KPA refuzon provat “greke e turke” të Besnik Muçit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu vendimin për gjyqtarin e sapozgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, i cili u rikthye në Vetting pas ankesës së Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik dyshon se ish-prokurori, tashmë gjyqtar i dekretuar në kushtetuese, nuk justifikon pasurinë e tij, ku nga viti 2003 deri në vitin 2006 si dhe në vitin 2016, ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara.

Për këtë arsye, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Besnik Muçit nga radhët e drejtësisë. Në seancën e të hënës, Besnik Muçi, paraqiti disa prova të reja, duke i kërkuar trupit gjykues marrjen e tyre në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Por, trupi gjykues refuzoi të marrë në konsideratë disa prova të paraqitura nga Besnik Muçi, të cilat ishin në gjuhën greke dhe turke. Sipas njoftimit të KPA, këto prova, në gjuhë të huaja, nuk ishin të legalizuara në rrugë diplomatike ose me vulë apostile, ndërkohë që mori disa prova të tjera shkresore.

Për këtë arsye, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i kërkoi Komisionerit Publik të paraqesë një vlerësim në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet në datën 7 nëntor.

Kujtojmë se pak kohë më parë Ilir Meta e dekretoi Besnik Muçin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ai ishte renditur i treti me pikë. Argumenti kryesor i presidentit për emërimin e Muçit si anëtar të kushtetueses, ishte fakti se ish-prokurori ishte i gjinisë mashkull.

Vetting nxjerr jashtë gjyqtarin e “listës së zezë” të SHBA-BE

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi gjyqtarin Artur Malaj, duke e larguar nga radhët  e drejtësisë. Gjyqtari Pranë Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, pasi kaloi shkallën e parë të Vetting në tetor të vitit të kaluar, u rikthye në rivlerësim nga Komisioneri Publik.

Në deklaratën e Komisionerit Publik thuhej se: “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pronat në përdorim apo posedim të tij dhe të personave të tjerë të lidhur me të, si dhe nuk ka arritur të argumentojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave të krijimit të tyre nga personat e tjerë të lidhur, me qëllim arritjen e një niveli të besueshëm të vlerësimit të pasurisë”.

“Komisioneri Publik, në zbatim të kompetencave të njohura nga Kushtetuta, dhe në konsideratë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që në përfundim të gjykimit të çështjes në seancë publike të vendosë ndryshimin e vendimit, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, z. Artur Malaj”, kërkesë që u plotësua nga vendimi i KPA.

Kolegji gjeti të arsyeshme se gjyqtari Artur Malaj nuk justifikonte pasurinë, duke vendosur përfundimisht shkarkimin e tij. Gjyqtari Malaj ishte një nga disa gjyqtarët e “listës së zezë” të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Vettingut. Ndërkohë, Artur Malaj ishte kandidat për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

“Pasuria”, dy herë Vetting, kandidatit të Kushtetueses e SPAK

Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi është paraqitur të premten në seancën dëgjimore përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkoi rivlerësimin e tij. Ndaj Besnik Muçit, Komisioneri Publik bëri ankesë, pasi ai kaloi procesin e Vettingut më 12 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas ankesës së bërë nga Komisioneri Publik, “prokurori Besnik Muçi, gjendet në pamundësi financiare për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë, si dhe ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamajaftueshëm të pasurisë; rrjedhimisht Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit”. Sipas Komisionerit Publikë, Besnik Muçi nuk justifikon vlerën e kursimeve prej 200 mijë lekësh dhe 4 hua në vlera të ndryshme të marra nga familjarët e tij ndër vite.

Gjatë seancës të së premtes, Besnik Muçi ka kundërshtuar shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i “konsideruar si të pabazuara në ligj e në prova dhe i kërkoi trupit gjykues çeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të reja që i paraqiti gjatë seancës së sotme gjyqësore”.  

Ndërkohë, Trupi gjykues vendosi të marrë si provë aktet e paraqitura në kuadër të shkaqeve të ankimit që lidhen me kriterin e pasurisë, duke i konsideruar të pranueshme nga pikëpamja formale, ndërkohë që vlera e tyre provuese do të analizohet në kuadër të marrjes së vendimit përfundimtar. Megjithatë, KPA ka refuzuar të marrë si provë disa akte shkresore të paraqitura nga Besnik Muçi, që lidheshin me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, pasi konstatoi se këto akte tejkalonin shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik që lidhen vetëm me kriterin e pasurisë.

Ndërkohë, përsa i përket një kërkese që bëri Komisioneri Publik për marrjen si provë të një informacioni të përcjellë nga DSIK pranë Komisionerit Publik më datë 16.11.2018, trupi gjykues vendosi që duke qenë se nuk është pjesë e ankimit, do ta shqyrtojë vetëm pasi të njihet me dokumentacionin dhe ta analizojë atë.

Për shkak të provave të reja, të paraqitura të premten në seancë nga Besnik Muçi, trupa gjykuese e KPA-së ka vendosur që seanca e radhës të shtyhet për në datën 1 tetor, aty ku pritet të ketë dhe një vendim për Prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. Kujtojmë se subjekti i rivlerësimit, Prokurori Besnik Muçi, është kandidat për tu bërë anëtar e Gjykatës Kushtetuese në vend, njëherazi kandidat edhe për tu bërë pjesë e Prokurorisë Speciale, SPAK. /Realstory.al/

ONM kthen në vetting prokurorin Artan Madani

Komisioneri Publik pritet të ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit kërkesën për rivlerësim të kryeprokurorit të Kavajës, Artan Madani, i cili mori dritën jeshile nga KPK. Artan Madani kaloi vettingun më 1 korrik 2019, por duket se ai ende nuk ka bindur vëzhguesit ndërkombëtar të ONM që mbikëqyrin procesin e vettingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

ONM i ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ankimimin në KPA të vendimit të konfirmimit në detyrë të kryeprokurorit të Kavajës, Artan Madani. Këtë kërkesë Komisionerët publik duhet ta ankimojnë pranë KPA brenda 15 ditëve pasi të njoftohen me shkrim për vendimin e  Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Nuk dihet se cila çështje ka penalizuar kryeprokurorin e Kavajës, Artan Madani që ONM nuk është bindur dhe ka kërkuar rivlerësim të tij.

Vettingu është një proces vlerësimi për prokurorët dhe gjyqtarët në tre drejtime 1-justifikimin e pasurisë 2-pastërtinë e figurës dhe 3-aftësitë profesionale.

Pretendimet e Salianjit në KPA për Osmanin rrëzohen nga “prova e tij”

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka dorëzuar të mërkurën një CD në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku pretendon se ka materiale inkriminuese për prokurorin Gent Osmani.

Salianji pas dorëzimit të CD në KPA, tha në një deklaratë për mediat se  prokurori Gent Osmani shfaqet duke bën biseda inkriminuese me Alfred Alizotin, i njohur në çështjen “Babalja”. Sipas Salianjit në përgjime tregohen lidhjet e tij me krimin për të ndikuar në çështje të caktuara për ‘i shërbyer politikës. Të tillë prokurorë deklaroi Salianji duhet të dalin nga sistemi nëse duam një drejtësi të pavarur.

“Sapo dorëzova një CD me të dhëna përgjuese, të bëra me vendim gjykate nga ana e prokurorisë, në të cilat subjekti në rivlerësim, Gent Osmani, sot anëtar i KLP-së, një prej drejtuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili vendos për emërimin, shkarkimin apo transferimin e prokurorëve të çdo niveli, po ashtu edhe për krijimin e SPAK-ut, ka komunikuar në mënyrë jo vetëm miqësore, por edhe duke prishur dhe fshirë një pjesë të përgjimit, siç duket në përgjimin që do ta bëj publike edhe për mediat, me shtetasin Alfred Alizoti. E ka vendosur vetë në përgjim dhe ka komunikuar po kështu në mënyrë miqësore, pa lënë më pas asnjë lloj procesverbali, pa pasur asnjë lloj dokumentimi të të gjithë situatës së komunikimit me të dhe duket që është vendosur në mënyrë joprofesionale në shërbim të politikës dhe padiskutim të ish-ministrit Xhafaj, i cili e ka trysnuar për ta mbajtur peng në Kolegjin e Apelimit, sepse në KPK e ka kaluar vetingun.

Është një rast flagrant se si një prokuror, në mënyrë joprofesionale vendoset në shërbim të politikës, duke montuar një çështje të caktuar. Ne nuk po sulmojmë drejtësinë, por jemi për drejtësi të pavarur. Të tillë prokurorë duhet të dalin nga sistemi. E kam dorëzuar materialin sipas procedurave. Duhet të hapet një hetim për shpërdorim detyre për Gent Osmanin” – tha Salianji

Gent Osmani, prokurori i Krimeve të Rënda dhe anëtarë i Këshillit të Lartë të Prokuroisë, pritet të marrë të enjten vendimin final nga KPA për procesin e vettingut. Ai u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra, me argumentin se nuk justifikon pasurinë.

Ajo që vihet re në një video të shkurtër e përgjimit, të shpërndarë nga vetë PD-ja, është se në bisedën mes Alfred Alizotit dhe prokurorit Gent Osmani nuk ka asgjë miqësore, siç pretendon ish deputeti demokrat Salianji. Madje në një moment prokurori i drejtohet Alizotit, i cili e thërret në emër, duke i thënë “jo Genti, por prokuror Genti, nuk jam shoku jot” Kjo frazë e thjeshtë dhe e shkurtër hedh poshtë të gjithë pretendimin e Salianjit se mes tyre ka pasur një bisedë miqësore.

Pasuri e dyshimtë, KPA lë në fuqi shkarkimin e Brocit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi me unanimitet, të premten, vendimin e marrë më herët nga KPK, për të shkarkuar gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Artan Broci. Trupa gjykuese e KPA kryesohej nga Ina Rama, ndërsa relator ishte Ardian Hajdari, me Albana Shtyllën, Luan Dacin dhe Sokol Çomon anëtar. Pas dëgjimit të kërkesave nga palët, KPA vendosi se shkarkimi i Brocit ishte i drejtë.

 “Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” të ligjit nr.84/2016, vendosi në mënyre unanime: Lënien në fuqi të vendimit nr.53, datë 31.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Artan Broci”, thuhet në vendimin që është përfundimtar.

Gjyqtari Artan Broci u shkarkua me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 13 korrik të vitit të kaluar. Shkak i shkarkimit të tij ishte se “nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”, si dhe vlerësimi me notë negative në kriterin e aftësive profesionale, duke “cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

Donika Prela sërish për rivlerësim në Vetting

Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela do të përballet dhe njëherë me Vettingun, pas ankimimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik. Njoftimin e ka bërë vetë institucioni i KPA-së, ku ka përcaktuar sot trupën gjykuese që do të merret me çështjen.

Njoftimi i KPA:

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit, znj. Donika Prela.

Sot, në datën 02.05.2019, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.

Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:

Kryesuese: Natasha Mulaj

Relator: Ardian Hajdari

Anëtarë: Ina Rama, Luan Daci, Sokol Çomo

KPA shkarkim të formës së prerë për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë

Shkarkimi i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza është dhënë në formën e saj përfundimtare, pas apelimit të tij. Më herët Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte shkarkuar gjyqtarin, pasi kishte fshehur një dëmin në Itali në vitin 1999.

Sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit dha fjalën e tij përfundimtare duke mbajtur në fuqi vendimin e dhënë nga KPK. Në njoftimin e dhënë, KPA shkruan:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari relator dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci, Natasha Mulaj, sot, më datë 18.04.2019, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen (JR) nr.22/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Admir Thanza kundër vendimit nr.40, datë 17.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a”, të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në mënyrë unanime, vendosi:

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 40, datë 17.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Admir Thanza.
  2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.”
Skip to toolbar