Jo vetëm partitë, por edhe kandidatët nën sitë për financimin e fushatës

Jo vetëm partitë politike, por edhe kandidatët për kryetarë bashkish do të deklarojnë burimin e financimit të fushatës zgjedhore. Kështu tha sot kryetari i Komisionit Qëndror Zgjedhor, Klement Zguri, i cili mori pjesë në konferencën për raportimin financiar të partive dhe kandidatëve zgjedhorë.

Zguri tha se transparenca e financimit të partive është kusht për zhvillimin e një gare të ndershme dhe të barabartë.

 “Mungesa e transparencës së financimit të partive është ftesë për disbalancimin e fushatës, për orientimin e aktorëve drejt taktikave elektorale të paligjshme, drejt shitblerjes së votës, drejt prishjes së administrimit zgjedhor, drejt manipulimit të rezultateve.

Mungesa e transparencës për financat dhe shpenzimet e partive politike nënkupton korrupsion në financim. Dhe korrupsioni në financimin e partive politike është një nga çështjet më kritike në demokracitë e sotme.

Në këtë proces zgjedhor, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë transparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim”, tha kreu i KQZ-së.

Financimi i fushatave zgjedhore ka qenë gjithmonë problem në Shqipëri dhe ka nxitur akuza politike për shkak se gjithmonë ka pasur dyshimet se fushatat zgjedhore financohen nga persona të lidhur me krimin.

Nuk iu pranuan komisionerët, Kryemadhi sulmon KQZ

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka hedhur akzua të forta drejt KQZ, pas vendimit të saj për të mos pranuar komisionerët e PD dhe LSI në KZAZ-të e zgjedhjeve vendore.

Gjatë takimit të zhilluar të enjten pasdite me strukturat e LSI në njësinë nr.8, Kryemadhi tha se ekziston një KQZ ilegjitime me 4 kukulla qesharake që veprojnë në shkelje të Kodit Zgjedhor.

“Kemi një KQZ ilegjitime me 4 kukulla qesharake. Do mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penale për shkeljen e Kodit Zgjedhor. J’ua them këtë me bindjen më të plotë. Në Shqipëri portokallja është e vogël, ndaj duhet të kenë diçka parasysh, përgjejësia do jetë përsonale si për Ramën ashtu edhe për anëtarët e KQZ që cënojnë Kodin Zgjedhor.” – tha Kryemadhi

I ndalohet kandidimi, Fredi Beleri kërkon ndihmën e Athinës

Ndalimi i kandidimit të Fredi Belerit për Bashkinë Himarë nga KQZ ka ngjallur reagimin e Athinës Zyrtare. Fredi Beleri është kryetar i Omonias në Himarë, ndërsa hodhi kandidaturën për kryetar të Bashkisë Himarë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Në vlerësimin e kandidaturës së tij, KQZ vendosi që Beleri nuk i plotësonte kriteret pasi ishte në shkelje të ligjit. Beleri është gjetur në shkelje të ligjit të dekriminalizimit ku rezulton i dënuar nga Gjykata e Athinës në vitin 1999 për armëmbajtje pa leje dhe nga Gjykata e Vlorës në vitin 2006 për thirrje urrejtjeje nacionaliste.

Ministria e Jashtme greke tha se vendimi i KQZ nuk ka bazë ligjore dhe po ndjek me shqetësim këtë situatë.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri për të mos lejuar kandidimit e zotit Beleri është tepër shqetësues. Me sa jemi në dijeni deri më tani ky vendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke ndjekur zhvillimet dhe jemi të gatshëm të ndihmojnë përfaqësuesit e minoritetit.” – thuhet në reagim

Përplasje në KQZ, PD rikthen përfaqësuesit e saj

Pas deklarimit se do të dërgojë përfaqësuesit e saj në çdo KZAZ, Partia Demokratike ka dërguar sot përfaqësuesit e saj në KQZ, pas 3 muajsh mungesë, që nga djegia e mandateve.

Rikthimi i tyre është shoqëruar me debate mes anëtarit socialist në KQZ, Denar Biba dhe përfaqësuesit demokrat Njazi Kosovrasti.

Biba tha se duke “mos qenë subjekt zgjedhur keni të njëjtin rol me gazetarët”, ndërsa Kosovrasti tha se PD “është parti parlamentare dhe ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e KQZ-së.”

Ja debati i plotë:
Denar Biba: Intensiteti i pyetjeve më duket pak e tepruar. Duke mos qenë subjekt zgjedhor, me mirëdashje.

Njazi Kosovrasti: Nuk kam lidhje me mirëdashjen, kam lidhje me Kodin Zgjedhor. Nëse ky intensitet është në kundërshtim me Kodin atëherë.

Denar Biba: Vlerësoj se duke mos qenë subjekt zgjedhor.

Njazi Kosovrasti: Merrni vendimin që PD të marrë pjesë në zgjedhje, ose të marrë pjesë e të mos flasë.

Denar Biba: Jeni subjekt zgjedhor, jeni regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit

Njazi Kosovrasti: Jo, e çdo të thotë kjo. Por kam një nen. Unë jam parti parlamentare dhe si e tillë më takon të marr pjesë në KQZ dhe meqë ju dëshironi po ju citoj Kodin Zgjedhor.

Denar Biba: E njoh ligjin nuk keni pse të ma lexoni. PD ka një marrëdhënie të shkëputur nga parlamenti aktualisht është fakt i njohur publikisht

Njazi Kosovrasti: Çfarë pune keni ju. Pa diskutim që jemi parti parlamentare dhe kuptimi i partisë parlamentare përcaktohet nga rezultati i zgjedhjeve të radhës

Denar Biba: Po, por ju ato mandate i keni dorëzuar

Njazi Kosovrasti: Bëni detyrën zoti Biba si anëtar i KQZ mos u merr me probleme të politikës.

Denar Biba: Unë qëndrova tek elementi i pastër administrativ i ndërhyrjes së vazhdueshme

Njazi Kosovrasti: Problemin e intensitetit, e vendosi ju masën e ndërhyrjeve të mia?

Denar Biba: Ju lutem qëndroni ligjin.

Njazi Kosovrasti: Unë i qëndroj ligjit jo preferencave tuaja.

KQZ kalon në “sitë” kandidatët për zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me ndihmën dhe informacionet e marra nga Drejtoria e Burgjeve, ajo e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore, ka nisur procesin e skanimit të kandidatëve për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në “sitë” do të kalojnë të gjithë kandidatët për Kryetar Bashkie dhe ato për Këshillin Bashkiak duke vlerësuar procesin e integritetit të tyre.

Skanimi nisi me kandidatët e PS ku u skanuan 16 prej tyre, të cilët morën aprovimin e KQZ-së, pasi nuk kishin asnjë problematikë që mund t’u pengonte kandidimin.

Pjesë e skanimit të sotëm ishte edhe ish gardisti i 21 janarit, Agron Malaj për Bashkinë Mat, i cili kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim prej 10 muajsh për armëmbajtje pa leje. Ky dënim e pengon kandidimin e tij.

Përfundon afati për regjistrim. Opozita mbetet jashtë zgjedhjeve

Dje në mesnatë ka qenë afati i fundit zyrtar për partitë që të regjistrohen në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Nga KQZ është zyrtarizuar regjistrimi i 61 kandidatëve të Partisë Socialiste dhe kandidatët e Partisë Bindja Demokratike.

Ndërkohë që partitë e opozitës si PD dhe LSI mbetën zyrtarisht jashtë zgjedhjeve të qershorit për shkak se nuk kanë dorëzuar asnjë dokument për t’u regjistruar në KQZ.

Deri  tani kandidatët për Bashkinë e Tiranës duket se janë dy, Erjon Veliaj për PS-në dhe Arbën Skënderi për Bindjen Demokratike.

Regjistrimi i BD, Kaso: I paligjshëm, Rama armik i zgjedhjeve

“Vendimi i paligjshëm dhe politik i shumicës së Ramës në KQZ është një tjetër provë për opozitën se Edi Rama është armik i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.” Kështu e ka quajtur demokrati Ivi Kaso vendimin e KQZ për regjistrimin e Bindjes Demokratike. Përmes një reagimi në Facebook, Kaso e ka cilësuar si të paligjshëm regjistrimin e Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 30 qershorit dhe ka akuzuar Ramën se kërkon të ketë një opozitë fasadë.

“Arsyeja pse Edi Rama vendosi që të uzurponte KQZ, duke emëruar në kundërshtim me ligjin 4 anëtarë nga PS, është që, sa herë ka zgjedhje, të shpikë rregullat e lojës sipas qejfit. Sot vendosi të regjistrojë Bindjen Demokratike si opozitë fasadë, si patericën e tij në zgjedhje me synimin për të zbehur mungesën e opozitës së vërtetë. Vendimi i paligjshëm dhe politik i shumicës së Ramës në KQZ është një tjetër provë për opozitën se Edi Rama është armik i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”- shkruan Kaso

Kaso e mbyll shkrimin e tij duke thënë se Rama e ka të kotë, pasi populli ka vendosur që në datën 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje.

Arsyeja pse Edi Rama vendosi qe te uzurponte KQZ, duke emeruar ne kundërshtim me ligjin 4 anetare nga PS, eshte qe, sa…

Publiée par Ivi Kaso sur Samedi 27 avril 2019

KQZ regjistron Bindjen Demokratike, Zguri kundërshton

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar me 4 vota pro dhe 1 kundër partinë më të re Bindja Demokratike për pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e 30 qershorit.

Ajo që pritej të ishte një proces rutinë dhe të miratohej me vendim unanim, në fakt rezultoi në kundërshtim të fortë të vetë kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri. Gjatë komentit të tij, Zguri tha se Bindja Demokratike nuk ka lindur ende në kuptimin juridik, pasi nuk kemi një vendim të gjykatës dhe si e tillë nuk mund të regjistrohet.

“Unë si zyrtar i shtetit, dhe si administrator i zgjedhjeve, nuk mundet dhe nuk mund t’ia lejoj vetes që dëshirat e mia, t’ia mbivendos ligjit. Edhe në momentin që flasim, vendimi i gjykatës nuk ka marrë formë të prerë, c’ka nënkupton se partia Bindja Demokratike, akoma nuk ka lindur në kuptimin juridik dhe nuk mund të bëjë, veprime. Kemi një vendim të vitit 2015, më shumë se gjysma e anëtarëve që jemi këtu kemi qenë prezentë, kemi qenë aktorë, kemi votuar 7 me 0 që një subjekt të mos regjistrohet dhe që ishte në të njëjtat kushte që mos regjistrohej për zgjedhjet e vitit 2015. Zgjedhjet janë të qytetarëve, duhet të kenë alternativa të bollshme dhe zgjedhjet të jenë të ndershme dhe demokratike, por mbi të gjitha duhet të jenë ligjore. Unë nuk jam i bindur se subjekti në fjalë, plotëson kriteret ligjore për të garuar në zgjedhjet.” – tha Zguri

Skadon afati, 34 parti regjistrohen në KQZ për zgjedhje

Ka skaduar afati i vendosur nga Komisioni Qëndror Zgjedhor për t’i dhënë mundësi partive politike për t’u regjistruar për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit. Janë regjistruar gjithsej 34 parti që kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje. Por në këtë listë mungojnë partitë e Koalicionit Opozitar.

Kështu nuk janë regjistruar në zgjedhje PD, LSI, PR, LZHK, PDK, PBDNJ, PDIU, si dhe të tjera që nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit. Dita e djeshme ishte afati i fundit ligjor i vendosur nga KQZ, brenda të cilit partitë politike do të duhet të dorëzonin kërkesat për regjistrim në zgjedhje.

Në pritje për të marrë vulën përfundimtare nga KQZ si pjesë e zgjedhjeve janë edhe 8 parti të tjera, të cilat kanë dorëzuar brenda afatit ligjor kërkesat për regjistrim në KQZ. Një prej tyre është edhe Bindja Demokratike, e cila depozitoi kërkesën në limitet kohore. E në këto kushte i takon KQZ të vendosë për regjistrimin e tyre në zgjedhje.

Në total, pjesë e garës për zgjedhjet e pushtetit vendor do të jenë 42 subjekte politike, që kanë respektuar afatet ligjore për regjistrim.

Partitë e regjistruara në KQZ:

1. Partia Socialiste e Shqipërisë                                     Edi Rama

2. Partia Socialdemokrate Shqiptare                            Skender Gjinushi

3. Partia Fryma e Re Demokratike                                Bamir Topi

4. Partia Demokracia Sociale                                          Paskal Milo

5. Partia Ligj dhe Drejtësi                                                Spartak Ngjela

6. Partia Lista e Barabartë                                               Ben Blushi

7. Partia Zgjidhja                                                                Koço Kokëdhima

8. Partia e Gjelbër                                                               Edlir Petanaj

9. Partia Kristian Demokrate                                           Dhimitër Muslia

10. Partia Aleanca Demokristiane                                   Zef Bushati

11. Partia Socialiste e Moderuar                                      Gjergji Koja

12. Partia Unitetit Kombëtar                                            Idajet Beqiri

13. Partia Emigracionit Shqiptar                                     Kostaq Papa

14. Personat me Aftësi të Kufizuar                                  Gjovalin Shqalshi

15. Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare                            Genci Sakaj

16. Partia e të Drejtave të Mohuara                                 Ilir Vata

17. Demokracia e Re Europiane                                       Koçi Tahiri

18. Aleanca për Barazi e Drejtësi Europiane                  Valentino Mustaka

19. Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet     Kujtim Muça

20. Partia Ardhmëria Shqiptare                                       Emin Subashi

21. Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen                     Kristo Kiço

22. Partia për Demokraci dhe Solidaritet                       Gaqo Apostolo

23. P. Për Mbrojtjen e të drejtave te emigranteve         Ymer Kurti

24. Partia Komuniste e Shqipërisë                                  Qemal Cicollari

25. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar                         Ylber Valteri

26. Partia Ora e Shqipërisë                                                Zef Shtjefni

27. Partia Bashkimi Liberal Demokrat                           Arian Starova

28. Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë                       Arian Galdini

29. Partia Kombëtare Konservatore                                Kujtim Gjuzi

30. Partia për Mbrojtjen e te Drejtave të Puntoreve    Kadri Isufaj

31. Partia Aleanca Kuq e Zi                                                Kreshnik Spahiu

32. Partia e Reformave Demokratike                              Krenar Rryçi

33. Partia e Pajtimit Kombëtar,                                        Spartak Dobi

34. Partia Socialpuntore Shqiptare,                                 Ramadan Ndreka

Grupit parlamentar demokrat i shtohen dhe 3 deputetë të rinj

Opozita në Kuvend vazhdon të shtohet në numër. Ditën e sotme Komisioni Qendror Zgjedhor i ka dhënë mandatin 3 kandidatëve, të cilët vijnë nga lista shumë-emërore e Partisë Demokratike.

Zef Shtjefni nga qarku Shkodër, Nikolin Straka nga qarku Shkodër dhe Artur Roshi nga qarku Tiranë, janë 3 emrat e rinj që priten të marrin mandatin e deputetit dhe të bëjnë betimin e tyre në Kuvend.

Së bashku me 3 kandidaturat e reja, numri i deputetëve në Kuvend shkon në 105.

Skip to toolbar