Lerda s`kënaqet: Kukësi i kampionatit më i rëndësishëm se i Superkupës

Partizani do të përballet me Kukësin të premten në “Elbasan Arena”, në takimin hapës të Superligës për sezonin 2019/20. Skuadra e “kuqe” vjen pas suksesit një javë më parë në Superkupë, ku mundi rivalin verilindor, me të cilin përballet përsëri në kampionat. Trajneri Franko Lerda ka folur një ditë para ndeshjes në konfernecë për shtyp, ku së pari ka komentuar deklaratat e Shpëtim Duros, që u shpreh se “Kukësi luajti më mirë”. “Është opinioni i tij, e respektoj. Ndeshjen e pamë të gjithë, sipas meje ishte e ekuilibruar, foli një pjesë për secilin, ne bëmë më mirë në kohët shtesë. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme pasi kjo e Superkupës është e kaluar”.

Megjithatë, tekniku italian shprehet se ndeshja më e rëndësishme është të premten, ajo për kampionat, ndërsa tregon se për të ndeshjet do të merren hap pas hapi.  “Ajo që vjen është ndeshje më e rëndësishme, pasi duhet ta luajmë. Jo se nuk ishte Superkupa, se e donin shumë, por e kemi kaluar, më e rëndësishme është ajo që vjen. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshje, ilaçi është puna e përditshme, duke përgatitur ndeshjet në mënyrën më të mirë psikologjike e taktike dhe të mendojmë se kur je kampion kundërshtarët japin diçka më shumë, ndaj duhet të jemi gati”.

Gjendja fizike është i vetmi shqetësim për Lerdën, ndërsa për sfidën e të premtes, preferon që skuadra të japë maksimumin, pa vendosur objektiva për rezultatin.  “Kukësi ka një skuadër shumë të mirë, ka invidualitete, një trajner të aftë, ekspert dhe të përgatitur. Do të jetë e vështirë. E kemi parë disa ditë më parë, por unë kam shumë besim te djemtë, respektojmë Kukësin por kam besim se ia dalim. Unë para ndeshjeve mendoj të arrij maksimumin, pastaj nëse vjen një barazim, do të shohim se si vjen ai. Superkupën nuk e lëshojmë se e fituam, nesër do të jetë një ndeshje tjetër, tërësisht ndryshe se nisesh 0-0. Do ta shohim se çfarë ndeshje është, por Kupën e mbajmë, nuk heqim dorë”.

Të premten nis Superliga, Duro: Kam ardhur të dalë kampion me Kukësin

Të premten në 23 gusht ngre tiparin sezoni i ri i Superligës. Një javë pasi u ndeshën në Superkupën e Shqipërisë, Kukësi dhe Partizani do të përballen në ndeshjen e parë hapëse të kampionatit, që do të luhet të premten në orën 19:00 në Elbasan. Një ditë para kësaj sfide, trajneri i verilindorëve, Shpëtim Duro është shprehur se nga Superkupa i ka mbetur peng rezultati dhe jo loja, duke treguar se nuk ka presion nga takimi i një jave më parë.

“Ishim pranë fitimit për 2 minuta dhe mund të merrnim trofeun por ajo ndeshje më erdhi keq për rezultatin dhe jo lojën. Në një periudhë të shkurtër dhe me probleme në formacion sidomos në prapavijë, jam befasuar nga loja. Historia e një ndeshjeje me eliminim është gjë tjetër. Kam ardhur për kampionatin dhe Kupën dhe e kam thënë para finales. Duke pasur jo skuadrën e plotë dhe duke ardhur Kotobelli me 1 ditë stërvitje, gabimet e tij janë të pranueshme” ka thënë Duro.

 Shpëtim Duro ka treguar se nuk do të ndryshojë asgjë nga ndeshja e parë, ndërsa ka komplimentuar lojën e disa futbollistëve të tij. “Unë luaj ndaj një skuadre të konsoliduar kurse unë lojtarë me një stërvitje. Nuk do të ndryshoj asgjë nga loja por duhet më shumë përqendrim në momente të veçanta. Në pjesën e dytë kishim dominim dhe për 2 minuta do të ishte histori tjetër. Pa Valdet Ramën bëmë super ndeshje dhe imagjino, të ishte edhe ai. Gavazaj më ka befasuar sepse ka 3-4 muaj pa luajtur dhe nuk e prisja atë ndeshje. Largimi i tij dhe i Shkurtajt ndikuan. Nuk dua të ndryshoj asgjë nga loja e shkuar”.

Kristal Abazaj i bashkohet të enjten Kukësit në stërvitje. Sulmuesi tashmë është zyrtarisht pjesë e Kukësit, dhe me përforcimet e bëra gjatë merkatos, Shpëtim Duro ka më shumë optimizëm. “Duam një ndeshje të mirë, pikë por është kampionat i gjatë dhe jo vetëm një trofe me 10 minuta. Nuk ka njeri këtu që të luash me Partizanin në moment të shpejtë në atë formë dhe të dominosh, nuk është e lehtë. Kjo lojë dhe kjo mënyrë loje në skuadër, më bëjnë optimist. Me afrimin e Abazajt dhe ndonjë tjetri, më bën optimist për skuadër të fortë. Nuk ka trajner që nuk e do fitoren”.

Rikthehet Superliga, Kukësi- Partizani ngren ‘perden’ e sezonit të ri të kampionatit

Të premten e kësaj jave do të fillojë sezoni i ri i Superligës, ku dhjetë ekipe do të luftojnë në 36 javë për të fituar titullin kampion. Shorti i hedhur disa ditë më parë në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka rezervuar një supersfidë që në nisje të kampionatit. Do të jetë Kukësi-Partizani, dy ekipet që mbrëmjen e të dielës u përballën mes tyre në Superkupën e Shqipërisë, me trofeun që i shkoi të ‘demave’, do të përballen përsëri pas katër ditësh.

Stadiumi do të jetë përsëri “Elbasan Arena”, pasi skuadra e Kukësi edhe këtë sezon do t`i zhvillojë ndeshjet në fushë asnjëanëse për shkak se stadiumi “Zeqir Ymeri” ka nisur rikonstruksionin. Do të jetë një sfidë emocionuese, ashtu si dhe të dielën në Superkupë, ku Partizani shënoi katër herë në portën e verilindorëve, ndërsa skuadra e Shpëtim Duros shpërdoroi fitoren e trofeut, duke barazuar dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. Ndeshja e parë e këtij sezoni të Superligës do të luhet në orën 19:00.

Ndërkohë, pas ndeshjes të së premtes, një ditë më pas do të luhen dhe katër takimet e tjera. Vllaznia-Laçi dhe Skënderbeu-Flamurtari, janë dy sfidat e orës 16:00 që do të luhen të shtunën, ku skuadrat vijnë me ndryshime të mëdha në organikën e tyre. Ndërkohë, ekipi i Vllaznisë do të bëj debutimin në Superligë, pasi vitin e shkuar luajti në Kategorinë e Parë.

Dy ndeshjet e mbrëmjes do të jenë ajo mes Teutës dhe Bylisit, me këtë të fundit që rikthehet në Superligë dhe Tiranës me Luftëtarin. Ekipi i drejtuar nga Ardian Mema ka bërë ndryshime rrënjësore në merkato, duke afruar futbollist shumë cilësor. Ndryshe nga sezoni i shkuar, Tirana do të jetë një ekip pretendent për titullin kampion, të paktën në letër duket e tillë.

Shkrumbohet nga flakët, në mes të autostradës, autobusi i tifozëve të Partizanit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dieles që fatmirësisht nuk është kthyer në tragjedi për tifozët e skuadrës së Partizanit. Rreth orës 23 të mbrëmjes së të dieles ka marrë flakë dhe është djegur tërësisht autobusi i tifozëve të Partizanit të cilët ktheheshin në Tiranë pas ndeshjes me Kukësin që u zhvillua në stadiumin e Elbasanit.

Në autobus ndodheshin rreth 30 tifozë të cilët shpëtuan pa lëndime. Dyshimet paraprake flasin për një defekt teknik të autobusit që u përfshi nga flakët në mes të autostradës Tiranë-Elbasan.

Si pasojë, autostrada është bllokuar në njërin prej akseve, duke sjellë trafik të rënduar, në orët e vona të mbrëmjes.

Zjarrfikësja ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka vënë në kontroll flakët e zjarrit, por autobusi me targa AA 739 GM është shkrumbuar totalisht.

Kjo ngjarje vjen pak ditë, pasi një tjetër autobus me pasagjer ka marrë flakë në ecje në rrugën e Kombit.

Video/ Partizani tremb rivalët, fiton Superkupën me ‘poker’ ndaj Kukësit

Gjashtë gola dhe 120 minuta lojë, një ndeshje plot spektakël, dhe me tre përmbysje të jashtëzakonshme, dhe në fund, Partizani e nis sezonin e ri, ashtu si mbylli të kaluarin, duke fituar trofe. “Të Kuqtë” kanë mundur 4-2 Kukësin duke fituar Superkupën e Shqipërisë, me ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Edhe pse me një atmosferë të vakët në shkallët e stadiumit, në fushën e lojës nuk ka munguar spektakli.

Në  barazim 1-1 është mbyllur pjesa e parë, me dy gola të realizuar bukur, por me një lojë të vakët në ide dhe agresivitet.  “Të kuqtë” kanë kaluar të parët në avantazh që në minutën e 6-të të takimit. Ishte Esat Mala ai që zhbllokoi sfidën, pasi mposhti Avdylin me një gol të bukur nga brenda zonës.

Pasi kaloi mbrojtjen e verilindorëve, Mala futet në zonë dhe nuk e ka të vështirë të shënojë. Deri në minutën e 39-të loja mbetet e ekuilibruar, megjithëse Partizani ka disa mundësi më shumë duke rrezikuar portën kundërshtare, por pa arritur të thellojë diferencën. Megjithatë, në të 39`, Emiliano Musta bën të njëjtën gjë si Esat Mala.

Pasi kalon mbrojtjen e Partizanit me shpejtësi, lë pas dhe portierin Alban Hoxha, Musta shënon golin e barazimit për Kukësin. Gjithçka vendoset në barazpeshë, ndërsa tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, Mala ka përsëri një shans të artë për të shënuar, por ndalet nga portieri i Kukësit.

Në pjesën e dytë skuadra verilindore bëhet më agresive, duke sulmuar që në minutat e para portën kundërshtare. Në minutën e 56`, verilindorët fitojnë një goditje dënii. Musta gjuan përsëri duke tundur rrjetën e Alban Hoxhës, dhe njëkohësisht duke shënuar një gol spektakolar.

Megjithatë, kur dukej se Kukësi ishte duke fituar Superkupën, dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Solomon shënon golin e barazimit për ekipin e Partizanit. Ndeshja shkon në shtesë, aty ku “Të Kuqtë” mbyllin gjithçka shumë shpejt me Broën, që shënon në të 94` dhe 99`. Me shifrat 4-2 mbyllen 120 minuta lojë në Elbasan, me Partizanin që e nis mbarë sezonin e ri, duke fituar trofeun e parë, një javë para nisjes së kampionatit.

Video/ Superkupa e Shqipërisë, ‘paqe’ mes Partizanit dhe Kukësit në pjesën e parë

Është mbyllur në barazim 1-1 pjesa e parë e Superkupës së Shqipërisë mes Partizanit dhe Kukësit, që po zhvillohet në “Elbasan Arena”. “Të kuqtë” kanë kaluar të parët në avantazh që në minutën e 6-të të takimit. Ishte Esat Mala ai që zhbllokoi sfidën, pasi mposhti Avdylin me një gol të bukur nga brenda zonës.

Pasi kaloi mbrojtjen e verilindorëve, Mala futet në zonë dhe nuk e ka të vështirë të shënojë. Deri në minutën e 39-të loja mbetet e ekuilibruar, megjithëse Partizani ka disa mundësi më shumë duke rrezikuar portën kundërshtare, por pa arritur të thellojë diferencën. Megjithatë, në të 39`, Emiliano Musta bën të njëjtën gjë si Esat Mala.

Kalon mbrojtjen e Partizanit me shpejtësi, lë pas dhe portierin Alban Hoxha, dhe shënon golin e barazimit për Kukësin. Gjithçka vendoset në barazpeshë, ndërsa tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, Mala ka përsëri një shans të artë për të shënuar, por ndalet nga portieri i Kukësit.

Superkupa, Duro: Partizani më mirë se Kukësi, por ne jemi gati

Të  dielën në “Elbasan Arena” do të luhet ndeshja e Superkupës së Shqipërisë. Partizani dhe Kukësi janë dy skuadrat që do të kërkojnë të fitojnë trofeun e parë sezonal, duke bërë kështu një nisje të mbarë të sezonit të ri të futbollit në vend. Në prag të kësaj sfide, trajneri i Kukësit Shpëtim Duro ka dalë në një konfernecë për shtyp, ku ka analizuar ndeshjen e së dielës. Ish-tekniku i Partizanit që tashmë drejton Kukësin, tregon se “Të Kuqtë” janë disi në avantazh, por shprehet se pavarësisht largimeve që ka pasur në skuadër, ekipi është gati për këtë përballje.  “Janë dy ekipe që kanë rivalizuar sezonin e kaluar. Them që, kjo e bën interesante finalen e Superkupës. Partizani, duke iu referuar ndeshjeve të fundit në Europë, është më para. Kukësi ka ndryshime, sepse janë larguar tre lojtarë bazë, si Cuculi, Rrumbullaku dhe Rama. Janë linja e krahut të majtë. Kemi punuar gjithë javën, për t’i zëvendësuar, dhe për ta përgatitur këtë takim”. Ka thënë Duro.

Më tej ai është shprehur se gjatë këtyre ditëve është punuar shumë në merkato për të plotësuar  vendet vakante, ndërkohë që tregon se Valdet Rama nuk do të jetë pjesë e ekipit. “Sot paraqitet në stërvitje lojtari nigerian që është aktivizuar në Kroaci, që zëvendëson Cuculin. Këtë javë, po tentojmë për një goditje që të jetë në nivelin e Ramës në sulm. Gjici është i gatshëm, po punojmë shumë edhe me Nexhipin për ta plotësuar skuadrën. Duhet edhe koha e duhur për ambientimin me skuadrën. Unë kam dy javë që kam marrë drejtimin e skuadrës. Duke parë Kukësin e sezonit të kaluar, nuk do doja t’i hiqja asnjë centimetër skuadrës. Ka situata të tilla, dikush nuk bie dakord për kontratën me klubin. Valdeti për arsye të justifikueshme, personale, nuk do jetë. Ideja ime ishte që ta mbaja atë skuadër, që mora në drejtim”.

Duke u rikthyer te ndeshja e së dielës, Duro shprehet se Partizani nuk ka ndryshuar shumë, ndërsa tregon se dëshira e tij do të ishte që të shtyhej me një javë kampionati, për shkak të afrimeve të vonuara në skuadër. “Ne jemi përgatitur, Partizani atë fizionomi ka. Më shumë ka qenë ekip racional, por me rendiment. Edhe ndaj Sherifit, ajo skuadër ka qenë. Ka ndryshuar pak vendosjen për sa i përket skemës. Ne kemi punuar, që të përgjigjemi me atë skemë që ka Partizani. Do kisha dëshirë të paktën të shtyhej një javë kampionati, sepse e thashë, Kotobelli ka 2 ditë që ka ardhur. Partizani është një hap para. Por, kemi kontingjent dhe kapacitet”.

Trajneri i ekipi verilindor ka treguar gjithashtu se klubi po punon për të afruar në skuadër Kristal Abazajn, futbollistin e Anderlecht, që nuk ka gjetur hapësira te skuadra belge, pas përfundimit të huazimit në Kroaci të Osijek. “Po, nuk ka asnjë sekret. Jemi në bisedime. Pastaj, a realizohet, do shohim. Me të po merret Nexhipi. OK-in e fundit e jep presidenti, edhe nga ana financiare. Di që Nexhipi është në tratativa me Abazajn. Nëse nuk bie dakord, kemi edhe një pistë tjetër nga jashtë. Nëse vjen Abazaj, jemi të kompletuar”.

Flamurtari i uroi ditëlindjen, mbrojtësi largohet dhe firmos te Kukësi

Ish-mbrojtësi i Flamurtarit Blerim Kotobelli, duke nisur prej kësaj të enjte do të jetë pjesë e skuadrës së Kukësit. 27-vjeçari ka firmosur kontratën e re me klubin verilindor, për vetëm një sezon, duke u bashkuar me skuadrën vetëm tre ditë para finales së Superkupës së Shqipërisë. Kotobelli luajti sezonin e fundit te Flamurtari në Vlorë, teksa ai shihej ende si pjesë e klubit, i cili i uronte dhe ditëlindjen vetëm disa ditë më parë.

Por mesa duket, pasiguria financiare dhe largimi i trajnerit Gerd Haxhi, vetëm nëntë ditë pasi mori drejtimin e skuadrës, ka bërë që Kotobelli të zgjedhë një klub tjetër për të vijuar karrierën si futbollist. Më herët, Kotobelli ka luajtur edhe për ekipin e Tiranës, Teutës dhe Partizanit, duke grumbulluar një eksperiencë të rëndësishme e cila do t`i shërbejë për aventurën te Kukësi.

Afrimi i Kotobellit vjen vetëm dy ditë pasi nga skuadra verilindore u larguar pas 6 vjetësh qendërmbrojtësi Ylli Shameti. Me vakumin e krijuar në repartin e mbrojtes, Kukësi tashmë gjen një alternativë për Shpëtim Duron, ndërsa skuadra vijon negociatat për rinovimin e Ardian Cuculit.

Rama thumbon Bashën për Kukësin: Ishte kthyer në stacion autobusi për protestuesit e “Rama Ik”

Zgjedhjet e 30 qershorit dhe ndryshimi i krerëve të bashkive ka bërë që të nisë puna në bashkitë e djathta që siç thotë kryeministri ishin lënë pas dore për shkak të protestave Rama ik.

Kryeministri ka publikuar disa foto nga bashkia e Kukësit ku puna e parë ka nisur me pastrimin e qytetit nga pirgjet me plehra.

Rama shkruan se me ikjen e kryetarit demokrat të Kukësit dhe me ardhjen e Safet Gjicit, po ikin edhe kodrat me plehra nëpër qytet.

Tashmë, thekson Rama falë rikthimit të pushtetit vendor në shërbim të qytetarëve, u rikthyen në duart e punonjësve mjetet e pastrimit në vend të molotovëve e të gurëve të revolucionit imagjinar.

“Me ikjen e kryetarit të Kukësit, që e kishte katandisur bashkinë në një stacion autobuzi, nga ku vejevinin për Tiranë punonjësit e kthyer në protestues të Lëvizjes #RamaIk, po ikin edhe kodrat me plehra nëpër qytet, falë rikthimit të pushtetit vendor në shërbim të qytetarëve dhe rikthimit në duart e punonjësve të mjeteve të pastrimit, në vend të molotovëve e të gurëve të revolucionit imagjinar”, shkruan Kryeministri Rama në facebook.

Me ikjen e kryetarit të Kukësit, që e kishte katandisur bashkinë në një stacion autobuzi, nga ku vejevinin për Tiranë…

Gepostet von Edi Rama am Montag, 12. August 2019

Dështon PD për bllokimin e bashkive, Kukësi dorëzohet paqësisht

Megjithëse lidershipi i PD-së, porositi kryebashkiakët e djathtë, përmes një dokumenti të publikuar nga realstory.al, për të bllokuar zyrat; një nga një bashkitë po lirohen në mënyrë paqësore. Urdhri i shpërndarë nga Basha, i cili vetëm disa ditë me herët bënte thirrje për dhunë nga Devolli, nuk po gjen zbatim as nga kryebashkiakët e tij, të cilët mbetën në rrugë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ku PD vendosi të mos merrte pjesë.

Pas Përmetit që u dorëzua të enjten, paqësisht është dorëzuar të premten edhe bashkia e Kukësit. Qyteti verior njihet si një nga bastionet e PD-së, vendos të mos ndjekë udhëzimet e lidershipit të partisë.

Kreu i ri i Bashkisë së Kukësit, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Safet Gjiçi ka hyrë qetësisht në zyrë.

Në një dalje për mediat,  koordinatori i PD për qarkun e Kukësit Kreshnik Çollaku tha se ky ishte një vendim nga strukturat për të shmangur një përplasje të përgjakshme.

“Një kukëll e Edi Ramës, me presion të qytetarëve po përpiqet që të instalohen në zyra. Falenderoj drejtuesit e PD dhe qytetarët që shmangën një skenar të dhunshëm. Këto forca policie kanë pasur një qëllim që si dhuratë të shkaktonin konflikt civil dhe viktima. PD e shohin pushtetin jo si një qëllim, por si një mision për t’u shërbyer qytetarëve. Gjici mandat jo legjitim, antikushtetues. Asgjë e vjedhur nuk do ta gëzoni. Këtë do i them Ramës dhe Safet Gjicit”, tha Çollaku

Në fakt kjo deklaratë e Çollakut bie në kundërshtim me qëndrimin e Bashës vetëm dy ditë më parë në Devoll, ku bëri thirrje për dhunë dhe për mbrojtje me çdo mjet e formë bashkitë e djathta.

Ky ishte skenari që Basha e kishte shkruar fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Realstory publikoi pak ditë më herët një dokument të hartuar nga kryesia e PD-së më 2 korrik dhe ku bëhej thirrje që të mbroheshin me çdo kusht bashkitë e djathta.

Por duket se ky skenar nuk gjeti mbështetje nga vetë demokratët. Përveç Devollit dhe Kavajës, bashkitë e tjera po i lirojnë zyrat në mënyrë paqësore. Madje dhe në Devoll e Kavajë qëndresa e demokratëve nuk ka zgjatur më shumë se 8 orë, aq sa është orari zyrtar i punës. Pak zhurmë u bë të premten në Mat, ku Basha kishte dërguar si përforcim ish deputetin Alibeaj. Ndërsa Bashkia e Kukësit u dorëzua pa zë. Tani Bashës i mbetet vetëm Voltana, si qëndrestarja më e spikatur e protestave me molotov të PD-së./Realstory.al

Skip to toolbar