Habit Messi: Ronaldo është më i miri

Për yllin e Barcelonës, Lionel Messi, Ronaldo Nazario apo i njohur ndryshe si “Fenomeni”, është “sulmuesi më i madh që ka parë ndonjëherë”. Në një intervistë për TyC Sports, Messi bëri këtë deklaratë të befasishme, duke komplimentuar yllin brazilian që shkëlqeu me disa klubet në Europë. “Ronaldo Nazario ishte një fenomen. Nga të gjithë sulmuesit që kam ndjekur, ai ishte më i miri. Ai ishte i pabesueshëm”, tha Messi.

Sulmuesi argjentinas foli dhe për teknologjinë në futboll. Ai shprehet se VAR është i mirë nëse përdoret në mënyrën e duhur. “Më pëlqen VAR nëse përdoret mirë. Ajo që nuk më pëlqen është se u soll për të hequr dyshimet e arbitrave, por ende nuk po e bënë këtë”, tha Messi, duke vijuar- “Në fund të fundit, vendimet ende merren nga gjyqtari, ose një tjetër gjyqtar pas televizorit, dhe nuk bazohet në atë që ndodh vërtet. Është gjë shumë e mirë, por nuk është duke u përdorur mirë”, tha Messi.

Në fund, ylli argjentinas tregoi se pasi të lërë futbollin, do të qëndrojë te Barcelona. “Unë nuk dua të largohem nga këtu. Nuk mund ta mendoj largimin nga Barcelona. Kam një ëndërr të luaj në futbollin argjentinas, por nuk e di nëse do të ndodhë. Unë kam familjen dhe ata janë më të rëndësishëm se dëshirat e mia”, tha Messi.

Ledian Memushaj, gol “alla Messi”

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj gjeti rrjetën këtë të shtunë në kampionatin italian. Vlonjati shënoi golin e parë të fitores 4-0 të Pescara ndaj Benevento në javën e nëntë të Serie B.

Memushaj gjeti golin sapo nisi pjesa e dytë, kur Pepin i pasoi një top nga jashtë zone, ndërsa mesfushori kaloi bukur gjithë mbrojtësit kundërshtarë dhe përballë portierit dërgoi topin në rrjetë. Realizimi i Memushajt dukej i ngjashëm me ato të yllit të Barçës, Lionel Messi.

Ky ishte goli i dytë për Ledian Memushaj për këtë sezon me Pescara, ndërsa deri më tani është autor i 3 asisteve për ekipin e tij. Pescara e fitoi takimin dhe shkon në kuotën e 13 pikëve në Serie B, duke u futur në zonën e play-offit që të jep mundësi të synosh ngjiten në Serie A.

Ndërkohë, në takimin e të shtunës, portieri i kombëtares Elhan Kastrati e nisi ndeshjen për Pescaran në pjesën e dytë, duke zëvendësuar portierin Fiorillo. Kjo është ndeshja e dytë për këtë sezon e Elhan Kastratit me ekipin e Pescara.

Messi tremb Barcelonën para nisjes së La Ligas, mungon në stërvitje

Gjatë kësaj fundjave do të nisin pothuajse të gjitha kampionatet kryesore në Europë, mes tyre dhe La Liga. Kampionët e spanjës, Barcelona, duket se kanë marrë një lajm të keq para nisjes së sezonit. Gjatë stërvitjes së fundit, para ndeshjes kundër Atletiko Bilbaos, ylli argjentinas i Barçës, Lionel Messi nuk ka qenë në stërvitje. Mungesa e tij në stërvitje, e bën të sigurt edhe mungesën në ndeshjen e parë që do të luhet të premten në ndeshjen hapëse të sezonit për Barcelonën.

Trajneri Ernesto Valverde është pyetur për mungesën e Messit në stërvitje, duke u shprehur se “nuk mund ta rrezikojmë”. “Ne nuk mund të marrim rreziqe me lojtarët dhe sigurisht jo me të. Ai nuk është stërvitur me ekipin pasi ka pasur disa shqetësime. Ne do të presim pak për të parë se si shkon shërimi i tij. Po shkon mirë, unë e kuptoj, por duhet të presim dhe të shohim”, ka thënë Valverde. Argjentinasi pësoi një dëmtim në 5 gusht, në të njëjtën ditë kur ai u bashkua me ekipin pas pushimeve.

Ndërkohë, duke ndierë rrezikun se nuk do ta ketë dhe për shumë kohë në skuadër dhe me të njëjtin rendiment për shkak të moshës, Barcelona po kërkon pasuesin e Messit, duke tentuar rikthimin e brazilianit Neymar në Kamp Nou. Deri më tani negociatat mes PSG dhe Barçës kanë dështuar.

Dënohet Messi, përjashtohet nga kombëtarja dhe gjobitet me 50 mijë dollarë

Lionel Messi nuk do të jetë në gjendje të grumbullohet me kombëtaren e Argjentinës për tre muajt e ardhshëm, pasi është dënuar nga Konfederata e Futbollit në Amerikën e Jugut. Sulmuesi argjentinas është dënuar pasi akuzoi për “korrupsion” drejtuesit e Konfederatës së Futbollit në Amerikën e Jugut, gjatë zhvillimit të kompeticionit të “Copa America”.

Messi është lënë jashtë, së bashku me futbollistin e Kilit, Gary Medel, me të cilin pati një grindje gjatë ndeshjes Argjentinë-Kili, në play-offin për vendin  e tretë, ku Messi doli më karton të kuq. Pas përfundimit të kësaj ndeshje, Messi nuk doli në fushë për të marrë medaljen e vendit të tretë në  “Copa America”, duke krijuar habi.

Më pas, sulmuesi sqaroi edhe arsyet pse nuk ishte në ceremoni, duke treguar se nuk dëshironte të “ishte pjesë e këtij korrupsioni, kjo është mungesë respekti për të gjithë në Copa America”, tha Messi. Ai gjiashtu akuzoi gjyqtarët për anësi në ndeshjen gjysmëfinale midis Argjentinës dhe Brazilit, ku fitues doli Selecao duke shkuar në finale. Messi u shpreh se arbitrat e ndihmuan Brazilin të shkonte në finale.

Si ndëshkim për shpërthimet e tij, Messi do të vuajë një pezullim tre mujor nga njoftimi i së premtes, duke e përjashtuar atë nga ndeshjet e Argjentinës deri në nëntor. Kjo do të thotë se ai do të humbasë miqësore kundër Kilit, Meksikës dhe Gjermanisë, ndërsa Messi gjithashtu është gjobitur me 50,000 dollarë.

Messi fiton për të gjashtën herë Këpucën e Artë, si askush më parë!

Barcelona u shpall përsëri kampione e Spanjës, duke lënë pas rivalët e përjetshëm të Real Mardid. Ndonëse nuk arriti të shkonte as këtë sezon në finalen e Champions League, ekipi katalanas ka bërë një sezon të shkëlqyer dhe meritën për këtë e ka Lionel Messi.

Ky i fundit ka luajtur një tjetër sezon mbresëlënës me ekipin e tij, duke shënuar 36 gola për Bareclonën. Këto rrjeta i kanë dhënë Lionel Messit për herë të tretë Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë në Europë, duke lënë pas rivalin e tij të vetëm, Kylian Mbappe, që realizoi vetëm 33 gola.

Kështu Lionel Messi bëhet lojtari i parë në botë që fiton gjashtë herë këpucën e artë në Europë, duke vendosur rekord absolut. Ndjekësi kryesor i argjentinasit është rivali i tij kryesor gjatë gjithë karrierës, Cristiano Ronaldo, i cili e ka fituar katër herë këpucën e artë.

Shënuesit të tjerë të mëdhenj, të cilët kanë nga dy këpuca të arta janë: Eusebio, Gerd Muller, Dudu Georgescu, Fernando Gomes, Ally McCoist, Mario Jardel, Thierry Henry, Diego Forlan dhe shoku aktual i skuadrës i Lionel Messit, Luis Suárez.

Messi vlerësohet me çmimin e rëndësishëm në Barcelonë!

Lionel Messi ka rrëmbyer mbrëmjen e sotme një tjetër çmim personal, teksa është nderuar me “Creud de Sant Jordi”, apo “Kryqi i Shën Gjergjit” në shqip.

Ky çmim i është dhënë nga qeveria e Katalonjës, e cila e ka vlerësuar yllin e Barcelonës mes 28 personaliteteve të tjera në fusha të ndryshme dhe 15 institucione.

Messi është shoqëruar në ceremoninë e dhënies së çmimeve nga presidenti i Bareclonës, Josep Maria Bartomeu së bashku me dy zëvendësat e tij.

Ky çmim i jepet për herë të dytë një futbollisti pas Johan Cruyff më 2006, që gjithashtu ka qenë një nga legjendat e futbollit katalanas.

Aguero përgënjeshtron veten: Messi gjithmonë zgjedhja ime për “Ballon d’Or”

Sergio Aguero ka përgënjeshtruar një intervistë të dhënë në media po prej tij, ku kishte thënë se personi që duhet të fitojë Topin e Artë, duhet të jetë patjetër në finalen e Champions League. Mirëpo ky pohim i sulmuesit te Manchester Cityt ka bërë bujë në media.

Për këtë arsye, Aguero është detyruar të bëjë një deklaratë në rrjetin social Twitter, ku shprehet se vita e tij do të jetë vetëm për Lionel Messin, bashkëkombasin e tij dhe shokun e skuadrës te Kombëtarja e Argjentinës.

“Nuk më pëlqen të sqaroj deklaratat e mia, por kur raportohen gjëra që nuk i kam thënë, më duhet ta bëj. Do ta them hapur, atëherë. Askush tjetër veç Messit nuk do jetë zgjedhja ime për Ballon d’Or, për sa kohë ai do vazhdojë të luajë futboll – sidomos nëse luan si këtë sezon”.

“Messi do të jetë përjetësisht i Barcelonës”

“Messi do të jetë përjetësisht me ne”, është deklarata e bërë nga Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, duke konfirmuar se argjentinasi nuk do të largohet kurrë nga “Camp Nou”, duke lënë të kuptohet gjithashtu se Messi do ta mbyllë karrierën te katalanasit.

Numri një i klubit të Barcelonës ka folur për mediat dy ditë pasi Lionel Messi bëri një tjetër paraqitje spektakolare në Ligën e Kampionëve, duke shënuar dy gola në fitoren 3-0 në gjysmëfinalen e parë ndaj Liverpool. Në këtë ndeshje, Messi rrumbullakosi 600 gola me fanellën blaugrana.

“Ai mund të luajë futboll deri 45 vjeç, kush e di?, – tha presidenti i Barcelonës për “The Guardian”. – Ne themi se do të luajë tri, katër, apo pesë vite më shumë, por nuk e dimë me siguri se sa. Le të luajë sa dëshiron vetë Leo”.

“Jemi duke u përgatitur për periudhën pas pensionimit të Messit. Lojtarë si Dembele, Lenglet dhe Arthur janë atje për të ndërtuar një ekip, edhe pa Messin duke luajtur. Megjithatë, unë ende shoh një rrugë të gjatë deri në tërheqjen e Leos nga futbolli i luajtur. Nuk mendoj se ajo ditë është afër”.

“Ne u themi lojtarëve që luajnë dhe trajnohen me të: Bëni maksimumin në çdo minutë. Ai është një futbollist, prandaj po flasim për futbollin, por do të qëndrojë përjetë me ne, në funksione të tjera”.

“Unë flas gjithmonë për Pele, i cili ka qenë përherë i lidhur me Santos, i vetmi klub, ku luajti në Brazil. Leo i përket futbollit botëror, por ka për të jetuar gjithmonë në Barcelonë. Ai do të jetë i lidhur vetëm me një klub. Leo nuk do të largohet kurrë”.

“Ai do të ndalet së luajturi, por gjithmonë do të jetë me ne. Leo është një gjeni dhe ka treguar sa vlen prej kaq shumë sezonesh. Ne jetojmë një epokë të jashtëzakonshme me të, por për tifozët tanë duket gjithçka normale”.

Fitorja dhe golat, Messi: Ishim spektakolar, por ende s’ka mbaruar!

Sulmuesi argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, ka folur pas ndeshjes me Liverpool, duke komentuar rezultatin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League: “Patjetër që do të ishte më mirë të kishim fituar 4-0, por edhe 3-0 është një rezultat i mirë. Asgjë s’ka mbaruar sepse do të shkojmë në një fushë shumë të vështirë.”

Duke folur për ndeshjen, Messi është shprehur se Liverpool luajti shumë fizikisht, një stil loje që Barcelona nuk e praktikon: “E nisëm mirë, me ritëm dhe ndeshja ishte shumë fizike, nuk jemi mësuar kështu pasi qëndruam shumë momente pa topin në zotërim. U mbytëm pak sidomos në pjesën e dytë, por këto ndeshje kështu e kanë dhe duhet ta merrnim ashtu si të vinte”.

Golin e tretë të takimit, që Messi shënoi nga goditja e dënimit, “pleshti” e quan spektakolar: “Është e vërtetë, ishte spektakolar. Jam shumë i lumtur. Jemi në një moment vendimtar dhe duhet të qëndrojmë të gjithë të bashkuar. Na kanë mbetur edhe tre finale.”

Balotelli: Mos e krahasoni Messin me 7-ën e Juventusit (foto)

Mario Balotelli ka reaguar me superlativa në drejtim të Lionel Messit, pasi ky i fundit shënoi dy gola në gjysmëfinalen e parë të Champions League mes Barcelonës dhe Liverpool.

Sulmuesi italian, që aktualisht luan me Olympique Marseille, duke thurur elozhe për sulmuesim argjentinas të Barcelonës, ka thumbuar edhe Cristiano Ronaldon.

“Leo Messi fenomen. Për të mirën e futbollit, mos e krahasoni atë me 7 e Juventusit”, – shkroi Mario në llogarinë e tij në Instagram.

Një tekst, që e shoqëroi me një foto të Messit, të bërë nga televizioni, gjatë një momenti të ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve (3-0).

Skip to toolbar