Zëdhënësja e Mogherinit reagon për arrestimet në Kosovë: Palët të përmbahen

AKTUALITET


Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç, i bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të përmbahen në lidhje me deklaratat për operacionin policor të zhvilluar sot në veri të Kosovës.

Koçijançiç është shprehur se BE mbështet sundimin e ligjit dhe prezumimin pafajësisë. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se BE është në kontakt të vazhdueshëm me lidershipin e Prishtinës dhe Beogradit.


 “Sigurimi i sundimit të ligjit, përfshirë edhe presupozimin e pafajësisë, është një objektivë që BE-ja fuqishëm e mbështetë. Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit për të gjitha komunitetet. Operacionet e tilla duhet të riforcojnë e jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim. Fuqishëm besojnë se më shumë bashkëpunim policor dhe gjyqësor është i nevojshëm për të gjithë aktorët duke respektuar në tërësi marrëveshjen e Brukselit”, është shprehur Koçijançiç.

“Operacioni policor në Mitrovicë i drejtuar ndaj të dyshuarve individualë nga i tërë rajoni dhe nga pjesët tjera të Kosovës, duke ndjekur urdhrat e Gjykatës, duhet të zbatohet në përputhje me ligjin dhe të komunikohet në mënyrë të duhur. Ne jemi në kontakt me lidershipin në Prishtinë dhe Beograd dhe kemi bërë thirrje për përmbajtje maksimale”, thuhet në reagimin e BE-së.

Policia e Kosovës ndërmori mëngjesin e së martës një operacion të gjerë për të goditur krimin e organizuar dhe kontrabandën duke arrestuar disa zyrtarë serbë, shqiptarë dhe boshnjakë, por edhe një rus.




Skip to toolbar