Moska dhe ideja e Trump për rikthimin në formatin G-8

Takimi i nivelit të lartë i Grupit të Shtatëshes përmbylli dje punimet në Biarritz të Francës. Një ndër sugjerimet e ngritura gjatë punimeve ishte propozimi i Presidentit Trump për t’u kthyer vitin e ardhshëm tek formati G-8, duke përfshirë edhe Rusinë në takime. Rusia u dëbua nga grupi i vendeve më të industrializuara pas aneksimit të Krimesë në 2014. Moska iu përgjigj propozimit me një reagim të vakët.

Rusia nuk ishte temë në axhendën zyrtare të takimit të Francës, por u bë një temë e lakuar shpesh. Presidenti Trump është shprehur disa herë se Rusia duhet të rikthehet në grup. Ai e përsëriti sugjerimin në konferencën për shtyp në mbyllje të takimit: “Mendoj se më mirë që Rusinë ta kemi në tendë me ne, se përjashta. Gjithsesi mund të vazhdojmë edhe me të dyja format”. Në Rusi ky sugjerim ka hapur diskutime të shumta, por shumica e analistëve janë skeptikë:

“Presidenti Trump i kushton shumë rëndësi reagimit të medias. Nuk mund t’ia marrësh drejtpërdrejt fjalët. Në 2018 e ka përmendur që Rusia duhet të rikthehet në grup. Ai e bën për të krijuar zhurmë mediatike dhe shpreson se ndoshta njerëzit do të epen më në fund dhe Rusia do të marrë ftesë në të ardhmen,” thotë konsulenti politik, Vitali Shkliarov.

Presidenti rus, nga ana e tij, është treguar i matur në komente: “Grupi i Tetëshes nuk ekziston. Si mund të rikthehet Rusia në një organizatë që nuk ekziston? Tani kemi Grupin e Shtatëshes. Kur ngrihet ideja e negociatave mes tetë vendeve, ne nuk do ta kundërshtojmë. Ne kishim para disa vitesh radhën për të organizuar takimin e Grupit të Tetëshes, por partnerët tanë nuk erdhën në takim. Por gjithsesi jemi të lumtur të ftojmë partnerët tanë edhe në formatin e G-7,” tha zoti Putin.

Presidenti rus po luan një lojë inteligjente, strategjike, thonë disa vëzhgues, ndër ta Nikolai Roudenski:  “E pamë si i rrëshqiste temës kur po fliste për G-7. ‘Nuk e di… ndoshta…’. Rusia do ta shfrytëzojë më së miri këtë temë për arsye propagandistike. Kremlini e ka bërë zakon që e portretizon Rusinë si të pafajshme: ‘Na përjashtuan pa arsye. Ne jemi krenarë, jemi të fortë; armiqtë tanë e kanë kuptuar gabimin dhe tani po përpiqen ta ndreqin”.

Analistët mendojnë se Rusia mund të mos dojë të rikthehet, jo thjesht për arsye ideologjike, por edhe pragmatike: “Në situatën aktuale politike, Kremlini mund të mos shohë përfitime të mëdha me rikthimin në Grupin e Tetëshes. Ata mendojnë se negociatat mund të vazhdojnë edhe në formate të tjera. Po ashtu Moska mund ta mendojë edhe disi të vjetëruar platformën që ofron G-7 dhe G-8,” thotë analisti Shkliarov.

Kreu i komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare në Këshillin Federal të Rusisë, Kostantin Kosaçev kohët e fundit iu referua Grupit të Shtatëshes si “Shtatë kundër njërit,” jo “shtatë plus një” nëse Rusia ftohet për t’u rikthyer. Ai tha se këto probleme mund të shmangen nëse ftohen edhe India dhe Kina në grup./VOA/

Mbyllet takimi i G-7, Trump e Macron flasin për ‘unitet’

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai francez Emanuel Macron thanë se në takimin e Grupit G-7 në Francë kishte pasur unitet, megjithë mosmarrëveshjet që u manifestuan gjatë takimt që u mbizotërua nga çështjet e tregëtisë, programi bërthamor i Iranit dhe zjarret që kanë përfshirë Amazonën. Ata folën në një konferencë shtypi në mbyllje të takimit.

Presidenti Trump foli për “një unitet të jashtëzakonshëm”, ndërsa zoti Macron tha se të gjitha palët “kanë arritur të gjejnë pika takimi”. Presidenti francez tha se shpresonte që të ketë një takim mes Presidentit Trump dhe atij iranian, Hasan Rouhani në javët e ardhshme.

“Ne jemi në një mendje që Irani duhet të respektojë detyrimet e veta bërthamore dhe të ketë një sjellje të përgjegjshme në Gji dhe të punojmë së bashku”. Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe gjendja atje nuk duhet të dëmtojë stabilitetin e rajonit”, tha zoti Macron.

Presidenti Trump nuk konfirmoi nëse do të ketë një takim së shpejti por tha se nëse Irani ndryshon qëndrim që takim ishte i mundur. “Ne nuk po kërkojnë ndryshim të udhëheqjes (në Iran). Një gjë e tillë nuk ka funskionuar. Ne duam që të mos kenë armë bërthamore. Dhe mund ta arrijmë në një kohë të shkurtër. Dhe vërtet besoj se Irani mund të bëhet përsëri një vend madhështor. Do të doja që kjo të ndodhte. Por nuk duhet të kenë armë bërthamore.”

Zoti Trump hodhi poshtë më herët zërat për tensione të mundshme mes tij dhe presidentit francez Emmanuel Macron, pasi udhëheqësi francez u takua të dielën me ministrin e jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif. Ai tha se i kishte dhënë zotit Macron miratimin për ardhjen e zotit Zarif, por në konferencë për shtyp presidenti francez tha vetëm se e kishte informuar zotin Trump.

Presidenti Trump shprehu optimizëm para gazetarëve edhe për marrëveshje të mundshme tregëtare me Kinën, megjithëse kritikoi praktikat tregëtare të Kinës. “Ndoshta duan ose ndoshta nuk duan një marrëveshje por unë mendoj se duan të arrijnë një marrëveshje. Nuk besoj se kanë rrugë tjetër. Dhe nuk e them këtë si kërcënim. Por nuk kanë alternativë”.

Udhëheqësit e G-7-ës kanë shprehur shqetësime për shkallëzimin e luftës tregëtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Zoti Macron tha se shpreson që udhëheqësit të tërhiqen nga një luftë tregëtare. Më herë të hënë, presidenti Trump tha se Kina kishte kontaktuar zyrtarët amerikanë të tregëtisë, duke u bërë thirrje të ktheheshin në tryezën e negociatave. “Do të fillojmë bisedime shumë serioze. Të shohim se si do të shkojë”, tha zoti Trump./VOA/

Skip to toolbar