Juni 2019

Ministri gjerman Roth: Në qershor të hapen negociatat për Shqipërinë

Kur është fjala për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Michael Roth thekson se BE duhet të marrë një vendim në qershor për fillimin e bisedimeve të pranimit të këtyre dy vendeve. “Ne qëndrojmë në fjalën dhe duhet të mbajmë angazhimet tona,” tha Ministri i Shtetit në Zyrën e Jashtme për “Der Tagesspiegel”. Politikani i SPD-së, Roth rikujtoi se një vit më parë “BE kishte vendosur një afat të qartë kohor duke deklaruar se hapja e negociatave të pranimit për dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishte në qershor 2019.”

Duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe zgjedhjet e ardhshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qershori ishte “koha më e mirë për të vendosur mbi fillimin e negociatave të pranimit”, tha Roth. “Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion. BE nuk është vetëm për interesat jetikë të sigurisë, por edhe për kredibilitetin e saj” – tha Roth.

Komisioni Europian rekomandoi që krerët e BE të nisin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ku të dy vendet u vlerësuan për zbatimin e “reformave mbresëlënëse në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit”.

Pas kërkesës së Holandës, të gjitha hapat që ndërmerr BE deri në pezullimin e vizave

Përfaqësuesi i Holandës në Bashkimin Europian i nisi të premten Komisionit Europian një letër përmes të cilës kërkon heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Por çfarë ndodh pas kësaj letre? Cilat janë hapat që ndiqen?

Kështu sipas rregullores, Komisioni Europian pas njoftohet nga vendet anëtare nis shqyrtimin e të dhënave, duke kërkuar informacion shtesë.

Së pari, Komisioni do të përcaktojë ndikimin e përgjithshëm në situatën migratore të BE. Më pas do të paraqesë rezultatet e shqyrtimit të tij në Parlamentin Europian dhe në Këshillin e Europës.

Nëse Komisioni verifikon dhe vëren bazuar në informacionet që mbledh se duhet të nisë mekanizmi i pezullimit të vizave, atëherë miraton një akt zbatues.

Pra brenda një muaji pasi merr njoftimin, Komisioni e shqyrton atë dhe përgatit aktin zbatues. Akti më pas kalon në Këshillin e BE-së, që duhet ta miratojë me shumicë të kualifikuar votash. Këshilli vendos pezullimin e lëvizjes së lirë për një periudhe 9-mujore.

Gjatë periudhës së pezullimit Komisioni do të punojë ngushtë me vendin e tretë me qëllim që të përmirësojë çëshjet që shqetësojnë vendet anëtare.

Në një rast kur disa çështje vazhdojnë të mbeten shqetësuese përtej periudhës fillestare 9-mujore, Komisioni do të miratojë më tej një akt të deleguar, i cili do të pezullonte lëvizjen pa viza edhe për 18 muaj të tjerë.

Dhe si veprim i fundit, në rast se shteti i tretë nuk bën përmirësim në çështjet që shqetësojnë  vendet anëtare, atëherë Komisioni mund të propozojë që ky shtet të futet në listën e vendeve ku udhëtimi drejt shteteve të BE të bëhet me vizë.

Ky propozim i fundit dërgohet për miratim në Parlamentin dhe në Këshillin Europian.

DW: Përçarjet e qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për raport-progresin

Opozita dhe qeveria në Shqipëri kanë qëndrime të kundërta për raport-progresin e KE. Qeveria e pret me entuziazëm, ndërsa opozita me skepticizëm.

Rekomandimi pozitiv, pa kushte, i Komisionit Europian, (KE) të mërkurën (29.05.2019), drejtuar Këshillit Europian të BE, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, është pritur me entuziazëm nga qeveria dhe skeptizicëm nga opozita, e cila parashikon madje refuzimin. Ky është i treti rekomandim që jep për Shqipërisë KE, duke filluar nga viti 2017. 

Ambasadori i BE, Luigi Soreca, e konsideroi të mërkurën rekomandimin e këtij viti, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, “një gur kilometrik shumë të rëndësishëm, të arritur nga Shqipëria”. Për Ramën, KE dha rekomandimin ngaqë “Shqipëria ka bërë me përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë. Komisioni ka konfirmuar progres dhe bazuar në fakte, shifra dhe analiza ka rekomanduar përsëri hapjen zyrtare të negociatave,” tha kryeministri në konferencën për shtyp.

Por opozita jashtë sistemit politik, që hoqi dorë nga mandatet parlamentare në shkurtin e kaluar dhe që atëherë vazhdon protestat në rrugë dhe sheshe për të larguar kryeministrin Rama dhe rrëzuar qeverinë e tij, të akuzuar prej saj për korrupsion dhe lidhje me krimin, mendon ndryshe.

Berisha, ish-lideri i Partisë Demokratike, (PD) shkruan në median sociale se “Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e kërkuara. Këshilli Europian do të votojë për hapjen e negociatave kur ato të plotësohen, diku nga fundi i vitit 2020, për të mos thënë edhe më vonë”.

Ndërsa Basha, lideri aktual i PD, shprehu të mërkurën bindjen se “Këshilli Europian do të votojë në qershor për mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë.”

” Ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antieuropiane,” tha Basha.

Të njëjtin qëndrim mban edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI),  që është bashkuar me të djathtën opozitare. Klajda Gjosha, ish-deputete e kësaj partie dhe ish-ministre e Integrimit Europian, vuri në dukje se “sot për sot janë katër shtete anëtare të pozicionuara qartë në votën kundër”.

Pollo – BE fiksim në stabilitetin rajonal, pa kritika konstruktive

Por opozita jashtë parlamentare nuk ka një qëndrim “en block” ndaj rekomandimit dhe parashikimit negativ për vendimin e Këshillit Europian. Genc Pollo, ish-deputet i PD, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, tha për DW se shpreson që kësaj here negociatat të hapen.

“Shpresoj të jetë e treta, e vërteta dhe BE t’i përgjigjet rekomandimit me një vendim pozitiv”. Procesi i negociatave mund të jetë një ndihmë e vyer për të kapërcyer situatën tejet  të rënduar me kapjen e shtetit, me mpleksjen e qeveritarëve me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë”, tha për DW, Genc Pollo.

Ai kritikoi BE që nuk ka ndihmuar me politikat e tij në 5 vitet e fundit që situata aktuale në Shqipëri të mos jetë aktualisht kaq e përkeqësuar. “Nëse BE, në pesë vitet e shkuara nuk do të kishte fiksim tek stabiliteti rajonal i garantuar nga ” të fortët” apo tek një reformë e vetme  komplekse, por tek të pesta prioritetet dhe kriteret e Kopenhagen-it  si dhe të bënte kritika konstruktive në nivelin e atyre të deri  2013-ës, kjo do të kishte qenë  një ndihmë e vyer për Shqipërinë Europiane dhe situata nuk do të ishte përkeqësuar kaq shumë”, tha Genc Pollo për DW.

Apel partive politike – kaloni përtej ndasive partiake

Vendimi i Këshillit Europian në qershor, për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, bazohet në analizën e Progres Raportit 2019 dhe diskutimet e vendeve anëtare, një procedurë kjo për çdo vend kandidat për anëtarësim.

”Tre javët në vijim të diskutimeve do të jenë kyçe. Çdo shtet anëtar duhet të jetë plotësisht i bindur dhe ҫdo shtet anëtar ka procesin e vet të vendim-marrjes për këtë çështje. Shqipëria ka nevojë për një konsensus kombëtar për prioritetin madhor të integrimit europian duke tejkaluar kështu polarizimimin, treguar vullnet të fortë politik për të qenë të bashkuar në objektivin e integrimit europian dhe kaluar përtej polarizimit dhe ndasive partiake”, tha ambasadori i BE, në Tiranë, Soreca.

Në të njëjtën linjë me ambasadorin  Soreca, edhe Kryeministri Rama i bëri thirrje Bashës dhe “opozitës që është në rrugë” të ndryshojnë qëndrim. “Deri në momentin e vendimmarrjes nga Këshilli Europian është mirë që të mendojnë për Shqipërinë, jo për partinë. Është mirë të mendojnë për gjeneratën tjetër, jo për zgjedhjet e radhës. Është mirë të mos furnizojnë ata që mund të jenë të lëkundur apo në kërkim të arsyeve për të thënë “jo” me pamje të gënjeshtërta protestash partiake nga Tirana, protestash që nuk janë popullore, që nuk pasqyrojnë realitetin,” tha të mërkurën kryeministri Rama.

Opozita ka paralajmëruar të zhvillojë protestën kombëtare  antiqeveritare të radhës këtë javë, të shtunën më 31 maj.

Zëdhënësja e Mogherinit reagon për arrestimet në Kosovë: Palët të përmbahen

Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç, i bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të përmbahen në lidhje me deklaratat për operacionin policor të zhvilluar sot në veri të Kosovës.

Koçijançiç është shprehur se BE mbështet sundimin e ligjit dhe prezumimin pafajësisë. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se BE është në kontakt të vazhdueshëm me lidershipin e Prishtinës dhe Beogradit.

 “Sigurimi i sundimit të ligjit, përfshirë edhe presupozimin e pafajësisë, është një objektivë që BE-ja fuqishëm e mbështetë. Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit për të gjitha komunitetet. Operacionet e tilla duhet të riforcojnë e jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim. Fuqishëm besojnë se më shumë bashkëpunim policor dhe gjyqësor është i nevojshëm për të gjithë aktorët duke respektuar në tërësi marrëveshjen e Brukselit”, është shprehur Koçijançiç.

“Operacioni policor në Mitrovicë i drejtuar ndaj të dyshuarve individualë nga i tërë rajoni dhe nga pjesët tjera të Kosovës, duke ndjekur urdhrat e Gjykatës, duhet të zbatohet në përputhje me ligjin dhe të komunikohet në mënyrë të duhur. Ne jemi në kontakt me lidershipin në Prishtinë dhe Beograd dhe kemi bërë thirrje për përmbajtje maksimale”, thuhet në reagimin e BE-së.

Policia e Kosovës ndërmori mëngjesin e së martës një operacion të gjerë për të goditur krimin e organizuar dhe kontrabandën duke arrestuar disa zyrtarë serbë, shqiptarë dhe boshnjakë, por edhe një rus.

Synonin BE-në, kapen në Kapshticë 16 emigrantë afrikanë

Oficerët e misionit të FRONTEX kanë kapur 16 emigrantë që po tentonin të kalonin kufirin në Kapshticë me synim që të largoheshin në drejtim të vendeve të BE-së për të kërkuar azil.

16 emigrantët vijnë nga Afrika, nga shtete të tilla si Iraku, Siria, Algjeria dhe Maroku. Emigrantet janë kapur në fshatin Trestenik dhe në radhët e tyre numërohen gra dhe fëmijë.

Detyra e oficerëve të FRONTEX  është përqendruar kryesisht tek emigrantët që kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin jeshil pra që vijnë nga vendi fqinj njëkohësisht do të kryen edhe kontrolle në automjete në pasagjerë për të shmangur çdo aktivitet të paligjshëm. Kjo është hera e parë që Frontex kryen një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së.

Triumfon Salvini, fiton 34% të votave në zgjedhjet e Parlamentit Europian

Italianët, ashtu si qytetarët e 21 vendeve të tjera anëtare, iu drejtuan ditën e djeshme kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri të Bashkimit Europian. Rezultatet pas përfundimit të zgjedhjeve kanë nxjerr fitues partinë “Lega” e drejtuar nga Matteo Salvini.

34% të totalit të votave kanë shkuar pikërisht për partinë e Salvinit, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 22.70%, duke lënë pas “Lëvizjen 5 yjet” me 17.07%. Forza Italia ka marrë 8.79%, Fratelli d`Italia 6.47%. 56.10% e italianëve me të drejtë vote ushtruan vullnetin e tyre ditën e djeshme për të zgjedhur eurodeputetët e rinj të PE.

Pas daljeve të rezultateve paraprake, Matteo Salvini ka folur në një konferencë për shtyp nga partia e tij, duke shprehur falënderimin për qytetarët që e votuan. “Unë dua të falënderoj të gjithë votuesit, ata nuk më ndihmuan mua, por ndihuam Italinë dhe Evropën për të gjetur shpresë, krenari, rrënjë, punë dhe siguri”.

“Vetëm pesë vjet më para të gjithë flisnin për zhdukjen e “Lega”, ndërsa tani ne jemi partia e parë në veri dhe në jug, në disa qytete me kemi fituar me mbi 50%. Pas javëve dhe muajve të betejës së vështirë me armë të pabarabarta, kundër çdo gjëje dhe të gjithëve, fjala që unë dua të them është, Faleminderit! Do ta përdorim këtë besim për të bërë punë të mira, jo në rregullimin e llogarive personale”, ka thënë Salvini.

Zgjedhjet e PE, pjesëmarrje më e madhe se në votimet e pesë viteve më parë

Prej orës 8:00 të mëngjesit, me orët lokale të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ka nisur votimi për zgjedhjet parlamentare të PE-së, në 21 vendet anëtare që ende nuk kishin votuar. Deutsche Welle shkruan se deri në mesditë ka pasur një numër rekord votuesish. Në Francë kanë marrë pjesë në votime më shumë se 19.26% e zgjedhësve, ka raportuar Ministria e Brendshme në Paris.

Kjo përqindje është disa herë më e madhe se ajo e vitit 2014, kur deri në mesditë, para pesë vjetësh, në Francë kishin votuar vetëm 15.70%, ndërsa në 2009 rreth 14.8%. Në dy vende të tjera ku është duke u zhvilluar votimi për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian, Hungari dhe Sllovaki, numri i zgjedhësve që kishin votuar deri afër mesditës ishte më i madh se ai në zgjedhjet kombëtare të dy vendeve.

Në Hungari deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime ka qenë rreth 17.2%, me gati 6 % më shumë se pesë vite më parë. Sllovakia ka pasur dhe numrin më të lartë të pjesëmarrësve në zgjedhje deri më tani ka qenë 20%, numër i cili ndryshon vazhdimisht.

Në Gjermani ende nuk ka të dhëna rreth pjesëmarrjes në votime, por Deutsche Welle shkruan se edhe në këtë vend, sipas sondazheve të ndryshme, ka pasur një rritje të numrit të votuesve në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Të drejtën e votën kanë sot më shumë se 400 milionë banorë të 28 shteteve ë BE. Zgjedhjet kanë filluar me 23 maj dhe do të përfundojnë sonte.

Integrimi i Shqipërisë në pikëpyetje, sondazhet në Greqi kryesohen nga anti europianistët

Në Greqi janë publikuar dy sondazhe në lidhje me zgjedhjet në parlamentin europian që do të zhvillohet ditën e diel. Sondazhe e zhvilluara nga MARC për ANT1 dhe MRB për Star, nxjerrin kryesuese opozitarët konservatorë “Demokracia e re” me 29.4 % të votave ose “kërcënuesit” e Shqipërisë për të mos lejuar integrimin e saj në BE.

Ky sondazh është një goditje e rëndë për Kryeministrin Tsipras dhe partinë e tij SYRIZA, por venë në dyshim edhe të ardhmen e Shqipërisë për dhënien e votës pozitive për hapjen e negociatave në qershor.

Kyriakos Mitsotakis që kryeson partinë “Demokracia e re” ka deklaruar më herët se do të vendosë veton për Shqipërinë dhe Maqedoninë në rrugën drejt Integrimit Europian.

“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë kursin e saj europian” ka deklaruar Mitsotakis.

Demokracia e Re kryeson me 29.4 % të votave , të ndjekura nga SYRIZA me 2.4 % , KINAL me 6.6 % dhe Agimi i Artë 5.4 %.

Skip to toolbar