Një ditë pasi Arta Vorpsi u emërua anëtare e
Gjykatës Kushtetuese, vendim i botuar në Fletoren Zyrtare, reagoi Presidenti
Ilir Meta. Ai publikoi letrën e plotë dërguar kryetarit të Kuvendit, kryetarit
të KED dhe Avokatit të Popullit, në lidhje me pezullimin e procesit të emërimit
të anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, që i përket kreut të shtetit. Së pari,
Meta i qëndron argumentit të tij, se pasi ai emëroi Besnik Muçin anëtar të
Gjykatës Kushtetuese, ishte radha e Kuvendit për të bërë emërimin e anëtarit
tjetër.
“Neni 179 pika 2 e Kushtetutës, përcakton:
“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga
Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga
Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas
hyrjes në fuqi të këtij ligji.”, shprehet Meta. Më pas, ai gjen alibi duke sulmuar
Këshillin e Emërimeve në Drejtësi se ka shkelur procedurën. Sipas Metës, KED
dërgoi listat në Kuvend më vonë se sa duhej.
“Në aktet e dërguara pranë Institucionit të
Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet e
dërgimit të të dy listave njëherazi apo shkaqet e vonesës së dërgimit të dy
listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit. Ky veprim administrativ
i KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar
brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar
është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e
Presidentit, dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të
detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve
vakante”, shprehet Meta. Megjithatë, këto nuk janë argumentet e vetme të Ilir
Metës.
Duket se “djalli fshihet në detaje” sa i
përket bllokimit të Gjykatës Kushtetuese. Së pari lidhet me procedurën, atë që
Ilir Meta e citon duke e theksuar: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në
Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga
Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të
gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Pra, nisur
nga ky pohim, edhe nëse do të ishte ndjekur radha e përcaktuar për emërimin e
anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese sipas kronologjisë President, Kuvend, Gjykatë
e Lartë, në hallkën e fundit mund të krijohej përsëri ngërç.
Kjo për faktin se Gjykata e Lartë ende nuk
është funksionale, dhe në mos funksionim të saj, bie mundësia që të zbatohet
radha kronologjike e plotësimit të vakancave në kushtetuese. Kështu, ndoshta në
funksion të këtij fakti, KED vendosi që Arta Vorpsi të emërohet anëtare e dytë
e Gjykatës Kushtetuese sipas vakancës së Presidentit të Republikës duke vepruar
sipas sanksionit kushtetues: se nëse presidenti nuk përzgjedh një nga tre
kandidatët në listë, i pari me më shumë pikë emërohet automatikisht. Por, duke
u nisur nga veprimi i Presidentit, gjasat janë që edhe nëse ai do të kishte
zgjedhur anëtarin e dytë të kushtetueses në këtë raund, mund të kishte bllokuar
përsëri procesin pasi të kishte votuar dhe Kuvendi anëtarët e tij. Justifikimi
do të ishte se Gjykata e Lartë nuk është funksionale dhe s`mund të zgjedhë
kandidatët e saj.
Një tjetër detaj për të tentuar bllokimin e
Gjykatës Kushtetuese lidhet me një tjetër argument të Presidentit. Meta kapet
me një tjetër detaj, me faktin se, qoftë në listat që KED i ka dërguar presidentit
qoftë në ato që i ka dërguar Kuvendit, gjenden pothuajse të njëjtët emra.
Kështu, duke përjashtuar listën e parë, pra atë nga tashmë është zgjedhur
Besnik Muçi, në tre listat e tjera, ajo dërguar presidentit, dhe dy Kuvendit,
janë në garë pothuajse të njëjtët emra. Kështu, në listën e datës 21 shtator që
KED i dërgoi Kuvendit renditen tre emra: Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik
Muçi.
Praktikisht, kjo listë mund të cilësohet e
djegur tashmë, pasi Arta Vorpsi u emërua një ditë më parë, ndërsa Besnik Muçi u
dekretuar disa javë më parë nga Meta. Kështu, dy kandidatët që gjendeshin në të
dyja listat, si në atë të Kuvendit dhe atë Presidentit, tashmë quhen të
emëruar. Tani pritet të mësohet nëse Kuvendi do të veprojë duke përzgjedhur
Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, dy kandidatet e vetme të mbetura në dy
listat për dy vakancat e kushtetueses që do të plotësohen nga Kuvendi?
Pavarësisht këtij fakti, Meta edhe në këtë
pikë, me këtë argument duket se fsheh diçka tjetër. Më shumë sesa procedura e
përzgjedhjes, interesi ka qenë për të mësuar lëvizjen e radhës të Kuvendit për
emrin që do të zgjidhte. Fakti është se katër listat e kandidatëve kanë
pothuajse të njëjtët emra. Kur Ilir Meta zgjodhi Besnik Muçin, që ishte i
renditur i fundit në listën e pikëzimit, ai anashkaloi Arta Vorpsin, e cila
qëndron e para në të katër listat e pikëzimit. Edhe pse zakonisht rekomandohet
që kandidati i renditur më lartë me pikë zgjidhet i pari, Meta bëri krejt të
kundërtën.
Ndoshta në këtë pikë mund të ketë dhe një
tjetër shpjegim bllokimi i kushtetueses nga Meta. Emri i Arta Vorpsit ishte
përsëri në krye të listës që Presidenti duhet të përzgjidhte anëtarin e dytë të
kushtetueses. Nëse në rastin e listës së parë ndodhej një kandidat mashkull,
siç ishte Besnik Muçi, në listën e dytë nuk ishte asnjë i tillë. Ndaj Meta
refuzoi përsëri një kandidate që vlerësohet më lartë se gjithë kandidatët e
tjerë, e cila tashmë është zyrtarisht në detyrë, pasi ligjvënësit kanë krijuar
“çelësin zhbllokues” të ngërçit duke emëruar automatikisht më të mirin e
listës.
Ndërkohë, për të gjithë ngërçin e krijuar Meta
bën fajtore KED, pasi sipas tij, nëse listat e kandidatëve do të ishin miratuar
sipas radhës së shpallur për vakancat, do të ishte shmangur përplasja. “Në
zbatim të nenit 179 pika 2 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, dhe 86 pika 4 të
ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Këshilli i Emërimeve në
Drejtësi, domosdoshmërish, në fazën përfundimtare të miratimit dhe dërgimit të
listave përfundimtare, duhet të respektonte kërkesat e mësipërme të Kushtetutës
dhe ligjit. Duke i miratuar dhe përcjellë listat tek secili organ emërtese
sipas kësaj radhe dhe të diferencuara në kohë KED-ja do të shmangte situatën
paradoksale procedurale të krijuar”.
“KED-ja me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasin Presidentit të Republikës, e ka vendosur Institucionin e Presidentit të Republikës në vështirësi, duke u përpjekur të krijojë një gjendje fakti ku Presidenti sipas KED-së do të duhet të shprehet brenda afatit ligjor 30-ditor edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër për plotësimin e vakancës tjetër, eventualisht përpara se Kuvendi të shprehet për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues. Nëse Presidenti i Republikës, do të ndjekë këtë logjikë siç ka vepruar administrativisht Kryetari i KED-së, kjo do të çonte domosdoshmërish në shkelje të parashikimeve të dispozitave të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8577/2000, për sa i takon respektimit të radhës së emërimit apo zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj kushtetues”, shkruan ndër të tjera Meta. /Realstory.al/