“Një burrë hyri në dhomë, nisi të më godasë”, e moshuara rrëfen në Gjirokastër rrëfen dhunën

Një 75-vjecare ka rënë pre e dhunës mbrëmjen e djeshme në Gjirokastër, edhe pse ndodhej në banesën e saj. Ngjarja u shënua rreth orës 23:00 në fshatin Palokaster, ku mësohet se ndaj të moshuarës me inicialet P.Q është ushtruar dhunë nga një person i paidentifikuar.

Dhunuesi ka rrahur të moshuarën në shtratin ku flinte duke i lënë fraktura në trup dhe në fytyrë.

“Nuk e njoh personin, por arrita të dalloj që ishte një burrë, i veshur me rroba të ashpra. I thashë qe “nuk ka asgjë për të vjedhur”. Nuk më kërkoi gjë. Po bërtisja dhe thirra një fqinj. Autori u largua dhe nuk mori asgjë”, pohoi e moshuara, e cila ndodhet në spital, pasi ka marrë lëndime në trup dhe fytyrë. Ajo tha se ndihet e frikësuar dhe e kërcënuar me jetë pas kësaj ngjarje, ndërsa shtoi se në fshat është në hasmëri pasi i kanë vrarë edhe burrin para 3 vitesh.

“Jam e frikësuar se më kanë vrarë dhe burrin para 3 vitesh në fshat, jam me hasmëri”, tha e moshuara. Mësohet se e moshuara jeton bashkë me vajzën e saj rreth 50 vjeçe në banesë, e cila vuan nga problemet e shëndetit mendor. Aktualisht policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes./realstory.al

Hidhet nga 40 metra lartësi nga ura e ‘Ali Pashës’, vdes i moshuari

Një 70-vjeçar i ka dhënë fund jetës së tij duke u hedhur nga 40 metra lartësi. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të dielës në lagjen Dunavat të Gjirokastrës, ku i moshuari Servet Koçiu është hedhur nga ura e ‘Ali Pashës’ me një lartësi 40 metra.

70-vjeçari ka gjetur vdekjen e  menjëhershme, ndërsa nuk dihen motivet që e shtynë të moshuarin të ndërmerrte aktin ekstrem. Policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Plagoset në vendin e punës, 52-vjeçari goditet nga kova e ekskavatorit

Një punonjës është plagosur në vendin e punës. 52-vjeçari L.Gaba ishte duke punuar në aksin nacional Tepelenë-Gjirokastër tek Ura e Kardhiqit, ku kova e ekskavatorit i ka rënë duke i shkaktuar dëmtime të shumta në pjesën e legenit.

52-vjeçari është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal “Omer Nishani”, ku po merr ndihmën e parë mjekësore.

Nuk dihen ende detaje të tjera nga ngjarja, ndërsa ekspertët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të plagosjes së punonjësit në vendin e punës.

Shkrumbohet nga zjarri një mjet në rrugën Gjirokastër-Tepelenë

Një mjet u shkrumbua nga flakët të enjten në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë. Ngjarja ndodhi në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Kardhiqit”.

Mjeti i djegur është një “Hundai”, i cili është përfshirë nga flakët për shkaqe ende të panjohura.

Mjeti që u dogj ishte pa targan. Forcat zjarrfikëse shkuan në vendin e ngjarjes duke shuar flakët, ndërsa mjeti u shkrumbua.

Gjithashtu, edhe forcat e policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të djegies së mjetit.

Aksident në Gjirokastër, humb jetën një person

Mëngjesi i të hënës nisi përsëri me aksident. Pas fundjavës që shënoi tre viktima në Tiranë, mëngjesin e të hënës një 34-vjeçar humbi jetën në Gjirokastër.

Një mjet doli nga rruga për shkak të shpejtësisë së lartë dhe u përplas me një mur. Për pasojë humbi jetën shtetasi me inicialet J.L., i cili ishte pasagjer në mjet.

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit shtetasi me inicialet E.H., mbeti i plagosur. Ai është dërguar për kurim në spital, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas Policisë së Gjirokastrës, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e madhe. Megjithatë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Akuzon për ‘fake news’, por LSI përgënjeshtron veten: Mamani ka qenë kryetar partie

Mëngjesin e të dielës, Policia e Gjirokastrës njoftoi arrestimin e shtetasit Armand Mamai, ish-drejtor i Agjencisë së Mirëqënies dhe Kujdesit Social në Gjirokastër. Ky shtetas është arrestuar pasi dyshohet se ka vjedhur energji elektrike. Sapo lajmi u bë publik për arrestimin Mamanit, dolën dhe detaje të tjera.

Mediat shkruan se Armand Mamani ka qenë kryetar i LSI në qytetin e grutë, por Lëvizja Socialiste për Integrim e përgënjeshtroi lajmin me një deklaratë të bërë në orën 13:59 minuta. “LSI sqaron median dhe opinionin publik se Armand Mamani nuk ka qenë asnjëherë kryetar i LSI në Gjirokastër”, shkruante LSI në deklaratën e parë.

Mirëpo, në orën 16:39 minuta, zyra për shtyp e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dërgon për mediat një tjetër deklaratë, ku korrigjon deklartën e parë, në lidhje me drejtorin e arrestuar në Gjirokastër. “LSI sqaron median dhe opinionin publik se Armand Mamani nuk është aktualisht kryetar i LSI në Gjirokastër”, shkruan në deklaratën e dytë LSI, duke pranuar se Armand Mamani ka qenë kryetar i kësaj partie.

Ajo që bie në sy, në të dyja deklaratat, është fakti se LSI akuzon mediat për “Fake News”, por ishte po vetë ajo që prodhoi një lajm të rremë, duke mohuar ekzistencën e Armand Mamanit si kryetar i LSI në Gjirokastër. “LSI po ashtu përgënjeshtron prerë lajmet se arrestimi i tij është bërë në ambientet e kampit të Jalës si një fake news bajat dhe i sajuar”, shkruante LSI në të dyja deklaratat, si te ajo e mohimit dhe te ajo e përgënjeshtrimit.

Kështu, Lëvizja Socialiste për Integrim pranon zyrtarisht se drejtori i arrestuar në Gjirokastër, ka qenë pjesë e strukturave të kësaj partie, por jo vetëm, Armand Mamani ka drejtuar këtë parti në qytetin jugor, madje duke mbledhur dhe aq vota sa LSI ka nxjerr dhe deputet në këtë qark.

Kryetari i ri, akuza Ramit: Firmosi kontrata miliona lekë para largimit

Bashkia Gjirokastër ka zhvilluar të enjten mbledhjen e parë, ku nuk kanë munguar akuzat ndaj ish-kryebashkies Zamira Rami, e ardhur nga radhët e LSI. Kryebashkiaku i ri socialist i Gjirokastrës, Flamur Golemi tha se Rami vetëm pak ditë para se të dorëzonte detyrën ka firmosur kontrata miliona lekë dhe ka abuzuar me fondet e bashkisë.

Golemi tha gjithashtu se kryetari i LSI në Përmet paguhej nga bashkia si nëndrejtor i agjencisë se mirëqenies sociale.

“Gjeta në bashki punonjës që nuk kishin ardhur kurrë në punë. Gjeta kryetarin e LSI në Përmet që paguhej nga bashkia si nëndrejtor i agjencisë se mirëqenies sociale.

90% e financave janë shpenzuar në 6 muaj nga buxheti i vitit të kaluar. Abuzimet në bashkinë e Gjirokastrës nga ish-kryebashkiakja kanë qenë të mëdha. Kontrata miliona lekë janë firmosur nga Zamira Rami, një ditë para se të merrja detyrën.

Janë firmosur kontrata abuzive për varrezat për të favorizuar të afërm të saj që kanë pronësi agjenci funerale. 210 mije lekë për të hapur një gropë për të varrosur të vdekurit.” u shpreh Golemi.

Gjirokastër, turistja çeke përplaset nga dy makina

Një aksident me pasojë plagosjen e një turiste çeke ka ndodhur në qytetin e Gjirokastrës. Turistja ka tentuar të kalojë rrugën, por është përplasur nga një makinë. Mjeti që shkaktoi aksidentin ka përfunduar duke u përplasur edhe me një makinë tjetër, ndërsa turistja ka mbetur midis të dyjave.

Turistja, ende e paidentifikuar, është dërguar në spital ku po merr trajtim mjekësor. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Pazarit Karakteristik të Gjirokastrës rreth mesditës pranë xhamisë së qytetit.

Mori peng dhe dhunoi tre persona, arrestohet pjesëtari i bandës së Lazaratit, ja dosja kriminale

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një shtetas i shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 21 vite burgim. Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Shtetit, në pranga është vënë shtetasi B.B. (Bako Buzheri), 34 vjeç, banues në Gjirokastër. “Shtetasi i mësipërm ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Tiranë  e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale ”Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, thuhet në njoftimin e Policisë. Por, Bako Buzheri, është një njeri i njohur i botës së krimit në Gjirokastër. Ky person akuzohet për “rrëmbim të personit” shoqëruar me tortura fizike dhe psikike. Në vitin 2012, ky shtetas, së bashku me disa pjesëtar të tjerë të bandës, rrëmbyen dhe dhunuan rëndë tre persona të tjerë, të cilët i akuzonin si hajdut të një sasie lënde narkotike. Bako Buzheri, së bashku me Kasëm Muho, Bledar Muho, Alfons Buzheri, Aleksandër Kalemi, Arbër Meçi dhe Vullnet Buci, në vitin 2012 rrëmbyen tre persona dhe i dhunuan në mënyrë çnjerëzore në Lazarat. Personat e dhunuar në atë kohë ishin Ergest Shele dhe i vëllai i tij Velo Shele, si dhe Resul Goxhaj. Por,

Po çfarë ka ndodhur konkretisht?

Sipas prtencës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, “më 3 mars 2012, Ergest Shele dhe Velo Shele alias Kosta Agora kanë zbritur në vendin e quajtur ‘’Ura e Lumit’’, ku janë takuar me të Aleksandër Kalemi, i cili ishte me një makinë tip ‘’Ford’’ me xhama të zinj. Ergest dhe Kosta kanë hipur në makinën e tij dhe të tre kanë shkuar tek lokal ‘’Fantazia’’ afër vendit të quajtur ‘’Qafa e Pazarit’’ në Gjirokastër, ku kanë qendruar rreth 15 minuta dhe me makinën e Aleksandrit kanë shkuar në drejtim të shkollës ‘’Naim Frashëri’’ në lagjen Dunavat.

Sapo kanë filluar të zbresin poshtë rrugës, janë ndaluar nga një automjet tip furgon me ngjyrë të bardhë me targa amerikane, që drejtohej nga Arbër Meçi. Në këtë kohë nga furgoni kanë dalë dhe Bledar Muho dhe Kasëm Buzheri, të cilët janë drejtuar vëllezërve Ergest dhe Kosta me fjalët: ‘’Mos lëvizni’’. Kasëm Buzheri e ka goditur me pistoletë në kokë të dëmtuarin Ergest Shele duke i thënë: ‘’Më njeh mua…ju që donit të më vidhnit mallin mua’’. Më pas kanë goditur me grushta Ergestin dhe Kostën në trup duke i detyruar të hipin në një furgon me ngjyrë të bardhë dhe janë nisur drejt fshatit Lazarat.

Në afërsi të fshatit Kordhocë të dëmtuarit janë detyruar të hipin në automjetin e markës ‘’Audi Q7’’ me ngjyrë të zezë, që drejtohej nga i Alfons Buzheri dhe kanë vazhduar rrugën për në fshatin Lazarat. Në furgon kanë hipur edhe Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe Aleksandër Kalemi. Të pandehurit i kanë çuar të dëmtuarit në një shtëpi të braktisur në fshatin Lazarat duke ushtruar ndaj tyre dhunë ç’njerëzore.

Alfons Buzheri i ka lidhur të dëmtuarin Ergest Shele këmbët dhe duart me tel cingato dhe ka filluar ta godasë me shkelma e grushta duke i thënë: ‘’Nxirrni mallin, kush e ka marrë’’.

“Për shkak të dhunës fizike dhe psikike që të pandehurit kanë ushtruar ndaj të dëmtuarit Ergest Shele, ky është detyruar të pranojë që hashashin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhaj dhe Alban Rustemin. Pas disa orë torturash fizike, ai ka parë në dhomë të dëmtuarin Resul Goxhaj dhe të pandehurit Alfons Buzheri, Bako Buzheri, Vullnet Buci, Bledar Muho, Kasëm Buzheri bashkë me një person tjetër të paidentifikuar kanë filluar të godasin njëherësh Resulin. Për shkak të dhunës, i dëmtuari Resul Goxhaj është detyruar të pranojë se e ka vjedhur ai hashashin dhe pasi ka pohuar këtë fakt të pandehurit e kanë lënë të lirë“- thuhet në pretencën e prokurorisë.

Ngjarja e 4 majit 2016 në Tiranë

“Sipas një njoftimi shpërndarë për mediat në 4 maj 2016, Policia e Shtetit njoftonte për një ngjarje të rëndë ndodhur në afërsi të sheshit “Karl Topia”. Sipas njoftimit të asaj kohe, shtetasi Bako Buzheri, së bashku me një person tjetër, u ndaluan nga patrulla e policisë. Gjatë kohës që punonjësi i policisë prezantohet, shtetasi Bako Buzheri e godet me grushte, ndërsa një tjetër punonjës i policisë bën qitje me armë në ajër”.

“Sapo është bërë i mundur neutralizimi i këtyre shtetasve, Bako Buzheri, ka nxjerr një sasi të dyshuar si lëndë narkotike “Cannabis Sattiva” dhe e ka gëlltitur. Punonjësit e policisë kanë bërë të mundur që të sekuestrojë një pjesë të kësaj lënde narkotike. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Tahir B. policia gjeti dhe sekuestroi një numër i konsiderueshëm fara të dyshuara narkotike”.

“Shtetasi Bako Buzheri, ka qenë i dënuar më parë nga Gjykata e shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me 21 vite heqje lirie për veprat penale të, “Heqje me të padrejtë e lirisë” dhe “Shtrëngimit për dhënie pasurie”, por është lënë i lirë duke u shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetasve të lartpërmendur”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e Policisë së Shtetit tre vjet më parë.

I vë flakën barit në oborr, zjarri rrezikon varrezat në Gjirokastër

Një banor i fshatit Dhoksat në Gjirokastër i ka vënë zjarrin barit të thatë në oborrin e shtëpisë dhe më pas zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka përfshirë edhe varrezat e fshatit.

Për shkak të erës zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke rrezikuar djegien e varreve.

Fatmirësisht zjarrfikësja ka mbërritur në fshat dhe ka bërë të mundur vendosjen nën kontrolli të flakëve.

Skip to toolbar