Pas kërkesës së Holandës, të gjitha hapat që ndërmerr BE deri në pezullimin e vizave

AKTUALITET


Përfaqësuesi i Holandës në Bashkimin Europian i nisi të premten Komisionit Europian një letër përmes të cilës kërkon heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Por çfarë ndodh pas kësaj letre? Cilat janë hapat që ndiqen?

Kështu sipas rregullores, Komisioni Europian pas njoftohet nga vendet anëtare nis shqyrtimin e të dhënave, duke kërkuar informacion shtesë.


Së pari, Komisioni do të përcaktojë ndikimin e përgjithshëm në situatën migratore të BE. Më pas do të paraqesë rezultatet e shqyrtimit të tij në Parlamentin Europian dhe në Këshillin e Europës.

Nëse Komisioni verifikon dhe vëren bazuar në informacionet që mbledh se duhet të nisë mekanizmi i pezullimit të vizave, atëherë miraton një akt zbatues.

Pra brenda një muaji pasi merr njoftimin, Komisioni e shqyrton atë dhe përgatit aktin zbatues. Akti më pas kalon në Këshillin e BE-së, që duhet ta miratojë me shumicë të kualifikuar votash. Këshilli vendos pezullimin e lëvizjes së lirë për një periudhe 9-mujore.

Gjatë periudhës së pezullimit Komisioni do të punojë ngushtë me vendin e tretë me qëllim që të përmirësojë çëshjet që shqetësojnë vendet anëtare.

Në një rast kur disa çështje vazhdojnë të mbeten shqetësuese përtej periudhës fillestare 9-mujore, Komisioni do të miratojë më tej një akt të deleguar, i cili do të pezullonte lëvizjen pa viza edhe për 18 muaj të tjerë.

Dhe si veprim i fundit, në rast se shteti i tretë nuk bën përmirësim në çështjet që shqetësojnë  vendet anëtare, atëherë Komisioni mund të propozojë që ky shtet të futet në listën e vendeve ku udhëtimi drejt shteteve të BE të bëhet me vizë.

Ky propozim i fundit dërgohet për miratim në Parlamentin dhe në Këshillin Europian.




Skip to toolbar